Është kuptimplote kur ditëlindjet e njerëzve me kontribute shoqërore festohen nga komuniteti, sikundër veproi Shkolla e Artistike “Feim Ibrahimi” e qytetit të Gjirokastrës për 75-vjetorin e lindjes të “Mjeshtrit të Madh”, ish-mësuesit të shkollës, Roland Çene. Në shenjë nderimi dhe mirënjohje për punën dhe krijimtarinë 60-vjeçare në pasurimin e jetës kulturore dhe shpirtërore të banorëve të qytetit, kolektivi shkollor dhe personalisht drejtori i saj ,Bujar Dudumi, që mori iniciativën së bashku edhe me muzikantët Jorgo Roze e Agron Belaj, organizuan mbrëmjen muzikore: “Artisti që i dha horizonte të reja muzikës”. Në këtë veprimtari Këshilli i Qarkut Gjirokastër i dha “Mjeshtrit të Madh”, Roland Çene, vlerësimin “Nderi i Qarkut”. Nderimi që iu bë Roland Çenes në qytetin e tij të lindjes nga autoritetet vendore dhe intelektualët e fushës së muzikës, ishte një gjë e pritur prej kohësh, sepse Roland Çene është ndër muzikantët e shquar shqiptarë të këtij gjysmë shekulli të fundit, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ta çuar përpara jetën artistike shqiptare me prirje të qarta evropiane. Gjatë veprimtarisë u lexuan edhe përshëndetje ardhur nga personalitete të muzikës shqiptare si: prof. Hamide Stringa – Historiane e Muzikologe, prof. Bujar Llapi- Kanada, Dr. Eno Koço – Londër, prof. dr. Spiro Shituni – SHBA, prof. Fatmir Hysi – Akademia e Arteve Tiranë, muzikologu Saimir Skënduli – Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, ndërsa ish-drejtori i shkollës artistike, dr. Kosta Loli, erdhi nga Janina për të përshëndetur mësuesin dhe mikun e tij maestro Çenen.
Kush është Profesor Roland Çene
Prof. Roland Çene është një ndër zërat e shquar të kulturës kombëtare shqiptare dhe, ndërkohë, një ndër mbështetësit kryesorë të të gjithë proceseve të edukimit shkollor e jashtëshkollor të muzikës, një nga personalitet e shquara të mbarë muzikës shqiptare, që ka lënë vulën e tij të përveçme gjatë gjysmës së dytë të shekullit te XX e në vazhdim në jetën kulturore e artistike mbarë gjirokastrite e mbarë kombëtare, një nga dirigjentët shqiptarë më të talentuar e më produktivë.
Që student, Rolandi shpalosi kualitete të spikatura artistike, të cilat gjatë karrierës së tij erdhën e u rriten progresisvisht. Ai u afirmua kombëtarisht si një talent i veçantë, ndaj gjatë kësaj periudhe iu besua drejtimi i shumë veprimtarive të rëndësishme muzikore kombëtare si koncerte zyrtare, Simfonike, koncerte të dekadave të Majit, festivali i Radio-televizionit etj.
Me përfundimin e studimeve të mesme e të larta në shkollat artistike të kryeqytetit, veprimtaria e tij u përqendrua në Gjirokastër ku themeloi disa formacione të rëndësishme muzikore të cilat jo vetëm rritën ndjeshëm cilësinë e jetës muzikore, por edhe autoritetin e krenarinë e bashkëqytetare të artistit. Qysh në vitin 1955 mjeshtri Çene, ka drejtuar korin e pionierëve të qytetit Gjirokastër, ka vazhduar si flautist solist, në disa veprimtari koncertore në Tiranë, e deri në dirigjimin e disa Koncerteve zyrtare në Tiranë, Përmet dhe Gjirokastër.
Rolandi bëri të pamundurën në Gjirokastër për të krijuar një ansambël orkestral të admirueshëm. Pothuajse nga hiçi krijoi në vitet ‘70 një orkestër të madhe, e cila me vonë përfundoi në orkestër simfonike. Ai luajti një rol të shquar si dirigjent e krijues në jetën kulturore-artistike të qytetit të Gjirokastrës për dhjetëvjeçarë të tërë.
