De-kriminalizimi i parlamentit quhet komedia e fundit…Revolucionarë profesionistë, ç’ti thuash! Injoranca, zanat i çuditshëm…
Kësaj here magjia është e fshehur në rrokjen –de-. Afishimi i kriminelëve e më pas filmi i parlamentit të de-kriminalizuar dhe kinemaja plot! Dhe mendo, e gjitha kjo veçse me fuqinë e zezë të rrokjes –de-!
Deformim – formim, i degraduar – i graduar; degjenerim – gjenerim; devijim- vijim!
Ç’do të thotë krim për ju të dashur parlamentarë?! Si e përkufizoni, dhe bëmat e krimit si dallohen nga terrori? Vjedhja, dhuna, vrasjet, trafiqet, prostitucioni, genocidi, mashtrimi, korrupsioni, poshtërimi, manipulimi, abuzimi…? Si renditen dhe kush do t’i vërë mbi peshore në përfundim?! Gjyqtarët? Ata që i zgjodhët vetë Ju me kartona “jeshilë”?!
Ashtu si keni nisur përpjekjen për t’i gjetur e dënuar kriminelët e komunizmit të 70 viteve më parë, pse të mos keni të njëjtin vullnet për t’i zbuluar edhe këta të pluralizmit?! A ka ku të rrijë kjo? A është e ndershme?
Përkufizoni ju lutem kuptimin e krimit!
Për djalin tim, gjella me presh në kopësht është një akt kriminal p.sh.
Betonizimi i parkut të liqenit për harabelat është një krim vrastar… po për ju?
Fjala vjen, kur eci me gruan në rrugën e Fortuzit më duket vetja sikur jam një prej balerinëve në Koncertin e Vjenës dhe e dini pse? Sepse kriminelët kanë mbjellë pemë në mes të një trotuari një metër të gjerë dhe çdo 20 metra ia lëshojmë dorën njëri-tjetrit sa të kalojmë trungjet me rradhë! Ja një krim sa qesharak, aq edhe i rrënjosur.
Dhe…
A është kryekëput një sistem kriminal ky, i cili të lejon të zgjedhësh dhe ta ndalon të zgjidhesh?!
Mirë, ta zemë se deri këtu e kisha unë gabim, ma përkufizoni atëherë se ç’nënkuptoni me demokracinë. Si e përkufizoni? Është gjë që hahet, pihet, apo është një lloj mbulese që pengon t’ju duken pjesët e turpshme të mendësisë, shpirtit e trupit tuaj?!
Uluni veç e veç dhe shkruani ç’do të thotë demokraci për ju… madje edhe kopjoni po të doni.
Nuk e bëni dot, sepse keni frikë mos ju del në pah mendësia e njëjtë me presidentin Putin… instalimi i autokracisë, diktatit, plutokracisë nga kryeplaku deri te Presidenti.
Me një dallim thelbësor, Ai -Putini- të paktën nuk fshihet pas termave si demokraci, liri, shtet i së drejtës, integrim, anëtarësim, liberalizim etj…dhe ndjek ndershmërisht rrugën e tij të gabuar.
Pra…
Një sistem i cili të lejon të zgjedhësh dhe të pengon të zgjidhesh quhet veçse mokraci, të dashur parlamentarë… dhe deri sa ti vihet rrokja de përpara mokracisë suaj, çdo përpjekje do kthehet në një komedi banale!
Demokracia mbetet, mbi këdo dhe mbi gjithçka, forca e dijes që i jep drejtim çdo kthese dhe gris çdo perde të shfaqjeve të turpshme!
Demokraci= qeverie e zgjedhur nga populli dhe populi shpreh ndaj saj problemet qe ka pa pasur nevoje per ndermejtes.
Krim= dhunim i te drejteva ndaj ligjeve njerezore. thyerje ligji etj…
Me sa duket populli, qeveritaret, zyrtaret, apo cdo njeri qe ben pjese ne administraten e Qeverise sone, mmajtas apo djahtas fjalen demokracy dhe krim o nuk edi fare ose bejne sikur nuk e dine. Pra nuk don apo nuk dine !. Publicisti i sjell ne kohen e tashme dhe me kembe ne toke ata te cilet kerkojne tja shperndajne vemendjen popullit ne vittet 70.
I ben nje rifreshkim per tju kujtuar gjuhen Shqipe, jep shembuj te problemeve qe hasim per dite. Ironizon, analizon jep shembull…me andej shfaq pa doreza situaten e qe shohim..por qe nuk guxojme te tregojme cfare vertete shohim.
Mesa duket rrokja DE qenka aq e madhe per parlamentartet saqe atyre ju duhet nje stervitje me pengesa dhe deri sa ajo stervitje te mbaroje cdo gje eshte kthyer ne komedi Banale..pse deri tashme nuk eshte banale???!!!
Nje shkrim i drejt per drejt i Publicistit eshte dhe nje thirrje per ata te cile u zgjodhen me Kartona Jeshil.
Me Qarte ! Me Drejte per Drejt ! Me Thjesht nuk ka !
Ndoshta ketij artikulli do i mungonte si shtese vetem ndonje veper Shekspiriane.