PD i kërkon prokurorisë të nisë hetimet për pasurinë e kryesocialistit Rama. Në një deklaratë për shtyp, deputeti Osman Metalla tha se ILDKP dhe prokurori duhet të bëjnë punën e tyre.
“Rilindësi Edvin jeton në Shqipërinë ku thotë se nuk është i varfër, por refuzon të bëjë publike pasurinë e tij pasi siç thotë ai në këtë çështje është mjaft i ndjeshëm. Deri në vitin 2004 thjesht ka refuzuar të deklarojë pasurinë, në vitin 2005 dhe në vazhdim deklaron vetëm borxhe, madje në ditën më të mirë borxhliu Edvin deklaron jo më shumë se 3 mijë euro pasuri. Në vitin 2011, karta e tij e kreditit rezulton me -242 euro, nuk ka shtëpi edhe pse gjatë mandatit të tij të fundit si kryetar i Bashkisë së Tiranës ka dhënë leje për afro gjysmë milion metër katror për rilindësit e tij. Të ardhura ka vetëm rrogën e shtetit por po ndërton një vilë prej 2800 m2 , në një truall prej 5800 m2 të dhënë pothuajse për sevap por jo në Tiranën që ndërtoi me Fidelët e tij, por jashtë saj. Dje në Pezën e rilindësit Dash, sot në Dajtin e rilindësit Xhemal. Jeton gjithashtu në Shqipërinë ku një familje mesatare si ajo e znj. Linda Basha ka mundësinë të falë 100 mijë euro, madje i mbeten dhe 1 milion Euro të tjera për të ndërtuar modestisht një pallat, e gjitha kjo duke u marrë vetëm me mësimdhënie dhe me punë shkencore. Sipas deklarimeve të tij, Shqipëria në të cilën jeton rilindësi Edvin, qenka një vend goxha i mirë për të jetuar, mirëpo ai kërkon për të drejtuar një vend krejt tjetër, një Shqipëri ku siç thotë ai 1 milion veta janë të papunë dhe 4 milion shqiptarë nuk kanë të hanë, të pinë, të vishen. Krejt logjikshëm lind pyetja: Cila është Shqipëria e vërtetë, ajo në të cilën jeton aktualisht rilindësi Edvin, apo ajo e zhytura në mjerim të cilën kërkon të drejtoj si rilindës? Çdo shqiptar që siguron jetesën nga pika e djersës që derdh çdo ditë, e ka përgjigjen e kësaj pyetjeje. Besoj se instituti i deklarimit të pasurive dhe prokuroria duhet të bëjnë punën e tyre”, thuhet në deklaratë.