Si shef i Muzikës në Pallatin e Kulturës “A.Z.Çajupi”–Gjirokastër, krijimtaria artistike e tij ka qenë prezente në qindra koncerte të ndryshme gjatë viteve, jo vetëm si krijimtari e drejtpërdrejtë muzikore, por edhe si autori i qindra orkestracioneve që tingëllonin emocionalisht gjatë koncerteve dhe veprimtarive kulturore. Dirigjimi i tij i dha orkestrës simfonike të Gjirokastrës një emër në veprimtaritë e ndryshme kombëtare, duke merituar vendin e parë në Shqipëri në konkurrimin e Ansambleve artistike të Shtëpive të Kulturës në Vlorë 1969, e deri në konkursin kombëtar të orkestrave simfonike në vitin 1989. Ai korri sukses pothuaj në të gjitha veprimtaritë kombëtare, ku në shumicën prej tyre është vlerësuar si dirigjenti më i mirë. Rolandi është ndër orkestruesit më funksionalë, falë talentit të lindur, po kryesisht prej njohjes kapitale të veçorive teknike e tingëlluese të instrumenteve muzikore.
Pjesë e rëndësishme e personalitetit artistik të Prof. Çenes është edhe besimi që ju dha për të udhëhequr e drejtuar mbi 11 veprimtari muzikore për përfaqësimin e Shqipërisë në veprimtari artistike e festivale ndërkombëtare si në ish-Jugosllavi, Greqi, Zvicër, Francë, Rumani etj., prej të cilave në Francë e Jugosllavi u fituan çmime ndërkombëtare.
Formimi gjithëpërfshirës teorik e ekzekutues i Rolandit do të ishte një aset për kulturën muzikore gjirokastrite e atë mbarë-shqiptare, pasi ky formim do të ndërthurej edhe me kulturën folklorike, kryeqyteti i të cilës do të ishte Gjirokastra për dekada të tëra, ku Rolandi do të linte gjurmë të pashlyera. Krahas punës si dirigjent, Prof. Çene ka kompozuar suksesshëm muzikë të gjinive e formave të ndryshme: kompozitor këngësh për fëmijë e të rritur si dhe veprash simfonike, e mbi të gjitha një dirigjent i kompletuar dhe me fytyrë kombëtare. Ai ishte formuesi dhe nxitësi i dhjetëra talenteve të reja, aftësitë e tij teoriko-muzikore, i dëshmoi më së miri duke përgatitur muzicienë të rinj të të gjitha disiplinave në Universitetin e Arteve të Shqipërisë.
Prej 16 vjetësh ka dhënë e vazhdon ende të japë mësim në Universitetin e Arteve, me një veprimtari të dendur pedagogjiko-akademike. Harton një varg programesh për disiplinat bazë muzikore, udhëheq si drejtues shkencor rreth 25 Diploma muzikologjike universitare e pasuniversitare, përfundon 2 tekste universitare të lëndëve bazë, e aktivizohet në dhjetëra konferenca e tubime shkencore brenda e jashtë vendit me kumtesa e ligjërata të ndryshme. Është ndër më aktivët e vendit në promovime e botime muzikore. Ditët e fundit të dhjetorit, Prof. Çene ligjëroi në Universitetin e Tetovës dhe në Akademinë Shqiptare të Artit dhe Shkencës për Këndimin katërzërësh Polifonik popullor të qytetit të Gjirokastrës.
Veprën e Roland Çenes mund ta analizojmë e mund ta çmojmë, jo thjesht si një komunikim intelektualësh në nivele të ndryshme, por është, veç kësaj, historia e veprimit artistik shqiptar në çastet më të vështira të lëvizjes drejt përparimit. Të tre aspektet themelore të punës së tij: si dirigjent, veprimtar i mendimit shkencor dhe pedagog, janë të lidhura nga filli i përbashkët i ndjeshmërisë qytetare; i dashurisë që ai ka pasur për njerëzit dhe i besimit që na ka frymëzuar mbi qenien tonë bashkëkohore dhe europiane.