Në vazhdim të pretencës ndaj të pandehurve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, Kryeprokurori Rrapi Mino ndalet tek aktiviteti armiqësor i tyre në bashkëpunim në fushën e tregtisë së jashtme e të brendshme, që ‘solli mungesën e artikujve jetikë, shtimin e dallimeve midis fshatit dhe qytetit’. Sipas akuzës, armiku Kiço Ngjela, i ndërgjegjshëm në rrugën e tij armiqësore, riaktivizoi marrëveshjet ekonomike e tregtare me Jugosllavinë si dhe në kundërshtim me ligjet, lidhi marrëveshje tregtare me shumë firma amerikane…
(Kryeprokurori Rrapi Mino lexon pretencën)
Shokë gjyqtarë! Të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, duke qenë kundër politikës ekonomike të shtetit dhe vijës së Partisë dhe për një gjunjëzim të popullit para armiqve të jashtëm, revizionistëve dhe kapitalizmit, kanë zhvilluar gjithashtu një veprimtari të gjerë armiqësore sabotuese edhe në fushën e tregtisë, të brendshme dhe të jashtme, e cila sipas veprimeve konkrete kriminale të kryera, mund të përmblidhet në këto drejtime kryesore:
1)-Në fushën e tregtisë së Brendëshme: Të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, si elementë armiq, që i bashkonte ideologjia borgjezo-revizioniste, duke përfituar nga fakti se zinin poste të rëndësishme drejtuese në shtet, për të goditur në çdo moment e në çdo kohë sistemin tonë socialist të ekonomisë, u përpoqën me të gjitha mënyrat që të fusnin tregtinë tonë në kanalet e tregtisë revizioniste dhe ta bënin atë krejtësisht të varur prej saj. Për këtë qëllim, në marrëveshje të plotë midis tyre bënë përpjekje të krijonin vështirësi për shitjen e mallrave të industrisë sonë si dhe për rritjen e prodhimit të vendit, duke nxitur dhe orientuar sjelljen nga jashtë shtetit të mallrave të konsumit të gjerë, të cilat në sajë të politikës së drejtë të Partisë dhe Qeverisë, dhe punës vetëmohuese të klasës punëtore prodhoheshin në vend, siç ishin makinat larëse të rrobave, dhe një serë artikujsh të tjerë elektro shtëpiakë, tekstile etj…
Si rezultat i kësaj veprimtarie anti shtetërore, të pandehurit që gjykojmë, duke rritur përherë e më shumë importin e mallrave të konsumit të gjerë, bënë që në magazina të krijoheshin stoqe, ndërsa mjaft të tjera ti nënshtroheshin një qarkullimi të ngadalshëm. Kështu, megjithëse në vitin 1974 filloi prodhimi në seri i makinave larëse të rrobave, me kapacitet prodhues 5.000 copë në vit, të pandehurit, në vend që ti hiqnin këto nga nomeglatura e importit, importuan gjatë vitit 1974 edhe 2.800 copë të tjera. Po kështu është vepruar edhe me artikuj të tjerë. Para fakteve të pakundërshtueshme, këtë veprimtari sabotuese e pranuan të gjithë të pandehurit.
Kështu, armiku Kiço Ngjela, duke pohuar punën armiqësore të kryer në këtë drejtim deklaroi:” Punë të rëndë armiqësore në zhvillimin e tregtisë së brendshme kam zhvilluar së bashku me armiqtë Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Vasil kati, etj… Duke sjellë mallra të panevojshme nga importi ju kundërvumë mallrave të prodhimit në vend, mbetën pa u shitur mallrat e prodhuara nga industria jonë, gjë që çoi në krijimin e mallrave mbi normativë, me qarkullim të ngadalshëm dhe stoqe”.
Për të çuar më tej veprimtarinë e tyre armiqësore në fushën e tregtisë së brendshme, këta të pandehur, jo vetëm që shtuan në mënyrë të konsiderueshme dhe krejt të panevojshme importin dhe artikujt e konsumit të gjerë, por gjithashtu, e inkurajuan këtë edhe nëpërmjet çmimeve të shitjes me pakicë, duke iu caktuar mallrave çmime me diferenca të vogla nga ato të prodhimit të vendit dhe në ndonjë rast edhe më të ulëta.
Shokë gjyqtarë! Analiza e provave vërtetoi se qëllimi i vetëm i kësaj veprimtarie armiqësore ishte vënia në vështirësi e ekonomisë, krijimi i stoqeve dhe dëmtimi në masë i mallrave të vendit, gjë që u reflektua në uljen e çmimeve për mallrat ‘demode’ si dhe në propagandimin e prodhimeve të huaja, me qëllim diversioni politiko-ideologjik.
