Ajri i kondicionuar, si dhe papastërtitë në rubinetat e ujit mund të bëhen shkak për mbledhjen e disa baktereve, të cilat pasi shumohen kalojnë edhe tek njeriu duke shfaqur një ndër format e caktuara të pneumonisë, e cila njihet ndryshe edhe si sëmundja e legjionarëve. Për lexuesit e “Dita”, mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon se si shfaqet kjo sëmundje, cilat janë kategoritë më të rrezikuara prej saj, si dhe këshillat për të shmangur format më të rënduara. Sipas saj, identifikimi i kësaj sëmundjeje shpesh herë shfaqet i vështirë, pasi një pjesë e mirë e pacientëve e trajtojnë si një infeksion viral, duke e lënë sëmundjen të kalojë vetë. Ndërkohë që janë ekzaminimet radiologjike ato që vënë në dukje transmetimin e bakterit. Në përgjithësi sëmundja prek moshat e rritura, duke sulmuar më shumë kategoritë që kanë probleme me imunitetin. Mostrajtimi në kohë mund të çojë në probleme të rënduara të frymëmarrjes, të cilat mund të mbartin edhe pasoja fatale për jetën. Temperaturat e larta favorizojnë shfaqjen e sëmundjes.
Çfarë është sëmundja e legjionarëve dhe si ka ndodhur shfaqja e saj?
Kjo sëmundje është një formë e pneumonisë e shkaktuar nga çdo specie e baktereve që i përkasin gjinisë legionella. Speciet e kësaj gjinie janë të shumta, por mbi 90 për qind e rasteve që shkaktojnë pneumoninë janë shkaktuar nga specia legionella pneumophila. Ky mikrob shumëzohet në temperaturat 25-45 gradë celsius, me një temperaturë optimale rreth 35 gradë celsius. Kjo sëmundje ka marrë këtë emër si pasojë e një shpërthimi të pneumonisë në korrik të vitit 1976 në një hotel të Filadelfias, ku u vendosën delegatët e Asamblesë së Legjionit Amerikan. Nga 182 rastet e raportuara, kryesisht burra, 29 vdiqën. Megjithatë, kjo sëmundje nuk ndodh në formë shpërthimesh, por në raste individuale. Kur shpërthimet ndodhin, ato janë zakonisht në verë dhe në fillim të vjeshtës, edhe pse rastet mund të ndodhin në çdo periudhë të vitit. Mosha më e prekur është ajo mesatare dhe mosha e vjetër. Sëmundja ka përhapje në të gjithë botën, në forma sporadike (të veçuara) por edhe epidemike. Kjo sëmundje është e njohur edhe në vendin tonë dhe trajtohet mjaft mirë. Por, rastet e para të kësaj sëmundjeje janë përshkruar qysh në vitin 1947, ndërsa epidemia e parë është dokumentuar në vitin 1957 në Minesota, në Amerikë. Qysh atëherë sëmundja është identifikuar në të pesë kontinentet.
Si përhapet sëmundja?
Bakteret përhapen me anën e ujërave. Këtu implikohet sistemi i ujërave të ngrohta, ajri i kondicionuar, kondensatorët, pishinat, shatërvanët dekorative, si edhe në aparatet e mjekimit respirues (frymëshkëmbyes). Legjionelat janë izoluar si në ujërat e ngrohta, ashtu edhe në ato të ftohta të rubinetave dhe të dusheve apo edhe në tubacionet e ujit nën tokë. Mikrobi jeton për muaj të tërë në rubineta, por edhe në ujin e distiluar. Akoma nuk është e qartë lidhja e sëmundjes së legjionelave me pluhurat mbi sipërfaqen e tokës. Sëmundja nuk është aerogene (ajrore) dhe nuk përhapet nga personi në person.
Cilat janë shenjat klinike të sëmundjes?
Periudha e inkubacionit të infeksionit (koha nga momenti i kontaktit me mikrobin e deri në shfaqjen e shenjave klinike) është dy deri në dhjetë ditë, mesatarisht pesë deri në gjashtë ditë. Pacientët karakterizohen nga dobësia e përgjithshme, dhimbje muskulare (mialgjia), dhimbja e kokës (cefalea), anoreksia (mungesa e oreksit). Brenda ditës sëmundja fillon menjëherë me temperaturë 39-41 gradë celsius me të dridhura (ethe), kollë të thatë ose me gëlbazë (me sputum). Pacientët mund të ankohen gjithashtu edhe për të përziera, të vjella, dhimbje barku dhe diarre (heqje barku).
Nëse nuk jepet ndihma e duhur në kohë, cilat janë ndërlikimet që shoqërojnë sëmundjen?
Sëmundja përparon shpejt në drejtim të mushkërive gjë që vihet në dukje nga ekzaminimet radiologjike. Këto procese mund të zhvillohen në mënyrë bilaterale (të dyanshme) duke e çuar të sëmurin deri në insuficiencë respiratore akute (pamjaftueshmëri e procesit të frymëmarrjes). Prandaj, në qoftë se sëmundja nuk trajtohet shpejt dhe në mënyrën e duhur, rastet mund të kenë përfundim fatal, veçanërisht në rastet me imunitet të dobët.
Cilat kategori vuajnë më shpesh nga kjo sëmundje?
Kjo sëmundje prek më shpesh moshat e mëdha. Përhapje më të shpejtë gjejmë veçanërisht tek grupmoshat që i kalojnë të 50-tat. Individët më të prekur janë ata që pinë duhan, personat që vuajnë nga diabeti, nga sëmundje kronike të mushkërive, të veshkave, individët me deficit imunitar, ose ata që janë të prekur nga sëmundjet malinje. Gjithashtu rrezikojnë edhe pacientët që kanë bërë transplante organesh, personat që mjekohen me kortizonikë apo kimioterapi, etj. Meshkujt sëmuren më tepër se femrat.
Ç’ndodh me identifikimin e sëmundjes?
Sëmundja mund të marrë edhe forma epidemie, në mënyrë të veçantë ndër të sëmurët e spitaleve. Në shumicën e rasteve, sëmundja mund të kalojë edhe pa u diagnostikuar. Pacientët e kalojnë shpesh si gjendje virale. Mendohet se gjysma e rasteve me infeksione nga legjionelat, shoqërohen më pneumoni. Kjo sëmundje është shumë e rrallë në moshat nën 20 vjeç. Infeksioni nga legjionelat ka edhe një prezantim tjetër që njihet si “Ethja Pontiak”. Kjo është dhe forma më e shpeshtë e sëmundjes që karakterizohet nga shenjat e përgjithshme që përmendëm më lartë, por nuk shoqërohet me pneumoni ose vdekje. Periudha e inkubacionit të Kësaj etheje është e shkurtër, ajo shkon një deri në tre ditë. Të sëmurët shërohen vetvetiu brenda dy deri pesë ditëve. Sëmundja mjekohet mjaft mirë dhe pa pasoja me antibiotikë specifikë, të cilët përcaktohen nga mjeku specialist.