Unë që po ju shkruaj jam një pensionist në lagjen “Ali Demi”, përballë shtëpisë së të moshuarve në një pallat të bukur nga jashtë por jo keq edhe brenda. Por mungesa e qytetarisë së banorëve ka bërë që ambientet e përbashkëta janë për të ardhur keq. Gjithsesi, të futem në temë: Ka mbi 10 ditë që komshiut sipër i rrjedh banja dhe gjithçka, kuptohet bie në banjën time. Jam lodhur duke u ngjitur dhe ulur disa herë për të komunikuar, por nuk më hapte derën. Më në fund munda të komunikoj me gruan, por mesa kuptova në thëniet e saj, marrëdhëniet brenda familjes nuk qenë të mira. Më premtoi se kjo punë do të zgjidhej shpejt por nuk ndodhi kështu. Komshia në fjalë është me qira dhe nuk gjenin dot gjuhën e përbashkët me pronarin mbi pagesën e hidraulikut. Gjendja vazhdon të jetë e njëjtë dhe të them të drejtën mu sos durimi. U paraqita në rajonin nr.1 që i përket edhe njësisë tonë. Një punonjës në kat të dytë hapi kompjuterin dhe më dëgjoi ankesën, mbajti edhe shënime si dhe më kërkoi edhe numrin e telefonit, dhe në fund më tha se kjo ankesë nuk është detyrë e policisë por duhet të drejtohesh në njësinë bashkiake, duke më kujtuar edhe gjykatën. U mundova ta sqaroj se unë nuk kam mosmarrëveshje pronësie apo diçka të tillë, por jam në konflikt me të dhe mendoj që është edhe detyra juaj pasi nga konfliktet e vogla lindin edhe më të mëdhatë. Biseda vazhdoi për disa minuta që nuk ja vlen të zgjatemi, duke më falënderuar me slloganin (që na vjen mirë që keni besim tek organet e policisë). Por për çudinë time më thotë se sot është ditë e shtunë, do të vish ditën e martë në mëngjes mbasi punonjësit e policisë janë pushim dhe në mes tyre janë edhe Pashkët. M’u duk absurde por nuk e zgjata më. U largova gjithë pakënaqësi dhe po vrisja mendjen se kjo është policia qe shpresojmë të na gjendet pranë për hallet dhe problemet tona qofshin edhe ato të voglat në dukje, por mund sjellin pasoja të rënda në qoftë së nuk u paraprihet. Nuk mund ta kuptoj këtë pushim absolut të saj pasi dimë se policia duhet të jetë e gatshme në çdo kohë. Tek këto vështirësi me orar të zgjatur dhe pa orar e ka burimin përkujdesja e qeverisë që mori masa për t’u rritur rrogat dhe kushtet e punës më shumë se çdo organ tjetër në administratën shtetërore që ajo t’i shërbejë popullit sa më mirë dhe në kohë halleve dhe shqetësimeve të tij mbasi nga djersa e tij paguhen. Me respekt.
Letër e nënshkruar,
Taip Tushe