Arkiva e dëshmi:Zbulohen detaje interesante të ardhjes së Çe Guevarës në Shqipëri dhe takimet me Mehmet Shehun
Gjatë vizitës së Guevarës në Tiranë, Shehu i fali mitit kubanez një automatik kallashnikov
Çe Guevara, heroi mitik i popullit kubanez ka vizituar Shqipërinë në fillim të viteve ’60-të të shekullit të kaluar dhe është pritur nga drejtuesit më të lartë të shtetit komunist. Ndërkohë, në takimin që pati me Mehmet Shehun, kryeministrin shqiptar, ky i fundit i ka dhuruar Guevarës një automatik kallashnikov… Detaje të vizitës së fshehtë të Çe Guevarës në Shqipëri, i sjellë për ‘Dita’ publicisti Jovan Jano…
Zoti Jano! Ju keni përgatitur një libër për heroin kubanez Çe Guevara, ku një vend të rëndësishëm zënë njohjet dhe takimet e tij me diplomatë e funksionarë të shtetit shqiptar?
-Po. Jo vetëm kaq, por heroi mitik kubanez ka patur kontakte të shumta dhe me shqiptarë të thjeshtë, kryesisht jashtë Shqipërisë. Por Çe Guevara ka vizituar ilegalisht dhe Shqipërinë në vitet ‘60, ku është pritur dhe nga drejtues më të lartë të shtetit komunist… Çe Guevara, gjatë vizitës në Shqipëri, është pritur në një takim sekret edhe nga ish-kryeministri Mehmet Shehu. Detajet e këtij takimi kanë mbetur mister për shumë dekada, pasi numri i personave që kishin dijeni, janë më pak se gishtat e njerëz dorë…
Si keni mundur që pas kaq kohësh, të zbardhni detaje të bisedës sekrete të Çe Guevarës me Mehmet Shehun?
-Kam takuar personin konkret i cili ka qenë i pranishëm në këtë bisedë..
Ndonjë detaj interesant nga ky takim?
-Ka shumë detaje, disa prej të cilave unë do ua tregoj në vazhdim… U them se në këtë takim, Mehmet Shehu i ka falur heroit mitik kubanez dhe një automatik kallashnikov të prodhimit shqiptar…
Mund të na përmendini disa nga personalitetet shqiptare që kanë takuar Çe Guevarën?
-Po. Mehmet Shehu, Josif dhe Evelina Pogaçe, Bilbil Klosi, Kiço Ngjela, Mihallaq Gjinikasi, Qemal Myrseli, Labo Abazi, Tiri Çollaku etj. Madje, Pertef Hasanmataj ka takuar edhe të atin e Çe-së, Guevara Lynch. Unë kam grumbulluar e dokumentuar disa nga impresionet e tyre për Çe Guevarën.
Kur kanë ndodhur këto takime, përfshi dhe vizitën e Guevarës në Tiranë?
-Këto kanë ndodhur në harkun e disa viteve, por shumica, kryesisht në vitet ’60. Marrëdhëniet diplomatike me vendin e bukur të Karaibeve gjatë viteve 60-të bënë që midis Shqipërisë dhe Kubës të kishte kontakte për probleme të ndryshme politike, ekonomike, kulturore etj. Në këtë kuadër shumë personalitete të jetës politike dhe kulturore të vendit tonë kanë patur rastin të takohen dhe të këmbejnë opinione me Çe Guevarën. Një ndër shqiptarët që ka takuar, njohur dhe ka mbresa për Çe Guevarën, është diplomati Zeqi Agolli. Por që për shumë kohë, ai nuk preferoi të flasë… Me interes janë dëshmitë e tij për takimin Mehmet Shehu-Çe Guevara, ku diplomati Agolli ka qenë i pranishëm…
Diçka më konkrete në këtë drejtim?
-Me gjithë këmbënguljen time të vazhdueshme, diplomati shqiptar, Zeqi Agolli, asnjë herë nuk ka dashur të identifikohet dhe ta bëjë publik emrin lidhur me historinë e takimit të fshehtë midis ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehut me Çe Guevarën, ku ai ka qenë prezent. Duke ia ruajtur anonimatin mbi dhjetë vjet, ia mbusha mendjen dhe tani ai flet pa anonimat por si protagonist i vërtetë i atij takimi. Me këtë rast, duke e respektuar mikun tonë të nderuar po ia përmendim emrin…
Cilat janë detajet e takimit Mehmet Shehu-Çe Guevara?
