Kryeprokurori Adriatik Llalla i hap rrugën procesit për hetim ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, në lidhje me dosjen e korrupsionit dhe abuzimit me fondin 1 miliard lekë të reklamave për dy televizione publike, me tender selektiv. Kreu i organit qendror të akuzës, pas kthimit nga Anglia, urdhëroi dje nisjen e verifikimeve për dosjen e deputetit Imami, pas kallëzimit penal nga Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar nga Mimi Kodheli. Prezenca e Lallës ishte e domosdoshme, pasi sipas ligjit kryeprokurori duhet të jetë i pranishëm në momentin që shqyrtohet materiali kur i denoncuari është një ligjvënës. Por gjithsesi dosja nuk quhet e regjistruar ende, pasi ka një afat deri në 30 ditë për shqyrtimin e materialit dhe përcaktimin nëse do kryhet procedim penal apo nëse ka elementë të veprës penale.
Procesi
Burime nga organi i akuzës bënë me dije se është ngritur një grup pune me 4 prokurorë dhe me kreun e Prokurorisë së Përgjithshme që do mbikëqyrë punën. Gjithashtu do të jenë edhe dy oficerë ndihmës për verifikim të materialeve në dosjen me 220 faqe. Grupi do bëjë shqyrtimin nëse 3 akuzat e ngritura nga Ministria e Mbrojtjes qëndrojnë dhe më tej do procedohet me regjistrimin e procedimit penal dhe nisjen e hetimeve konkrete. Përgjatë këtij afati do përcaktohet nëse dosja do të hetohet penalisht me akuzat “shpërdorim detyre”, “shpërdorim fondesh” dhe “shkelje e pabarazisë në tendera”, ku të akuzuar përveç Imamit janë këshilltari për mediat, Mentor Beqa, drejtori i Shërbimeve Mbështetëse, Shkëlqim Berisha, shefja e Logjistikës, Nilka Sina dhe nëndrejtori i Qendrës Kulturore të Botimeve, Sokol Neziraj. Por shqyrtimi mund të mbyllet edhe në afat më të shkurtër dhe të kalojë direkt për regjistrim dhe procedim penal ndaj ministrit dhe vartësve. Ose të pushohet për mungesë të elementëve penalë.
Denoncimi
Në një deklaratë për mediat, Kodheli ka theksuar se, “nuk kemi të bëjmë me një kallëzim të zakonshëm, por me një padi të mirëargumentuar nga ana e ekspertëve që kanë shqyrtuar situatën e gjetur në institucion e nga e cila rezultoi se përgjegjësit duhet të përgjigjen para ligjit”. Flitet për tenderin e reklamave me vlerën 1 miliard lekë, 3 spote dhe 3 dokumentarë me fonde të lëvruara me tender preferencial dhe jo publik për 2 televizione po të përzgjedhura. Imami akuzohet se ka anashkaluar procedurat dhe dhënë urdhra abuzivë. Gjithashtu hetohet për destinacionin e një pjese të këtyre parave, pasi dyshohet se nuk kanë shkuar për mediat. Ky fond është lëvruar nga një repart ushtarak në muajin maj, pak para zgjedhjeve të përgjithshme. Vetë Imami mohoi që të ishte i përfshirë, duke e quajtur akuzën një sulm personal.
nendetsja 205 po noton pa u lagur nga dhalla e kosi…..çfar pret qeveria ndonje lompromist
.Apo ndo nje loje per ti terhequr vemendjen populli kujdes mos u tallni me popullin…