Asnjë forcë politike, për më tepër e frymëzuar nga ideale të majta, nuk mund të jetë në dilemë se cilën pjesë të shoqërisë të mbështesë me programin dhe strategjitë e saj. Në një shoqëri si e jona, duke patur parasysh momentin historik dhe gjendjen ekonomiko-sociale, një forcë progresiste e ka mëse të qartë të zgjedhë kë pjesë të shoqërisë të mbështesë. Themi e qartë, sepse është evidente që në Shqipërinë tonë shtresa e mesme dhe fshati përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë. Atë shumicë që, përtej kategorizimeve sociale, lëngon nën trysninë e një pushteti të shpërfytyruar tashmë në një shprehi të vullnetit cinik dhe sadist të një grupi të vogël njerëzish.
Nisur nga ky fakt, qesharake duket tentativa për të ndjellë në mendjet e shqiptarëve kujtime dhe fantazma të së kaluarës, me akuza ndaj qasjes që opozita ka kundrejt çështjes ekonomike dhe sociale. Por është gjithsesi e kuptueshme që kjo është gjuha e një populizmi shterpë, i cili, nisur nga vetëdija që nuk ka as përmbajtje e as zgjidhje reale për të propozuar, zgjedh rrugën e shkurtër të hedhjes hi në sytë e qytetarëve shqiptarë.
Të bësh politikë reale, të bësh politikë ndryshe për shqiptarët, do të thotë të njohësh problemet e tyre dhe t’u japësh zgjidhje duke u nisur nga një qasje e mirëstrukturuar dhe programatike, me strategji të qartë për të nesërmen. Të bësh politikë reale do të thotë të zgjedhësh kë do të përfaqësosh dhe ta përfaqësosh atë pa kurrfarë druajtje në debatin publik.
Të flasësh për taksën progresive, të kërkosh heqjen e taksës të biznesit të vogël, të propozosh unifikimin e administratës fiskale në Shqipërinë e “tranzicionit politik”, do të thotë qartësisht të mbështetësh atë pjesë të shoqërisë që përbën dhe thundrën, tabanin e saj. Shtresa e mesme, kudo që ajo jeton, në qytetet e mëdha apo në provincat shqiptare, është ajo pjesë e shoqërisë që me dinamizëm gjithnjë ka luftuar për një jetë më të mirë me ndershmëri. Këta, bashkë me fshatin, përfaqësojnë njerëzit që punojnë dhe jetojnë falë punës së tyre.
Kjo pjesë e shoqërisë është e lidhur ngushtë, dhe ky është fakt, me atë kategori të biznesit që ne quajmë biznesi i vogël. Janë prindërit, motrat dhe vëllezërit tanë që kanë investuar kursimet e një jete, të ardhura si rrjedhojë e emigrimit apo të vëna mënjanë në kohë, në një aktivitet ekonomik ku të punësuar janë vetë ata dhe familjet e tyre.
Këto biznese në realitetin ekonomik shqiptar të sotëm, në shumicën e rasteve, janë si ato kështjellat-fortifikime në shkretëtirë, oaze që garantojnë mbijetesën e familjes shqiptare. Ja në çfarë i ka katandisur furia e privatizimeve klienteliste që e kanë shpërfytyruar ekonominë shqiptare nga një hapësirë mundësish për të gjithë, në një bahçe apo oborr për pushtetin dhe të përkëdhelurit e tij. Këto kështjella të vogla në këtë shkretëtirën tonë ekonomike neoliberale, janë tashmë nën presionin e një sulmi të paimagjinueshëm dhe që po i çon rishtazi drejt falimentimit.
Në shkretëtirën neoliberale, ose siç e quan ndryshe Kryeministri, në mrekullinë ekonomike shqiptare, individi, ai që të vetmin pushtet ka votën dhe mendimin e tij, është i braktisur dhe i vetëm përpara furisë të pushtetit të korruptuar. Barra fiskale e padrejtë dhe gjobvënia e llojit mafioz aplikuar nga administrata shtetërore ndaj kësaj kategorie të biznesit si formë punësimi parësore për shqiptarët, përfaqësojnë padrejtësitë më të mëdha të qeverisjes Berisha në këtë tetëvjeçar.
Braktisja e individit shqiptar nga ana e shtetit është akoma dhe më evidente nëse i kthejmë sytë nga fshati shqiptar. Fshatarit në vitet ’90 iu dorëzua një tokë e parcelizuar, e fragmentarizuar në mënyrë të paqartë, pa ndonjë studim të veçantë dhe në mungesë të politikave agrare të nevojshme në këtë drejtim, me tituj pronësie në shumicën e rasteve akoma për t’u vërtetuar.
Fshati në shkretëtirën neoliberale berishiane është një humnerë ku po ndodh dhe zhvillohet tragjedia e vërtetë e tranzicionit shqiptar, ndodhi mbi të cilat na informon kronika e këtyre ditëve. Familja shqiptare në fshat po pëson goditjet më fatale. Kriza financiare që po kalojnë fqinjët europianë, ulja e remitancave si rrjedhojë e papunësisë në rritje në rradhët e emigracionit shqiptar në këto vende, është duke na shpalosur situatën e vërtetë në të cilën gjendet fshati shqiptar.
Mungesa e ndërhyrjeve në sistemin e kanalizimeve dhe sistemin e ujitjes, idrovoret, ndërhyrje që gjithsesi nuk mund të përballohen përveçse nga vetë shteti, e kanë lënë tokën shqiptare të djerrë, në mos duke u kënetizuar përsëri. Mungesa totale e subvencionimeve shtetërore në mbështetje dhe të iniciativave të pakta të suksesshme në këtë drejtim është e turpshme.
Pra kurrfarë mëdyshje nuk mund të ketë se kë dhe pse duhet të mbështesë një forcë politike që synon të qeverisë vendin në vitet e ardhshme. Përtej fitores elektorale, puna që kërkohet në mbështetje, në shërimin dhe shëndoshjen e shtresës së mesme dhe të fshatit shqiptar është kolosale. Shkretëtira neoliberale, pra mrekullia ekonomike e këtij tetëvjeçari berishian e ka drobitur e torturuar shqiptarin duke e lënë atë akoma peng të nevojave më bazike.
Ky shqiptar nuk është një individ i lirë dhe i shëndetshëm as në terma socialë dhe as në terma ekonomikë. Ky shqiptar lufton çdo ditë për të mbijetuar dhe as që e di ku e ka shtëpinë mrekullia neoliberale.
Ky është shqiptari që duhet mbështetur e ndihmuar sepse vetëm ai mund të prodhojë diçka të shëndetshme për shoqërinë shqiptare dhe për të ardhmen e saj. Ky duhet të jetë aleati i vetëm i shtetit shqiptar të zhveshur nga petku i një pushteti të personalizuar, që sot i shërben plotësimit të tekave të një klase të përzgjedhurish, të cilët po përvetësojnë me babëzi të mirat publike dhe frutet e ekonomisë shqiptare.
Mrekullia neoliberale berishiane është një shkretëtirë dhe oazet e pakta të mbetura ose po privatizohen ose po dhunohen në heshtje. Mrekullia neoliberale berishiane është një makth dhe kaq.