Ismail Kadare, i cili deri tani ka refuzuar çdo ftesë për t’u bërë President, kësaj ftese nga SHBA i është përgjigjur pozitivisht me “Po”. Madje një “Po” e lumtur. Më poshtë lexoni fjalën e plotë të Ismail Kadaresë, transmetuar në video, gjatë paraqitjes së projektit “Vepro tani!” të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu sot në Tiranë. Kadare iu përgjigj “i kënaqur”, “i lumtur” ftesës së ambasadorit për t’u angazuar. “Me kënaqësi e mbështeta për dy arsye kryesore: vjen nga një shtet i madh aleat dhe zgjon energjinë qytetare.”
“Para ca ditësh zoti Arvizu më kërkoi, më shfaqi mendimin e tij për një nismë, aksion, strategji të tij për të angazhuar opinionin qytetar shqiptar për zgjidhjen e punëve. Me kënaqësi pranova ta mbështesja. Për dy arsye kryesore: Kjo vjen nga një shtet i madh aleat dhe për mua është prekëse që ai vazhdimisht i ndjek punët në mënyrë të hapur, të gjerë, të gjithanshme. Kjo nismë bën pjesë në këtë përkushtim të aletatit tonë të madh. Është fjala për të zgjuar një energji qytetare, që ndihmon në mënyrën e vet, se në fund të fundit, qytetërimi njerëzor, europian, botëror, ka lindur atë ditë kur qytetarët patën idenë të grumbullohen diku, në qendër të qytetit, për të marrë pjesë në punët e vendit. Ishte kaq e fortë kjo në fillim, saqë donin të merrnin pjesë në gjëra të mëdha si shpallja e luftës apo vënia e paqes. Pati luftë të madhe njerëzimi për ta kryer, përpunuar këtë ide. Pati luftë të madhe mos fitonte, por ajo fitoi më në fund.
Ndaj e quaj shumë të vlefshme, të lumtur një ide të tillë. Për probleme që na duken se mund të zgjidhen. Por nuk zgjidhen lehtë. Veshët na janë mësuar me fjalë: luftë për mbrojtjen e mjedisit, kafshëve. Kanë ekzistuar edhe më parë: “duajini lepujt”, “mbroni kafshët”, “duajeni natyrën”, por njerëzimi ka ecur në kah të kundërt. Kjo luftë, që dukej e vogël, tani ka marrë peshë dramatike, tragjike, përmasa botërore. Një bregdet, peizazh i shkatërruar është si pas një lufte, bombardimi. Ka probleme në dekulturimin e vendit, prishje të sistemit arsimor.
Ka 1 milion njerëz, fati i të cilëve varet nga kjo gjë. Dhe njerëzit duhet të japin mendimin e tyre, energjinë e tyre. Një tjetër greminë morale sot është humbja e besimit te drejtësia. Nuk duhet lejuar kurrësesi. Është katastrofë e vërtetë. Këto duken probleme të ndryshme, por kanë lidhje kauzale mes tyre. I uroj ambasadorit, që ta zhvillojë këtë nismë, siç duhet! Të përfshijë sa më shumë qytetarë, njerëz, ide!”