Në vazhdim të veprimtarisë së tyre armiqësore, të pandehurit
Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati kanë sabotuar gjithashtu vijën e Partisë në bujqësi si dhe i janë kundërvënë hapur politikës së Partisë dhe vendimeve të Qeverisë për ngushtimin e dallimeve esenciale midis fshatit e qytetit, me qëllim që të godisnin aleancën e klasës punëtore dhe fshatarësisë punonjëse dhe të thyenin unitetin monolit të popullit tonë rreth Partisë. Në këtë drejtim, të orientuar nga ideologjia e tyre revizioniste, ata u munduan të fusnin format e vetë administrimit revizionist në sektorin e bujqësisë, nëpërmjet sabotimit të masave konkrete që Partia dhe Qeveria kanë marrë për furnizimin e fshatit me produkte ushqimore, për zhvillimin e sektorëve social-kulturor dhe masave për grumbullimin nga kooperativat dhe oborret kooperativiste të prodhimeve bujqësore e blegtorale.
Në vitet 1966-1967, kur i pandehuri Abdyl Këllezi ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit Tiranë, duke përfituar nga tendencat dhe qëndrimet liberale të disa drejtuesve të ekonomive bujqësore të rrethit, me qëllim zbatimi të planeve të tij armiqësore, filloi futjen dhe eksperimentimin e formave vetadministruese në ekonomi bujqësore si ‘NB Gjergj Dimitrov’, NB-Vorë, si dhe në disa kooperativa bujqësore, në mënyrë që prodhimet bujqësore të kalonin direkt tek konsumatori, të caktonin vetë çmimet dhe ti shisnin drejt për së drejti.
Me këto veprime, të pandehurit që gjykojmë synonin që këto ndërmarrje dhe kooperativa bujqësore ti kthenin në organizma vetë administruese, të mënjanonin rrjetin tregtar dhe kontrollin shtetëror, të fusnin fuqinë punëtore në sektorë të tjerë ndihmës, duke i mënjanuar kështu këto forca nga puna e prodhimeve bujqësore e blegtorale si në grurë, misër, qumësht, etj… Mbi këto forma revizioniste të zbatuara në ndërmarrjet bujqësore, këta të fundit morën në administrim gjithë rrjetin e shitjes së fruta-perimeve, mensat, kopshtet, çerdhet, etj…, si dhe furnizimin përkatës të tyre.
Të nisur nga qëllimi armiqësor për të goditur drejt për drejt direktivën e Partisë dhe Vendimet e Qeverisë lidhur me shtimin e fondeve të mallrave për furnizimin e fshatit, duke ia shtuar këtë qytetit. Kështu, në qytetin e Tiranës, konsumi për frymë për vajin vegjetal gjatë vitit 1974 në krahasim me vitin 1973 ka një rritje me 0.900 kg, kurse fshati një ulje prej 0.300 kg për frymë. Për orizin, furnizimi i qytetit rritet me 0.800 kg kurse për fshatin ulet në 0.100 kg për frymë, veprime këto të diktuara edhe në drejtime të tjera si në furnizimin e fshatit me material ndërtimi, ku në shumicën e rasteve fshatit nuk i janë dhënë as 50% e kondigjenteve të planifikuara ose nuk janë furnizuar fare, në një kohë, kur qytetit i janë dhënë sasi të konsiderueshme.
Shokë gjyqtarë! Si rezultat i zbatimit praktik të veprimeve armiqësore të këtij grupi në organizimin shtetëror dhe ekonomi, të pandehurit Kiço Ngjela e tjerë, që kishte rreth vetes në Ministrinë e Tregtisë, kanë sabotuar grumbullimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale nga tepricat e kooperativave dhe oborreve kooperativiste, pasi nuk siguronin bazën materiale të grumbullimit të tyre si dhe e kufizuan atë vetëm në grumbullimin e tre-katër artikujve si vezë, arra e ndonjë tjetër artikull të këtij karakteri.
Po kështu, i pandehuri Kiço Ngjela, me qëllim armiqësor, sipas veprimeve të bashkërenduara të grupit ku ai bënte pjesë, për të inkurajuar kooperativat bujqësore që të shisnin vetë në treg prodhimet e tyre, ka dhënë udhëzime të posaçme për organizimin e tregut fshatar. Për të gjitha këto veprime armiqësore, provat e administruara gjatë zhvillimit të gjykimit janë të shumta. Për konkretizim. Le tu referohemi disave prej tyre:
I pandehuri Abdyl Këllezi deponoi:” I mbështetur në ndërgjegje dhe nga Kiço Ngjela, kam sabotuar marrjen e masave favorizuese për fshatin…
I pandehuri Kiço Ngjela deklaron:” Kam sabotuar me ndërgjegje udhëzimet e Partisë dhe të Qeverisë për tërheqjen e prodhimeve blegtorale e bujqësore nga kooperativat bujqësore dhe tepricat e kooperativistëve nga ana e tregtisë. Me këto veprime kemi lënë shteg për zhvillimin e tregut fshatar. Nuk i zbatuam direktivat e Partisë, nuk ndërtova depo për grumbullimin e tyre”.
