Pas 100 vjet pavarësi më së fundmi u shfaq edhe një njeri në krye të shtetit i cili udhëton me autoblind apo të vishet me antiplumb. Në shekullin 21 asnjë nga liderët botëror nga Kuba në Kinë nuk shfaqen kurrë në pamje të tilla. Në pamjet dhe lajmet që përcillen nga Shqipëria vërtet ka rrethana të një lufte të ftohtë. Liderët nuk takohen prej vitesh dhe duhen qindra negociatorë të huaj që të bindin drejtuesit e shtetit dhe politikës t’i shtrëngojnë dorën njëri tjetrit, ndërsa vrasjet dhe plagosjet arrijnë shifrat e Afganistanit, tensioni dhe akuzat reciproke të palëve janë në nivelet më të larta. Në këtë amulli në mënyrë paradoksale shfaqet njeriu me antiplumb i cili hap sezonin turistik duke bërë thirrje shtetasve të huaj që të frekuentojnë Shqipërinë. Pas një zvarritje dhe skenari mediatik të qëndisur, kryeministri më së fundmi zgjodhi edhe presidentin e ri të vendit. Tre muaj më parë në retrospektiv, mediat pranë qeverisë dhe kryeministrit lëshuan skifterët e analizave dhe debateve mediatike për të lançuar emrin e ish-kryeministrit Nano si një nga kandidaturat më të mundshme për të qenë president i vendit.
Për dy muaj iu përgatit një axhendë groteske qokash politikanësh ku të gjithë kanalet televizive transmetonin haberet e kafeve me “sheqer apo pa sheqer” të ish-kryeministrit të sapo kthyer nga Viena. Skenari kishte sigurisht të njëjtin regjisor, njeriun me antiplumb i cili dëshironte të fuste një kandidaturë politike të majtë për të legjitimuar më pas futjen e një nga drejtuesve politikë të PD në garën presidenciale dhe ta justifikonte zgjedhjen politike. Ndër të tjera karikimi i Nanos si kandidat do të arrinte të ndizte rivalitetin e kahershëm mes Ramës dhe Nanos. Ambasadorët e huaj, por dhe të dërguarit e Brukselit hidhnin e prisnin ndonjë mesazh tangent për konsensus por duke bërë të qartë se do të njihnin në fund çdo zgjedhje kushtetuese. Skenari i njeriut antiplumb do të vazhdonte me futjen e dy kandidaturave të një pas njëshme jashtë politikës por që në bindjen e tij kur nuk do t’i votonte, por do të mjaftonte fakti që kreu i opozitës Rama të refuzonte emrat jo politikë të Zaganjorit dhe Hoxhës sepse në vetvete ai e kishte të qartë skenarin përfundimtar.
Nxjerrja para kohe e emrave të kandidatëve politikë do të ngjallte reaksion dhe presion ndërkombëtar si dhe do ta nxirrnin Berishën që nuk ka vullnet për dialog. Skenari duhet të ndodhte ndryshe që të bindeshin ndërkombëtarët që është ai i hapur për konsensus dhe për kandidatura jashtë politike, por ata nuk i do as opozita por edhe u tërhoqën.
Kandidaturat politike duhet të dilnin ditën e fundit madje orën e fundit ku PD të kërcënohej me zgjedhje të parakohshme dhe deputetët me mandatin që mund ta humbasin një vit para kohe e që s’mund ta fitojnë sërish. Ndër të tjera kandidaturat politike të minutës së fundit i hiqnin çdo mundësi ndërkombëtarëve për të ndërhyrë. Debati për tre muaj u përqendrua tek emrat dhe jo tek arsyet që pse kryeministri e kërkon në çdo formë kontrollin mbi presidencën, KLD, Prokurori, SHISH, Gjykata, Këshilli i Sigurisë, emërimi i ambasadorëve etj. Koalicioni qeveritar u rreshtua si repart ushtarak dhe çdo iluzion për ndarje është i kotë pasi interesat personale dhe partiake si gjithmonë treguan se janë mbi ato të Shqipërisë.
Ish-komunisti i fundit në Evropë ka vendosur hegjemoninë politike mbi shtetin nën parimin parti-shtet. Analizat nuk po munden të largohen nga kandidatët që u dorëhoqën apo nga zoti Nishani që sot është Presidenti i Shqipërisë. Ata nuk janë e keqja e procesit apo e sistemit. Demokracia parlamentare shqiptare ka një armik i cili ka emrin e atij që vishet me antiplumb dhe nuk e imagjinon largimin në rrugë paqësore dhe me zgjedhje të lira nga pushtetit. Ai ka humbur lirinë e tij dhe ka bindjen që nuk mund të rikthehet në jetën e dikurshme. Për këto arsye ai kërkon kontrollin mbi institucionet, pushtetet, mediat, shoqërinë civile, pasuritë kombëtare, privatizimet, prokurimet, koncesionet dhe burimet njerëzore. Sikur të mos mjaftonte kaq, do ai ende shpreson se mund të shtiret si patriot apo lideri i duarve të pastra. Ruajna o Zot se kush e di ç’tjetër ka ndër mend.