Edi Rama ia doli të provokojë një debat real mbi qasjen e liderëve politik ndaj medies, qyshkurse shpalli se është i gatshëm të përballet në çdo TV me gazetarë kritik të tij, dhe të bëjë diferencën me Berishën që po shmang dhe gazetarët më servilë të tij. Më shumë se sa një risi, kjo në të vërtetë është kthim në normalitet dhe më shumë se sa ndihmë për lirinë e shtypit, është lëvizje politike për të fundosur kundërshtarin.
Kundërpërgjigja e Berishës, ishte po siç pritej. Ai kishte zgjedhur t’i shmangej adresimit të medies më servile të tij siç është grupi i Klanit dhe i ishte adresuar një medie mbështetëse të tij, siç është MAPO, e cila është e formatuar si më liberale dhe më e orientuar drejt marrëdhënieve publike se sa shtypit. Shihej qartë se ky gjest i Berishës nënkupton pakënaqësinë e tij ndaj grupit të Klanit, që guxojnë të lejojnë dhe Ramën t’i përdorë, dhe nga ana tjetër krijonte dhe alibinë e mospërballjes me shtypin, nën stilin e udhëheqësit që komunikon direkt me popullin.
Por siç theksova në fillim, ky debat nuk është debat për Ramën dhe Berishën, por debat për median. Fakti që debatin tonë e bëjnë Rama dhe Berisha, tregon se ne kemi vdekur. Ata të dy po diskutojnë si të sillen ndaj nesh, sikur ne nuk ekzistojmë. Nuk ka rëndësi se Rama ka një qasje shumë pozitive dhe të hapur dhe Berisha një qasje alla- Kim Ir Seni, e përbashkëta është se ata po na shpjegojnë se si do sillen ata me ne, dhe ne po e debatojmë këtë si shans apo fatkeqësi tonën.
Në të vërtetë debati sot duhet të ishte si duhet të na përgjigjeshin ata ne. Deformimi i raporteve të medias me politikën, sidomos në dekadën e fundit kur imazhi fitoi mbi fjalën e shkruar, ka nisur me vrasjen e gazetarisë investigative. Postimi i kasetave nga një televizion në tjetrën dhe më pas postimi i nëpunësve të partive në studio është kthyer në biznesin e vetëm të partive politike në vend. Fakti që media këtu është në duar të biznesmenëve dhe ata janë në dorë të politikës, i ka dhënë fund shansit që gazetarët të diktojnë debatin politik, me temat që hapin ata dhe me njerëzit që zgjedhin ata për t’u përballur. Fakti që ne të gjithë sot diskutojmë se Berisha nuk na dërgon njeri në studio dhe Rama na dërgon kë ti dojë qejfi, do të thotë që ne me vetëdëshirë e trajtojmë veten si servis i tyre.
Ajo që media duhet të transmetojë nuk është vetëm çfarë tha Rama dhe Berisha sot, por dhe çfarë fshihet pas asaj që thonë, mbi ç’parime morale po e ngrenë politikën, mbi ç’mundësi po e ngrenë programin, mbi çfarë burimesh financiare po bëjnë premtimet, mbi çfarë kandidatësh po mbështeten, a ka prej tyre me të shkuar kriminale, a duhet të rikandidojë Ilir Meta, i shfaqur duke numëruar milionat tona, a duhet të rikandidojë Fatmir Mediu me 26 të vdekur- plus dy të tjerë më pas mbi shpinë, a duhet t’ia besojmë kauzën e drejtësisë njerëzve që kanë dhënë prova dështimi, etj. Nëse gazetaria shqiptare do të ishte në gjendje të ngrinte këto çështje, as që do kishim kohë të dëgjonim idetë e Edi Ramës dhe Sali Berishës mbi qëndrimet ndaj medias. Fakti që ne nuk bëjmë punën tonë, na ka katandisur aq keq, sa tani po debatojmë idetë e shefave politikë për të ardhmen tonë. Ky është fundi i medias. Është dorëzimi i saj zyrtar para politikës dhe në një farë mënyre fundi i fuqisë sonë për të ndriçuar publikun.
Problemi i dytë që hap ky debat është se edhe pse nuk është i nxitur dhe përballuar nga ne gazetarët, vazhdon të transmetohet në publik pa asnjë filtër. Për shembull, Sali Berisha thotë se ai fton çdo gazetar në takimet e tij dhe është i hapur për çdo pyetje, por në fakt ai nuk fton asnjë gazetar kritik dhe nuk lejon asnjë prej tyre as të afrohet me 100 bodigardë dhe nuk i përgjigjet asnjë pyetje që kërkon informacion prej tij. As këtë fakt nuk arrijmë dot të veçojmë nga gënjeshtrat e Berishës në këtë debat. Vazhdojmë transmetojmë gënjeshtrën e tij si të vërtetë, pa asnjë sqarim, pa asnjë ndriçim dhe plotësim të së vërtetës për publikun.
E treta që dua të theksoj është se debatet televizive të dirigjuara nga partitë politike përmes ofertës së nëpunësve politikë që dërgohen në studio janë përherë e më të shpifura. Ato janë një kurth i madh për opinionin publik, pasi synojnë ta baltosin politikën si hapësirë ku të dy palët duhet të bëhen doemos pis. Audienca artificiale e këtyre debateve është një anti-vlerë. Shqipëria ka sot 15 emisione servile të tipit “Fevziu” dhe thuajse asnjë “hard talk” apo emision investigativ politik, ku qytetarët të sqarohen nga media për politikën. Që media t’i ikë përdorimit të skajshëm propagandistik në këtë fushatë, duhet të kultivojë hard talk në vend të talk show. Duhet të detyrojmë politikën të përballet me gazetarin dhe jo të përdorim një studio ku politikanët të bëjnë teatër pa thënë asgjë. Ky është vazhdim i përdorimit të medies nga politika dhe shkeljes me këmbë të saj.
Mediat e reja, rrjetet sociale, blogjet dhe webtv, nuk na shpëtojnë nga kjo katastrofë. Ato janë vetëm një infrastrukturë që na lehtëson punën tonë kur atë e bëjmë mirë. Por kur e bëjmë keq, siç po e bëjmë, ato thjesht na turpërojnë më shumë dhe më lehtë.
Në këtë histori ka vetëm një debat dhe ai nuk është nëse Rama bëri mirë që u hap me median dhe Berisha bëri gabim që u mbyll. Ky është problemi i tyre. Problemi real është nëse ne do gënjejmë shqiptarët kush është Rama dhe Berisha duke folur me gojën e tyre, apo do flasim me gjykimin tonë. Kjo është sfida.