-Janë të shumta dhe interesante. Po unë gjykoj që për të qenë më të saktë, të sjellim kujtimin e Agollit për këtë takim: “…Për Ernesto Çe Guevarën nuk dija shumë gjëra. Kisha lexuar diçka nga shtypi i huaj, nga i cili informohesha në mënyra krejt të ndryshme. Shtypi perëndimor e paraqiste si ‘terrorist’, gati-gati të çmendur, ndërsa shtypi i disa prej vendeve të lindjes e jepte krejt ndryshe: e paraqiste si një mjeshtër të gueriljeve, si një ndezës i shkëndijave revolucionare, si një revolucionar shëtitës… Kisha marrë detyrën që ta prisja në Tiranë. Ashtu bëra. Vizita e tij bëhej e fshehtë, sepse kështu ishte kërkesa e tij, por edhe rrethanat politike të asaj kohe e bënin edhe më të fshehtë këtë vizitë. Ishte koha kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin çekuilibruar. Aq sa dija, ose, më saktë, aq sa mund të dija në atë kohë, kuptoja se Çe Guevara ishte me të vërtet një revolucionar, por si të thuash, një revolucionar i një tipi të veçantë. Afërsisht i atij formimi ishte edhe Fidel Kastro. Edhe revolucionin kuban këta, bashkë me të tjerë e udhëhoqën, jo përmes një kryengritjeje të përgjithshme të armatosur, falë frymëzimit, organizimit edhe drejtimit të një force të caktuar politike. Jo! Në Kubë shkëndijat e ndezura nga gueriljet, duke gjetur një terren të gatshëm, përhapën një zjarr të madh, që çuan në shporrjen e diktatorit Batista. Le të kthehemi aty, ku e lamë:
Teksa e takova në çastin sapo mbërriti, Çe Guevara qëndronte i heshtur. Ndoshta ndjehej i lodhur. Ndoshta ndjehej i vetmuar, në një vend krejt të panjohur për të. – Këtu në Shqipëri ndjeheni si në shtëpinë tuaj,-ndërhyra unë kur vura re se Guevara tregohej gjysmë i hutuar. Ishte fillimi i vitit 1960. Ai s’ishte më shumë se 32-vjeç. Me fytyrën e tij plot qime e me sy të shndritshëm, ai mundohej të fuste në dritën e vështrimit të tij sa më shumë hapësirë nga natyra e Tiranës e sidomos nga masivi gjigant i malit Dajt, që si monument kolosal i natyrës i mahnit të huajt për pozicionin gjeografik, që ka. Detyrën e kisha marrë tepër të përcaktuar: ta çoja në takim me kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu. Me aq sa mund të nuhasja unë në atë kohë, por edhe me gjithçka ngjau më vonë, vizita e Çe Guevarës ishte tepër konspirative. Ishte një vizitë, që kryhej, sa për mirësjellje, nga që nuk mund të refuzohej nga pala shqiptare. Ishte një vizite, siç mund ta gjykoj tani, për t’i dhënë mikut kuban një përvojë shqiptare, ndoshta për t’i korrigjuar ndonjë ide rreth mënyrës se si piqen e shpërthejnë natyrshëm revolucionet popullore.
… Vetura na zbriti drejt e përpara dyerve të Kryeministrisë. Gjithçka ishte sajuar në atë mënyrë, që mysafiri të paraqitej tek Kryeministri shqiptar si një mik i huaj i popullit tonë. Edhe shtypi, siç do të vihej re më vonë, do t’ia kalonte heshtjes këtë ngjarje politike. Madje, nuk do të kishte asnjë koment zyrtar. Aq konspirativ u mbajt ky takim, sa edhe sot e kësaj dite edhe personalitetet më në zë të Partisë Punës e të Shtetit nuk dinë asgjë! Por, le të vazhdojmë më tej: Kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu, ish-luftëtar i shquar i Brigadave Internacionaliste në Spanjë, ish-komandanti i talentuar i Brigadës së Parë Sulmuese Partizane, legjenda e luftës partizane dhe udhëheqës i shquar i Shtetit Shqiptar, e priti me shumë përzemërsi. Në këtë takim ishim të pranishëm vetëm katër vetë.
