Arben MANAJ
A është e djathtë Partia Demokratike?
Nuk jam sigurt. Pasi jam i sigurt se në Shqipëri ende nuk ka klasa ose më saktë, shtresa shoqërore të mirëfillta të konsoliduara, që do të justifikonin ideologjikisht si në rastin e PD-së pasjen e një programi të mirëfilltë të djathtë, si në Perëndim që do të lidhej pashmangshmërisht me një grupim të caktuar shoqëror si bazën e saj sociale. Më lejoni të bëj një parantezë paksa të detajuar, për të më kuptuar më drejte. E them këtë, pasi siç dihet në dhjetor të 1990, të gjithë shqiptarët ishin proletar në aspektin monetar dhe financiar. Edhe ata që mund të kishin një kursim të caktuar nisur nga postet dhe pozicionet e larta, vlera e këtyre kursimeve jam i bindur se u zerua ose be e parendesishme nga perqindjet e interesit qe filluan te aplikohen ne Shqiperi per monedhen e vleresuar artificialisht si dhe krahasimi i monedhes shqiptare me monedhat e tjera evropiane. Të gjithë shqiptarët ishin të gjithë në një start, si në një maratonë të madhe që kur kërciti pistoleta e garës se kapitalizmit dhe sot e kësaj dite, edhe pse ka filluar shtresëzimi me ritme të shpejta, faktikisht dhe praktikisht në Shqipëri nuk kemi një shtresë të pasur në shifra dhe numra të konsiderueshëm, që ta justfikojë atë si bazën sociale mbi të cilën ngrihet një platformë politike apo ideologjike, ku një formacion i caktuar politik ta mbështesë atë dhe të punoj për interesat e saj.
Në Shqipëri, historikisht nuk ka pasur aristokraci të mirëfilltë, përveçse disa familje zengjinësh të pasuruar në margjinat e Perandorisë Otomane që në 100 vjetët e fundit, në periudha të caktuara dhe shkurtra kohore, arritën të ngrënë kokën dhe të identifikoheshin si shtresë e lartë dhe e pasur e shoqërisë shqiptare. Në vitet e komunizmit kjo shtresë u eliminua dhe tërë shoqëria u proletarizua dhe ishin të gjithë egalitar në pasuri dhe status social përgjithësisht dhe pamjaftueshmërisht. Krijimi i PD-së si forcë e qendrës së djathtë, është më shumë një forcë antikomuniste, që ende vazhdon të jetë e këtillë në retorike, e cila grumbulloi në gjirin e vet një amalgamë përfaqësuesish, që më shumë i bashkonte urrejtja e drejtë ndaj asaj që kishin vuajtur më shumë gjatë diktaturës komuniste, bashkë me idealizmin për një shoqëri demokratike, dhe një pjesë e vogël për shkak të shkatërrimit të asaj pasurie të shtetëzuar nga komunistët pas fitores së tyre gjate Luftës së Dytë Botërore.
PD, si ndryshe nga shumica e simotrave të saj në disa vende të ish- Lindjes komuniste, nuk mund të kishte mbështetje tjetër përveç asaj që shpjegova më sipër.
Nuk mund të ishte ndryshe krahasuar me një parti homologë në Çeki, Hungari apo Poloni, ku edhe pse komunizmi kishte siç njihet në zhargon politik, elementë të fytyrës njerëzore, sërish nuk shkoi deri në eliminimin total të pronës private dhe shtetëzimin total të gjithshkaje të përmbysur politikisht. Pra, edhe përfaqësuesit e aristokracisë dhe pronat e tyre edhe pse të tjetërsuara dhe shtetëzuara forcërisht në shumicën e rasteve, sërish ato ekzistonin në forma qoftë edhe rudimantere apo të zvogëluara në masë, ndërkohë që persekutimi dhe eliminimi fizik i përfaqësuesve të tyre, nuk pati të njëjtën formë dhe egërsi si në Shqipërinë komuniste. Ndaj sot edhe përfaqësuesit zyrtar të PD-së, si forcë e qendrës së djathtë në këto dy dekada, shumë pak identifikohen publikisht të paktën me ndonjë familje bejlerësh dhe agallarësh, nëse do i cilësoja kështu, dhe më pak, latfondistësh tokash. Shikoni edhe politikën për çështjen e pronave që ndjek PD dhe nëse kjo është e mirëfilltë e djathtë, i gabuari atëherë i bie të jem unë. Sot edhe drejtuesi i saj historik drejt legjendarit, është një ish komunist. Edhe drejtues të tjerë të lartë të saj janë pjesëtarë dhe fëmijë ish komunistësh. Nëse është kapitalist denbabadën Olladashi, apo Rusmajli, i tillë duhet të jem edhe unë, që nuk jam faktikisht.