Hetimi gjyqësor i çështjes vërtetoi se ndaj problemit të shqyrtuar, përgjithësisht, taktika e ndjekur nga të pandehurit ka qenë falsifikimi i të dhënave. Në këtë drejtim u argumentua se kur Qeveria kërkonte të dhënë mbi zbatimin e Vendimit të Byrosë Politike të KQ të Partisë lidhur me ngushtimin e dallimeve midis fshatit dhe qytetit, të pandehurit, për të mbuluar aktivitetin e tyre kriminal, kanë përgatitur shifra të paqena, ireale, jashtë realitetit objektiv, duke goditur qëndrimet e drejta të çdo personi që përgatiste të dhëna të sakta.
Dëshmitari Abdulla Zhabjaku, Drejtor në Ministrinë e Tregtisë për furnizimin e fshatrave, për këtë problem deklaroi:” Në vitin 1973, nga ana e qeverisë na u kërkuan të dhëna se si është punuar për të zbatuar Vendimin e Byrosë Politike ‘Mbi ngushtimin e dallimeve midis fshatit e qytetit’ të vitit 1970 dhe ne si Drejtori kërkuam të dhëna nga baza… Por shifrat reale nuk u morën në konsideratë, u ndryshuan..”
Shokë gjyqtarë! Këto të dhëna, të paraqitura armikut Kiço Ngjela, nga njëra anë e gëzojnë këtë se po realizoheshin synimet e grupit, lidhur me mos furnizimin e fshatit, por nga ana tjetër, duke ndjerë frikën e zbulimit, me arrogancën dhe prepotencën që e karakterizonte , i drejtohet dëshmitarit: ”Unë këto shifra nuk i njoh fare!”. Si rrjedhim, për të mbuluar veprimtarinë e tij kriminale, Kiço Ngjela, Komitetit Qendror të Partisë dhe Qeverisë i paraqiti të dhëna ireale, jashtë realitetit dhe faktit.
Këtë rrugë ka ndjekur edhe i pandehuri Abdyl Këllezi lidhur me materialin e paraqitur Komitetit Qendror të Partisë në vitin 1971, ku gjendjen e dallimit midis fshatit dhe qytetit e thjeshtëson në probleme të ndryshme, ndërsa atë që ishte esenciale, e pikërisht, dallimet në fushat e prodhimit dhe social-kulturore si dhe masat favorizuese që ishin marrë nga Partia për fshatin, i injoron, duke mos i pasqyruar e trajtuar fare. Ky qëndrim ishte tërësisht i vetëdijshëm dhe me paramendim për këta armiq që i kishin vënë vetes për detyrë që të minonin fitoret e revolucionit dhe të sabotonin ndërtimin e socializmit në vendin tonë.
Lidhur me problemin e masave favorizuese që Partia ka marrë ndaj fshatit, një punë të gjerë sabotuese kanë bërë të pandehurit edhe në drejtim të mos zbatimit të Deklaratës së Përbashkët të KQ të Partisë dhe Këshillit të Ministrave datë 29 prill 1967 për furnizimin e fshatarësisë me perime, qumësht, sigurimin e bazës ushqimore për bagëtinë etj, si dhe të vënies në jetë të Vendimeve të Byrosë Politike mbi përballimin e shpenzimeve nga ana e shtetit për ngritjen e institucioneve shëndetësore në qendrat e kooperativave bujqësore si dhe pagesën e mamive.
I pandehuri Abdyl Këllezi, për sabotimin e këtyre direktivave, deklaroi:” Nuk kam qenë dakord me direktivën e Partisë për masat që duhej të merreshin nga shteti për favorizimin e fshatit dhe prandaj nuk i planifikoja”.
NESËR DO TË LEXONI:
-Pretencën e Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino: Si bashkëpunuan armiqtë Abdyl Këllezi e Kiço Ngjela në sabotimin ekonomik lidhur me krijimin e mallrave stoqe dhe zgjerimin e dallimeve midis fshatit e qytetit.
-Rigjallërimi i tregtisë me Jugosllavinë revizioniste, qëllim i dyfishtë i katër të akuzuarve: Sillnin mallra me cilësi të dobët që nuk shiteshin në treg, por dhe synonin propagandën antiparti pro jugosllavëve.
-Akuza: Në kundërshtim me politikën shtetërore e ligjet në fuqi, Kiço Ngjela e Abdyl Këllezi lidhën marrëveshje me firma të ndryshme amerikane.