-‘Është kënaqësi për ne që ju kemi pranë, sepse ju jeni një përfaqësues i madh i popullit kuban’,- e nisi afërsisht kështu bisedën, Mehmet Shehu. ‘-Kontributi juaj për popullin dhe revolucionin kuban është shumë i madh. Ju me këto energji dhe këtë moshe të re, që keni, përfaqësoni shembullin më të madh për gjithë ata revolucionarë, kudo në botë, që jetën ia kanë kushtuar fatit të popujve të shtypur e të mjeruar…’- vazhdoi kryeministri Shehu. Më pas Mehmet Shehu i tregoi mikut nga perla e Karaibeve, historinë e lavdishme të luftës antifashiste nacional–çlirimtare, rolin udhëheqës të Partisë Komuniste, kontributin e jashtëzakonshëm të Frontit Antifashist Nacional– Çlirimtar në bashkimin e popullit dhe mobilizimin e tij për luftë të armatosur kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve të vendit. Më pas Kryeministri shqiptar u ndal tek roli përcaktues i udhëheqjes së Partisë përmes shembullit konkret të masës së saj. – Pa u bërë e ndërgjegjshme masa e popullit për domosdoshmërinë e ndryshimeve dhe pa qartësinë politike dhe vendosmërinë revolucionare të shtabit drejtues të revolucionit, unitetin dialektik të faktorit të jashtëm me atë brendshëm, as që mund të mendohet një fitore e mundshme e popujve të shtypur e të mjeruar. Ne shqiptarët mendojmë se që të fitosh në një revolucion duhet patjetër të kesh një parti me program minimal dhe me program maksimal. Në programin minimal duhet të shfrytëzohen mundësitë që të jep demokracia borgjeze. Ndërsa në programin maksimal partia duhet të veprojë edhe në ilegalitet, duke ruajtur strukturat drejtuese, të afta për t’iu përshtatur situatave, që krijohen’- i tha mikut nga Kuba, midis të tjerave Kryeministri, Mehmet Shehu. Në ekspozenë e tij Çe Guevara paraqiti një pasqyrë të shkurtër të asaj, që kishte çuar në përmbysjen e diktatorit Batista dhe në fitoren e revolucionit. Ndërkohë ai shfaqi disa nga pikëpamjet që kishte, lidhur me ndezjen e revolucionit dhe hedhjen e popujve në flaket e luftës për liri dhe drejtësi shoqërore. Çe Guevara, me sa kuptohej, rëndësi i kushtonte, gjatë ekspozesë, rolit përcaktues të revolucionarëve të vendosur dhe profesionistë, me ideale të mëdha, duke parë tek këta të fundit, faktorin numër një të përmbysjeve të mëdha revolucionare. Dhe shembull konkret jepte Kubën.
‘-Nuk duhet të humbasim shumë kohë me partira politike, qofshin ato edhe revolucionare. Kudo ku ka diktatura fashiste, sidomos në Amerikën Latine duhet të krijohen vatrat e zjarrit, pra, fokizmi. Dhe kjo të bëhet në zonat periferike dhe prej andej të nisin sulmet. Populli do na kuptojë, do na mbështesë dhe do të bashkohet me ne. Kështu vepruam në Kubë dhe fituam kundër diktatorit Batista,’- tregonte për eksperiencën kubane, Çe Guevara.
Nuk ishte e vështirë të kuptohej se midis bashkëbiseduesve ekzistonte një ndryshim jo i vogël në fushën e ngritjes së popujve në luftën për liri dhe drejtësi shoqërore. Gjithsesi, secili shpalosi pikëpamjet e tij, duke mos iu kundërvënë shokut, çka ndikoi për mirë në mbarëvajtjen e dialogut.
Në fund, Kryeministri shqiptar kishte përgatitur një dhuratë – surprizë. Çe Guevara e mori automatikun e dhuruar, u ul në gjunjë, e puthi armën dhe qetë–qetë, u ngrit në këmbë. Gjithçka u krye me një solemnitet tepër të veçantë. Edhe pse kanë kaluar shumë vjet nga ajo kohë, shpesh herë pyes veten: Si mundet një njeri të verë mbi supe detyra aq shumë të rënda, gjithsesi të përballueshme në mënyrën se si ideoheshin e zbatoheshin! Sidoqoftë, ato, që për një njeri të zakonshëm konsiderohen aventura, për idealistët janë thjeshtë misione, që duhen përmbushur”.