Pa hyrë pastaj konkretisht në politika apo retorikën politikë të PD-së, që anatemon, “miliarderët e PS-së” ?!!! apo “njerëzit që lahen në vaska floriri”, apo politika të tjera që në një shoqëri kapitaliste tipike, si në Perëndim do i takonin t’i bënin laburistët britanik apo socialistët shqiptar. Fatkeqësia në Shqipëri është se për shkak të arsyeve të mësipërme, edhe e majta, PS-ja, është në një mision disi antihistorik, me miliarderë dhe super të pasur, që praktikisht do të duhet të mbështetesin nga PD-ja ideologjikisht dhe me politika. Në një rrafsh tjetër, dihet se të djathtët përgjithësisht janë me nacionalistë. E nëse sheh politikat e PD-së, si në rastin e kufirit me Greqinë, është e frikshme, jo më si qeveri, por edhe si forcë e qendrës së djathte. Greku Samaras është në rregull nga këndvështrimi i partisë së tij në këtë rast. Po t’i hyjmë një diskutimi historik të së djathtës dhe të majtës, siç dihet fillesat vijnë në kohën e Revolucionit Francez (1789-99-ës), ku termat politikë e djathtë dhe e majtë, iu referuan politikanëve që uleshin fizikisht në sallën e parlamentit. Ata që uleshin në të djathtë të Kryetarit të Parlamenti ishin kryesisht mbështetës të institucioneve monarkike, që mbështesnin hierakinë, traditat dhe klerizmin. Në këtë sens, nëse shikon vendndodhjen e deputetëve të PD-së në të djathtë të Jozefina Topallit, atëherë po, PD është e djathtë deri diku formalisht, edhe pse në mandatin e parë kanë që ulur në të majtë të Kryetarit të parë të Parlamentit pluralist.
Një e veçantë e PD-së është ajo që do e cilësoja populizmi i djathtë i saj i cili në përgjithësi është një kombinim i etno-nacionalizmit me anti-elitizëm, duke përdorur një retorikë populiste për të kritikuar në mënyrë radikale institucionet politike ekzistuese. Dhe Berisha është tipik, nëse do të citoja autoren Margaret Conovan për të cilën një populist i djathte është: “një udhëheqës karizmatik, që përdor taktikat e populizmit për të anashkaluar politikanët dhe elitën intelektuale dhe të apeloj tek sentimentet reaksionare të populiste, shpesh duke e përforcuar pretendimin e tij se flet në emër të popullit, duke përdorur referendumet.”
Në mbyllje, PD është në rrugën e bërjes së një partie të qendrës së djathtë në program, por do të jetë një rrugë e gjatë për tu formëzuar dhe marrë ato karakteristika tipike, si homologët e saj në grupin e Partive Popullore Evropiane, që janë më të vjetra dhe më autentike. Por kjo rrugë do të kërkoj kohë, bashkë me shtresëzimin e filluar social në Shqipëri, betejë që çuditërisht është më konkurrente edhe nga partitë e qendrës së majtë si PS-ja apo ndonjë tjetër, ku në hapat e parë të kapitalizmit të mirëfilltë dhe të vërtetë shqiptarë në tërë historinë e vendit, do të duhet të centrohen, aty ku përkasin ideologjikisht, politikisht dhe për ato shtresa shoqërore ku edhe duhet të kenë bazën e tyre, interesat e të cilave pritet të mbrojnë, për mirë apo për keq në fund të fundit.