Iku dhe vera me gjithë debatet e mëdha për turizmin në Shqipëri. Si çdo vit, u ankuam, bërtitëm, u zumë e kërleshëm nëpër studio televizive, u mburrëm, rrahëm gjoksin, mbushëm faqe gazetash me problemet, mrekullitë, promovimet etj., etj. Me një fjalë, ia bëmë të gjitha adetet dhe i vumë kyçin të “fermentohen” deri për vitin tjetër.
Ajo që të bie në sy mes gjithë kësaj zallamahie është që për plazhin e Golemit nuk flitet më. Ai është bërë sinonim i ndotjes, pisllëkut, makutërisë së biznesit, betonizimit… Duket sikur ka një lloj konsensusi të përgjithshëm që ai plazh nuk bëhet më dhe dëmi është i pariparueshëm. Dhe këtu debati mbyllet. Pse?
Me sa duket dikush ka vendosur që ta lërë këtë zonë të vdesë. Po këtu nuk është fjala vetëm për turistët sezonalë. Plazhi i Golemit për shumëkënd në Tiranë e Kosovë përfaqëson një copë ëndërr. Ëndrrën e një shtëpie pushimi në det 25 minuta nga Tirana. Me këtë ëndërr dhe me një shumë parash bajagi të mira, shumë familje shqiptare blenë apartamente në bregdetin që fillon nga shkëmbi i Kavajës e shtrihet deri tej. Megjithëse që në fillim u pa se kishte shume probleme, njerëzit bënin sikur nuk i shihnin dhe i gëzoheshin ëndrrës. Ato fillonin me ujin e pijshëm, mungesën e dritave, mungesën e mjediseve të gjelbra, por sidomos kanalizimet e ujërave të zeza që bënin atë zonë të plazhit të papërdorshme. Ka shumë pyetje që mbeten pa përgjigje edhe këtë verë, ndërkohë që shtëpitë vazhdojnë të jenë aty, si dëshmi kokëfortë sesi një ëndërr mund të kthehet në makth nga papërgjegjshmëria e njerëzve dhe indiferenca selektive e shtetit.
Letër e nënshkruar: Valbona Sulce