DETAJ ME FOTO
JOVAN JANO
Jovan Jano u lind më 1 korrik të vitit 1949 në Lushnje, ku përfundoi dhe arsimin e mesëm. Në vitin 1972 ka përfunduar studimet për gjuhë ruse e gjuhë shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Më pas, për shumë vite ka ushtrua profesionin e mësuesi në disa rrethe të vendit. Që në rininë e tij, Jano është marr dhe me studime e publiçistikë. Është autori 10 librave të botuara, përfshi dhe studime e monografi për personalitet të njohura ndërkombëtare.
SOM 1
“Në këtë kuadër shumë personalitete të jetës politike dhe kulturore të vendit tonë kanë pasur rastin të takohen dhe të këmbejnë opinione me Çe Guevarën. Një ndër shqiptarët që ka takuar, njohur dhe ka mbresa për Çe Guevarën, është diplomati Zeqi Agolli. Por që për shumë kohë, ai nuk preferoi të flasë… Me interes janë dëshmitë e tij për takimin Mehmet Shehu-Çe Guevara, ku diplomati Agolli ka qenë i pranishëm…”
SPM 2
“…Vetura na zbriti drejt e përpara dyerve të Kryeministrisë. Gjithçka ishte sajuar në atë mënyrë, që mysafiri të paraqitej tek Kryeministri shqiptar si një mik i huaj i popullit tonë. Edhe shtypi, siç do të vihej re më vonë, do t’ia kalonte heshtjes këtë ngjarje politike. Madje, nuk do të kishte asnjë koment zyrtar. Aq konspirativ u mbajt ky takim, sa edhe sot e kësaj dite edhe personalitetet më në zë të Partisë Punës e të Shtetit nuk dinë asgjë!”
SOM 3
“Në fund, Kryeministri shqiptar kishte përgatitur një dhuratë – surprizë. Çe Guevara e mori automatikun e dhuruar, u ul në gjunjë, e puthi armën dhe qetë–qetë, u ngrit në këmbë. Gjithçka u krye me një solemnitet tepër të veçantë. Edhe pse kanë kaluar shumë vjet nga ajo kohë, shpesh herë pyes veten: Si mundet një njeri të verë mbi supe detyra aq shumë të rënda, gjithsesi të përballueshme në mënyrën se si ideoheshin e zbatoheshin!”
FAQE 2
Evelina Pogaçe, bashkëshorte e ambasadorit të
parë shqiptar në Kubë:Si e njoha Çe Guevarën
Një nga shqiptarët që e kanë njohur nga afër Çe Guevarën, është dhe Evelina Pogaçe, bashkëshortja e ambasadorit të parë të Shqipërisë në Kubë. Ja rrëfimi i saj: Gjatë festave të Nëntorit, në selinë tonë në Havanë, gjithnjë jepnim pritje–koktej për politikanë, diplomatë e të huaj dhe për personalitete të shquara të jetës shoqërore në Kubë. Në të gjitha pritjet na nderonte me pjesëmarrjen e tij, Çe Guevara, politikan tepër i respektuar në Kubë dhe në gjithë kontinentin latino-amerikan. Në një rast të tillë, kur erdhi Çe Guevara, në krye të sallës i uruan mirëseardhjen im shoq, Josifi dhe sekretari i ambasadës, Labo Abazi. Çe Guevara ishte një mesoburrë, me trup të lidhur, i veshur me uniformën e revolucionit dhe me atë mjekrën simpatike. Uniforma e revolucionit dhe mjekra na dukej si në simbiozë me trupin e tij të hijshëm. Na dukej sikur ai i tillë dhe kishte lindur. Ndryshe, nuk e përfytyronim atë njeri të mrekullueshëm. Ishte i qetë, i zgjuar, i bukur dhe fliste me shumë kulturë, spanjisht. Por me tim shoq fliste edhe frëngjisht.
-Ndjehem shumë i kënaqur që ndodhem mes miqsh me aspirata të njëjta. Më pëlqen korrektesa dhe rregulli, por këtu tek ju ndjehem i akomoduar si në shtëpinë time. Nuk para i pëlqej ceremonitë zyrtare dhe ritet me frak diplomati. Kemi nevojë të bisedojmë si miq dhe me sinqeritet… – thotë Guevara. Ndërsa, kur im shoq, Josifi, po u tregonte miqve kubanë për Shqipërinë, për luftërat e popullit tonë, për liri e pavarësi, për reformën agrare dhe luftën për zhdukjen e prapambetjes ekonomike e kulturore, Çe Guevara tha:’-Kemi pasur të njëjtin fat si popull dhe kemi të njëjtën rrugë për të ardhmen. Edhe Kuba është një vend, që po transformohet; është perla e Karaibeve’.
