Denoncimi vjen nga “Humans Rights Watch” që bën përgjegjëse qeverinë e presidentit Felipe Kalderon. Gjatë presidencës së tij janë regjistruar 25 mijë raste zhdukjesh. Organizata e të drejtave të njeriut ka hetuar vetëm 249 raste dhe në 149 prej tyre shihen si të përfshira forcat e sigurisë meksikane
“The Guardian” na njeh me historinë e qytetarëve të Meksikës, të zhdukur nga policia e këtij vendi. Organizata jofitimprurëse që monitoron të drejtat njerëzore në të gjithë botën, “Humans Rights Watch”, ka denoncuar përfshirjen e forcave të rendit në 149 raste zhdukjesh dhe i ka kërkuar presidencës meksikane që të reformojë sistemin e drejtësisë. Ajo që po ndodh në Meksikë përfaqëson emergjencën më të rëndë të zhdukjeve të banorëve gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, në Amerikën Latine, të cilat kanë lidhje me luftën kundër trafikut të drogës.
Por midis të ‘humburve’ janë bashkëshortë dhe baballarë familjesh të pafajshëm, të cilët, në mes të natës janë marrë me dhunë nga subjekte që mbanin veshur uniformën e ruajtësve të rendit, e që nuk u kthyen kurrë. Sipas “Humans Rights Watch”, ekzistojnë pretendime të motivuara për ekzekutime pa gjyq dhe ky fakt përbën një nga dhunimet më flagrante të të drejtave të njeriut. Reputacioni i forcave të sigurisë meksikane, që shpesh janë treguar të paafta për të luftuar kriminalitetin, është njollosur edhe më shumë.
Fryt i presidencës së Kalderonit
Nga Shtetet e Bashkuara vijnë kërcënimet se nuk do të dërgohen më ndihmat prej miliona dollarësh nëse nuk merren masat për të tuteluar të drejtat njerëzore në këtë vend. Kongresi amerikan, vendosi që Meksika të ishte destinacioni i 2 miliardë dollarëve ndihma nga marrëveshja e sigurisë, e arritur midis SHBA-së dhe Meksikës në 2007-n. Por, 15 për qind e këtyre parave u “bllokuan” dhe do të bëhen të disponueshme vetëm në momentin kur të jetë vërtetuar përmirësimi i çështjes mbi të drejtat e njeriut në Meksikë. Raporti i organizatës shpjegon se 249 rastet e ekzaminuara përfaqësojnë një mostër tepër të vogël nga 25.000 rastet e zhdukjeve gjatë presidencës së Felipe Kalderonit, që nga koha e ofensivës kundër karteleve të drogës që daton në vitin 2006.
Policë në vend të gangsterëve
Gjatë kësaj periudhe kanë vdekur 60 mijë persona për shkak të dhunës në konfliktin midis shtetit dhe narkotrafikantëve. Siç u tha më sipër nga 249 rastet e hetuara, në 149 prej tyre, përfshihen forcat e sigurisë. Këtu është fjala për persona në gradat më të ulëta në detyrë dhe me paga të mjerueshme që shpesh shndërrohen në gangsterrë. Autori i studimit, Nik Steinberg, thotë se këto numra janë përgjegjësi e qeverisë së Kalderonit, i cili është përpjekur të fshehë problemet që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut. “Administrata ka filluar ta pranojë problemin, por është e nevojshme të dihet nëse ekziston vullneti për të vepruar dhe për ta ndaluar këtë masakër”, thotë Steinberg. Por ndodh edhe që herë pas here anëtarë të karteleve të ndryshme të vishen si policë për të organizuar rrëmbimet e armiqve. Madje, për të maskuar operacionet e tyre përdoren edhe automjete të rreme policie.
E përfshirë në rrëmbime është edhe marina meksikane, trupat e së cilës deri më tani ishin vlerësuar si më “profesionalet” dhe më pak të goditurat nga skandalet në vendin amerikanoqendror. Midis qershorit dhe korrikut të 2011-s, trupat detare kryen një seri bastisjesh në shtëpitë e tri shteteve meksikane, duke marrë më shumë se 20 të dyshuar dhe duke i lënë në paraburgim. Por, nga ata u humb çdo gjurmë. Ashtu si viktimat e tjera, edhe këta u morën në mënyrë të dhunshme nga shtëpitë e tyre. Kur familjet i kërkuan iu tha që nuk kishte pasur kurrë ndonjë aksion policie mbi ta, por familjarët kanë qenë dëshmitarë në momentin e ndërhyrjes së forcave të policisë.
Përgatiti: Dorina Gjuzi