Ish-drejtuesja e misionit të Vëzhguesve Ndërkombëtarë në zgjedhjet e 23 qershorit, Conny McCormack dhe këshilltari i OSBE-së për zgjedhjet, Steven Martin nisën dje në Tiranë një seri takimesh për të diskutuar rreth rekomandimeve të përfshira në raportin përfundimtar për zgjedhjet e kaluara. Sipas zonjës McCormack qëllimi është identifikimi i prioriteteve që do të mundësonin përmirësimin e procesit zgjedhor.
Qëndrimi i qeverisë
Siç konfirmoi në deklaratë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, me të cilin ajo zhvilloi takimin e parë, do të këtë sërish reformë zgjedhore dhe institucionale për garën e ardhshme elektorale. “I shpreha gatishmërinë misionit të ODIHR-it për të vazhduar punën me reformën zgjedhore dhe institucionale, në mënyrë që t’i paraprijmë në kohë zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ishte kënaqësi që mora angazhimin e përfaqësuesve të ODIHR-it për gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë proces”, tha Bushati. Shefja e misionit të ODHIR deklaroi se shpreson që takimet të jenë të frytshme me të gjitha palët. “Ne po punojmë për të identifikuar prioritetet në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të mira”, tha McCormack. Të parat në radhë janë zgjedhjet vendore të 2015-s, ku përveç riformatimit të KQZ-së apo dhe riformulimit të këtij institucioni do të ndërhyhet në ligjin zgjedhor edhe mbi bazën e rekomandimeve të raportit të ODHIR. Burime nga kampet politike, një nga pikat më të debatueshme do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Deri në këto momente qarkullojnë dy variante që do të propozohen në tryezën e negociatave. Varianti i parë është ai i një institucioni apolitik me gjyqtarë që nuk do të propozohen nga partitë, por me short me formulën që përzgjidhet nga Kolegji Zgjedhor. Varianti i dytë është ai i shkrirjes së plotë të KQZ-së, nërsa organi më i lartë i zgjedhjeve të jetë Kolegji Zgjedhor, i cili do të administrojë gjithë procesin. Ky variant duket më i vështirë pasi duhet që ta pranojë dhe opozita, e cila zakonisht është e prirur të kërkojë më shumë garanci nga institucioni që administron zgjedhjet. Zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri u konsideruan si konkurruese dhe në respekt të lirive themelore, në raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Raporti ngriti shqetësime për atmosferën politike që shoqëroi procesin, veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo dhe të Kolegjit Zgjedhor si dhe trysninë ndaj administratës. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë renditur 29 rekomandime për autoritetet shqiptare.
Basha me shefen e ODIHR: Kolegji zgjedhor mbylli sytë për Korçën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti shefen e misionit të ODIHR-it, Cony McComarck, së cilës i shprehu shqetësimin lidhur me procesin zgjedhor në qytetin e Korçës. “Partia Demokratike është partia që organizoi më 23 qershor zgjedhje të cilat, siç i cilëson raporti i ODIHR-it tregojnë një përparim të dukshëm dhe të qartë të përmbushjes së standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dy apo tri muaj më vonë shohim mazhorancën e re, të dalë nga vota e 23 qershorit, tashmë të ngrejë deformimin e vullnetit të votuesve në sistem, nëpërmjet sistemit të shit-blerjes së votës, siç u duk qartë me zë dhe figurë në zgjedhjet e Korçës. Ky është ndryshimi mes dy standardeve. Standardit tonë të 23 qershorit dhe standardit të turpshëm të zgjedhjeve të Korçës”, tha kryetari i PD-së.
Zoti Basha tha se bojkoti institucional në KQZ favorizoi atë që ai e quajti shit-blerje të votës e ndaj së cilës siç u shpreh ai, Kolegji Zgjedhor mbylli sytë.
Meta me misionin e ODIHR-it: Konsensus politik për KQZ-në
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, është shprehur dje se çdo ndryshim apo riformatim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duhet bërë përmes frymës së konsensusit politik dhe në bashkëpunim të plotë me institucionet dhe ekspertët ndërkombëtarë. Gjatë një takimi me shefen e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, gjatë zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Conny McCormack, kryeparlamentari Meta theksoi se konsensusi politik për KQZ-në do të bëjë të mundur të evitohen ndërhyrjet politike ndaj integritetit të punës së këtij institucioni të rëndësishëm në të ardhmen. Gjithashtu, Meta pasi vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri si një zhvillim tepër pozitiv për demokracinë shqiptare, i shprehu mirënjohjen znj. McCormack për përkushtimin dhe kontributin e saj dhe të Misionit Vëzhgues të ODIHR ndaj standardeve të zgjedhjeve të 23 qershorit si dhe për rekomandimet e raportit përfundimtar për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Nishani: Zgjedhjet e 23 qershorit vendosën standarde të larta
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje në një takim delegacionin e ODHIR-it i përbërë nga Conny McCormack, kryetare e Misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit dhe Steven Martin, Këshilltar zgjedhor në ODIHR. Gjatë takimit u bisedua për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse të Raportit Përfundimtar të Misionit OSBE/ODIHR për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri, si edhe për përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme, bazuar në zbatimin e këtyre rekomandimeve. Në këtë frymë, Presidenti Nishani, pasi shprehu vlerësimin për rolin e shkëlqyer të Misionit të OSBE/ODIHR gjatë zgjedhjeve të fundit, vuri në dukje se zgjedhjet e fundit tejkaluan shumë nga problemet e shfaqura në të shkuarën dhe vendosën, në këtë mënyrë, standarde të larta, që, gjithsesi duhen avancuar duke zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
i keni vonuar shume keto ndryshime.
Punoni me te njejtin standarty qe ka punuar Saliu dhe Zhelefina, te majte qe eshte ne pushtet dhe ka 85 deputetei takojne 5 anetare ne KQZ, Saliu me 71 deputete ku sot ka vetem 44 si e djathte ka 4 anetar te KQZ. Te mblidhet Kuvendi dhe me ligjet qe jane ne fuqi te riformatohet KQZ e PD me Lesh e me presh, me Zgur dhe Osman, qe edhe roje objekti nuk i ve dot e jo me te mbrojne voten e lire nga Grabitqari Sali.