Qëndroi një çast si të meditonte dhe shtoi:’Këtu në Kubë ka qenë i përhapur sistemi i shfrytëzimit të argatëve Ja, shikoni Kubanakanin, këtë lagje luksoze të të pasurve, këtu në Havana. Këto vila luksoze, që janë ndërtuar me gjakun dhe djersën e kubanëve të mjeruar, po i kthejmë në shkolla, në kopshte fëmijësh, në spitale e qendra dëfrimi për bijtë dhe bijat e Kubës së lirë. Në këtë lagje kemi ngritur Bekadot, shkolla me ushqim falas, me uniforma dhe pajisje shkollore falas për të gjithë fëmijët e Kubës dhe, sidomos, për mijëra e mijëra fëmijë jetimë dhe të sëmurë. Më kanë thënë se edhe partizanët shqiptarë, kur çliruan vendin nga fashistët gjermanë, kështu kanë vepruar…’. …Ndërsa biseda mes miqsh vazhdonte, në derë u duk një grua trupmadhe, elegante e me pamje fisnike. Ato pak thinja në flokët e saj, të krehura me kujdes si në Buenos Aires, nuk ia fshihnin bukurinë e dikurshme të vajzërisë. Çe Guevara, kur e pa, u habit. Kishte shumë vite pa e parë. Mbase dhjetë vjet. Duke shtrirë duart përpara, i drejtohet, duke e përqafuar me mall: po ti këtu!? Si me gjete?! ‘-Sapo zbrita nga avioni i linjës. Miqtë gjenden kudo. Vij nga Argjentina’-i tha ajo dhe sytë dhe faqet iu mbuluan me lotë gëzimi. Ishte nëna e Çe Guevarës, Celia. Pas kësaj, atmosfera u bë më intime dhe më e ngrohtë. Natyrisht, dhe konjaku Skënderbeu bënte punën e vet. ‘Konjakun e keni mjaft të mirë, ndërsa ambalazhi jo i bukur! Një ambalazh i tillë ua komprometon disi cilësinë, por megjithatë përmbajtja përcakton gjithçka edhe pse me formën është në unitet. Prandaj…’. Me vështrimin e mbërthyer tek një pikturë në mur, vazhdoi:’Shoku Pogaçe(iu drejtua bashkëshortit tim), ju them të drejtën, për vendin tuaj pak gjëra di. Shqipërinë e njoh si një vend të vogël, të vendosur diku në një kënd jugor të Evropës jug lindore. Di që keni bërë një luftë të organizuar partizane dhe jeni duke ndërtuar një shoqëri, ku respektohen njerëzit dhe vlerat e tyre.
-Edhe ne në Shqipëri, – ndërhyn Josifi, e njohim Kubën si një ishull të pasur, njohim vlerat e Revolucionit kuban kundër Batistës, siç njohim edhe vlerat e revolucionarëve të guximshëm kubanë për zhvillimin e vendit… Ndërkaq unë i bëja shoqëri nënës së Guevarës, së cilës i lexohej kënaqësia, që ndjente në koktejin tonë.
Ndërsa Guevara, me shumë vëmendje ndiqte Josifin dhe, pasi thithi puron e pandashme havaneze, ia mbërtheu ato sytë e bukur dhe iu përgjigj:’Shoku Pogaçe, ju thatë që jemi të guximshëm. Po, të tillë jemi. Por nuk duhet të harrojmë se guximtarët në këtë botë janë dy llojesh – ka thënë një shkrimtar i madh. Njeri lloj lind nga zgjuarsia, ndërsa tjetri, nga injoranca. I pari sjellë fitoren, tjetri sjell shkatërrimin. Ne revolucionarët jemi guximtarë, që sjellim vetëm fitore dhe drejtësi sociale…’”. Bisedat me Çe Guevarën ishin gjithnjë të këndshme, jo vetëm për ato çka thoshte, por edhe për mënyrën se si i argumentonte. I thjeshtë në veshje, po aq edhe në mendime. Çe Guevara fliste nga pozitat e njeriut që punonte vetëm për popullin. Tek ai gjeje njëherësh punëtorin dhe udhëheqësin.