Situata emergjente që synoi të zgjidhte akti normativ, rezulton të jetë kthyer në situatë emergjente për një numër të madh individësh apo familjesh qiramarrëse, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, gjë që kërkon veprim të shpejtë dhe të koordinuar mirë, të të gjitha institucioneve përgjegjëse shtetërore. Ky është shqetësimi i ngritur nga Avokati i Popullit Igli Totozani në rekomandimin e tij drejtuar Këshillit të Ministrave. Qindra ankesa nga individë të ndryshëm rezultojnë të jenë bërë lidhur me efektet e zbatimit të Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave nr.3 datë 1.08.2012, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish pronë e subjekteve të shpronësuara”. Probleme ka sjellë edhe fakti se BKT ka kritere të caktuara për të dhënë kredi dhe shumë prej personave qiramarrës nuk i përmbushin aspak kushtet e saj, duke mbetur kështu pa zgjidhje.
Në rekomandim thuhet se më parë Avokati i Popullit i kishte sugjeruar Kuvendit se në këtë akt kishte elemente që nuk përputheshin me Kushtetutën e megjithatë, një gjë e tillë nuk ishte marrë parasysh. Por një gjë e tillë ka ngritur probleme të mëdha pasi rreth 4400 persona gjenden aktualisht pa zgjidhje për problemin e tyre të strehimit. Gjithashtu, rezulton se edhe bashki të caktuara i janë drejtuar Avokatit të Popullit duke kërkuar bashkëpunim për zgjidhjen e gjendjes së krijuar, pasi nuk kanë mundësi reale për sistemimin e tyre në banesa sociale me qira.
Rezulton se akti normativ ofron këto mënyra me anë të të cilave, do të realizohet strehimi i këtyre subjekteve:
1. Kreditim nga ana e Bankës Kombëtare Tregtare, në kushtet deri në 30 vjet, me 0% interes.
2. Trajtim me strehim në banesa sociale nga këshillat bashkiakë, duke pasur përparësi në programet e banesave sociale për qira.
3. Për persona të moshuar, të paaftë të kujdesen dhe pa persona të tjerë në ngarkim, kur nuk dëshirojnë, me deklarim me shkrim, sistemim me qira apo, sipas verifikimit të kryer, janë të paaftë të kujdesen për vete, bëhet sistemimi me strehimin e tyre në qendrat e përkujdesjes për moshat e treta.
Por ndërkohë, ankesat e paraqitura nga familjet qiramarrëse pas hyrjes në fuqi të aktit normativ, kanë nxjerrë në pah disa probleme konkrete:
Një pjesë e mirë e këtyre familjeve qiramarrëse, ankohen se, në gjendjen e tyre aktuale edhe pse kane aplikuar prane BKT-së për të marrë kredi me 0% interes, sikurse parashikon akti normativ, nuk kanë mundur ta përfitojne atë, pasi, sipas bankës, nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e kësaj kredie.
Këto familje ankohen se, megjithëse kanë aplikuar për trajtim me banesë sociale, jo vetëm nuk kanë përfituar një trajtim të tillë, por edhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e bashkive respektive, për këtë problem.
Bashki të caktuara (sikurse Bashkia Kuçovë), kanë kërkuar ndihmën e Avokatit te Popullit me kërkesa konkrete, për të mundësuar trajtimin me banesa, apo kredi të këtyre familjeve, pasi ato vetë nuk disponojnë mundësi financiare, apo banesa sociale, për t’í trajtuar familjet përkatëse qiramarrëse sipas parashikimeve të aktit normativ.
Nga ankesat e paraqitura në institucionin tonë gjatë gjithë kësaj periudhe, veç të tjerash rezulton se, një pjesë jo e vogël e këtyre familjeve qiramarrëse kanë në përbërje të tyre, individë invalidë, shpeshherë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, individë të papunë, individë pensionistë pa asnjë përkrahje tjetër, apo edhe ish-të dënuar politikë të regjimit komunist, pa përjashtuar familjet ku të ardhurat që merren në krahasim me numrin e pjestarëve përbërës, janë minimale.
Sipas Avokatit të Popullit, po rezulton i vërtetë fakti se nxjerrja e aktit normativ nuk është bazuar në një studim paraprak të mirëfilltë të gjendjes dhe numrit të familjeve qiramarrëse, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, si dhe të mundësive reale për trajtimin e tyre me strehim.
Bashkitë që nuk kanë asnjë fond për qiramarrësit
Duke bashkëpunuar edhe me shoqërinë civile, për të arritur në një konkluzion sa më real për gjendjen e krijuar dhe rrugët e mundshme të zgjidhjes së saj, së fundmi, jemi vënë në dijeni për korrespondencën që Qendra “Res Publica”, ka pasur me një sërë bashkish në vend, për këtë problem.
Sipas kësaj korrespondence, rezulton se, Bashkia Berat ka konfirmuar me shkresën nr.2001/1 datë 9.11.2012 se, nuk ka përfituar asnjë fond të posaçëm nga buxheti i shtetit, për zbatimin e efekteve të Aktit Normativ nr.3 datë 1.08.2012. Nuk ka planifikim për ndërtim banesash, pasi ka mungesë fondesh dhe se aktualisht kjo bashki nuk disponon asnjë apartament të lirë.
Bashkia Shijak, me shkresën nr.876/1 datë 7.11.2012, konfirmon se nuk ka përfituar asnjë fond të posaçëm nga buxheti i shtetit, për zbatimin e efekteve të Aktit Normativ nr.3 datë 1.08.2012. Nuk ka planifikim për ndërtim banesash, pasi ka mungesë fondesh dhe se, aktualisht kjo bashki disponon vetëm 2 banesa sociale, ndërkohë që numri i qytetarëve në pritje për të përfituar një banesë të tillë është 295, pa përfshirë këtu numrin e qiramarrësve në banesa ish-pronarësh.
Bashkia Çorovodë, me shkresën nr.1072 datë 1.11.2012, konfirmon se nuk ka përfituar asnjë fond të posaçëm nga buxheti i shtetit, për zbatimin e efekteve te Aktit Normativ nr.3 datë 1.08.2012. Nuk ka planifikim për ndërtim banesash, pasi ka mungesë fondesh dhe se aktualisht kjo bashki nuk disponon banesa sociale.
Bashkia Vlorë, me shkresën nr.2929 datë 5.11.2012, konfirmon se nuk ka përfituar asnjë fond të posaçëm nga buxheti i shtetit për zbatimin e efekteve te Aktit Normativ nr.3 datë 1.08.2012. Edhe pse është hartuar një program 10-vjeçar për strehimin social, nuk ka planifikim për ndërtim banesash, pasi ka mungesë fondesh dhe si shkak tjetër citohet mosregjistrimi i pronave të Bashkisë. Aktualisht kjo bashki nuk disponon banesa sociale për t’i vënë në dispozicion të kësaj kategorie të pastrehësh.
Bashkia Pogradec, me shkresën nr.756/1 datë 31.10.2012 konfirmon se nuk ka përfituar asnjë fond të posaçëm nga buxheti i shtetit, për zbatimin e efekteve te Aktit Normativ nr.3 datë 1.08.2012. Ka mungesë fondesh për ndërtim dhe se nuk ka në dispozicion banesa sociale.
Bashkia Gjirokastër, me shkresën nr.2503/1 datë 31.10.2012, konfirmon se Bashkia Gjirokastër nuk ka përfituar fonde për ndërtim banesash për këto familje, si dhe nuk ka planifikuar fonde në buxhetin e saj për strehimin e familjeve të kësaj kategorie.
Së paku për rastet që janë paraqitur në institucionin e Avokatit të Popullit, evidentohet se megjithëse akti normativ parashikon trajtimin e qytetarëve të pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, me kredi me 0% interes apo me banesa sociale që do t’u jepen nga qeverisja vendore, efektivisht kjo gjë në kushtet aktuale rezulton të jetë e pamundur.
Aq më tepër, evidentohet si e parealizueshme, mënyra e sistemimit të të moshuarve, të paaftë të kujdesen dhe pa persona të tjerë në ngarkim, në qendrat e përkujdesjes për moshat e treta, sipas shifrave që zyrtarisht jepen për këtë qëllim nga ministria e linjës.
Nisur nga një vlerësim objektiv i situatës faktike, është e kuptueshme se përmbajtja e dispozitave të Aktit Normativ nr.3 datë 1.08.2012, nuk është bazuar në një analizë të mirë të gjendjes së subjekteve që, afektohen nga zbatimi i aktit, gjë që çon në konkluzionin se kjo përmbajtje krijon premisë për shkeljen e të drejtave të tyre.
Zgjidhjet e propozuara
Në këto kushte, vlerësojmë se dy janë zgjidhjet që duhet t’u ofrohen individëve apo familjeve qiramarrëse të pastreha, banuese në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara:
1. Kreditimi me interes 0 %, me shumën përkatese të të hollave për përfitimin e një banese në tregun e lirë, direkt nga ana e shtetit, në favor të tyre, pa kaluar në procedurat bankare, sikurse parashikohet aktualisht në legjislacionin specifik në fuqi, ose daljen garant nga ana e shtetit, për shumën e kredisë që do të përfitohet në këto kushte nga ana e aplikuesve në BKT.
2. Alokimi sa më i shpejtë i fondeve të mjaftueshme nga buxheti i shtetit, Bashkive përkatëse, për ndërtimin e banesave sociale me të cilat, do të trajtohen me përparësi individët, apo familjet qiramarrëse të pastreha, banuese në banesat ish pronë e subjekteve të shpronësuara, sipas kërkesave specifike të bashkive.
Është e kuptueshme se realizimi i këtyre zgjidhjeve kërkon ndryshim dhe përmirësim të legjislacionit ekzistues specifik që rregullon këto çështje apo në rastin më të mirë nxjerrjen e një akti tjetër normativ nga ana e Këshillit të Ministrave, që do të adresonte dhe rregullonte këtë problematikë, e cila po rezulton emergjente.
Avokat, njerzit po flene ne rruge, si do ti zgjidhesh keto fatkeqsi qe shkaktoi pisi Berisha.
E verteta e kredise eshte se edhe kur i ploteson kushtet e bankes ajo nuk te jep me shume se 1.800.000 lek ,pasi kaq e ka caktuar qeveria .Pra cdo qiramares i ketyre banesave me keto leke mund te bleje vetem nje WC ne tregun e sotshem,pra nje WC normale se po te jete klozeta e tipit “Berisha ” ose “Meta” pra XX…L nuk e ble perseri dot me kete kredi.Tallje by…e me keta fukarenj.dhe nga kush nga nje shpellar bashkuar me nje hamall fshatar.O zot ne duart e kujt ka rene ky popull.