Sot shqiptarët janë të trullosur, me shpirt të helmuar. Aktualisht ky vend është shndërruar në një kënetë ku gjallojnë gjithë të këqiat, dhuna, arbitrariteti, mashtrimi, paligjshmëria, amoraliteti, korrupsioni, trafikimi, grabitja, krimi i organizuar. Këtë kënetë shpirtërore e morale, politike dhe shoqërore e ka krijuar klasa politike e organizuar në partitë politike që kanë qeverisur këtë vend në rrotacion gjatë mbi 20 viteve.
Shoqëritë demokratike zgjedhin njerëzit më të mirë për të qeverisur vendin dhe ngrenë struktura e institucione të qendrueshme. Dihet botërisht se njerëzimi ka ecur përpara nga njerëzit e iluminuar, vizionarët, krijuesit, novatorët. Shoqëria shqiptare nuk ka arritur kurrë të mandatojë për ta qeverisur bijtë e bijat më të mirë. Jo se nuk i ka dëshiruar, jo se nuk ka pasur dhe nuk ka intelektualë të tillë. Kanë qenë maskarenjtë, banditët, kriminelët, njërëzit e hurit e të litarit ata që janë afishuar si kapedanë, kanë rrëmbyer politikën, pushtetin, pasurinë dhe krejt sovranitetin e popullit me manovra dhe me presione, me dhunë, me korruptim. Shqiptarët nuk kanë ditur të zgjedhin mendjen përpara forcës. Rezultati ka qenë dhe është një politikë mediokre, amatore, me gjuhë barbare. Sot Shqipëria nuk ka një shtet ligjor të së drejtës (sundon paligjshmëria), nuk ka një ekonomi tregu dhe zhvillim që siguron mirëqënie për njerëzit, nuk ka një demokraci funksionale, janë bjerur vlerat morale. Më keq nuk mund të bënte kjo klasë politike ordinere.
Të fortët në drejtim, intelektualët në pushim
Në drejtimin e vendit, në të gjitha institucionet, është lukunia e të babëziturve për pasurim. Në parlamentin aktual janë me gishtat e një dore profesorët, pothuaj nuk ka asnjë ekspert të ndonjë fushe. Thjesht trupa e deputetëve nuk është një trupë e iluminuar. Shumica janë persona ordinerë, mjaft prej të cilëve janë aty si “të fortë”, merita e të cilëve është pasuria që kanë vënë dhe ndihma me financa që u kanë dhënë partive ku janë atashuar, duke siguruar vota me para ose me presione. E njëjtë është skema e qeverisjes së këtij vendi me të zgjedhurit në pushtetin vendor. Po kjo situatë në administratën shtetërore e publike, drejtorë me rekorde kriminale e të korruptuar, biznesmenë injorantë, militantë të partive me diploma të blera.
Si kanë ardhur në drejtim? Patën guximin e aventurierëve dhe të banditit që futet në shtëpinë e parë që i del përballë dhe grabit çfarë gjen. Ashtu bënë dhe zotërinjtë që morën pushtetin. Fillimisht në mënyrë banditeske krijuan tensione politike e shoqërore, përgatitën situatën për të ardhur në pushtet. Ata erdhën dhe iu vërsulën pasurisë së përbashkët, grabitën toka, fabrika, ndërtesa, kantiere, magazine. Filluan trafiqet, kontrabandën dhe hodhën sytë tek politika, për të mbrojtur dhe për ta shtuar atë pasuri që bënë për një kohë mjaft të shkurtër. Shpejt e morën kalanë e pushtetit e të politikës. Ndërkohë, si mjeshtra të mashtrimit joshën rreth vetes njerëzit më të dobët nga formimi moral dhe njerëzor dhe mbajtën larg intelektualët, njerëzit me integritet, specialistë dhe ekspertë të provuar në menaxhim dhe ide novatore. Mediokriteti në qeverisje, në politikë, në drejtim të punëve u “mandatua” dhe u “çertifikua” i përshtatshëm për të drejtuar shtetin. Ata që nuk e dinin se çfarë është demokracia, si ndërtohet një shoqëri demokratike kanë ligjëruar pa mbarim sllogane për demokracinë dhe në praktikë kanë zhvilluar një sistem antivlerash që po ia merr frymën shoqërisë sonë.
Të fortët janë mjeshtra, e ndjejnë që larg erën e parasë dhe të pushtetit. Por që të jenë të sigurtë se nuk rrezikohen, mënjanojnë njerëzit e formuar, të aftë dhe të përkushtuar. Intelektualët e vërtetë nuk kanë qënë dhe nuk janë të pëlqyer nga liderët e partitë politike. Nuk mund të fusnin dritë në skutat e errëta të veprimeve të paligjshme, të pandershme, aty ku grabiteshin pasuri, ku bëhej trafik, kontrabandë, krim ekonomik, ku jepeshin tendera. Intelektualët u lanë pa punë, shumica prej tyre dhe iu drejtuan emigracionit.
Puna ka shkuar akoma më larg. Vetë të inkriminuarit, të fortët, ofrohen si kandidatura për të marrë mandate. Ata u ofrohen partive si asete me shuma financiare për fushatat zgjedhore. Ata i blejnë të mandatet, futen të parët në listat e mbyllura të partive. Kështu është kompletuar “demokratikisht” ngrehina e drejtimit të vendit me njerëz të pasur, të fortë, mediokër, trafikantë, me pjesëtarë të familjeve. Një metodë pasurimi e shtetarëve nëpërmjet skemës shtetërore të vjedhjes së fondeve publike e taksave të shqiptarëve, që po përdoret rëndom e hapur është anëtarësia në bordet e ministrive, të drejtorive të ministrive, të agjencive të shërbimeve publike, të universiteteve, fakulteteve, institucioneve shkencore, kërkimore, kulturore, sportive, të institucioneve qeverisëse të pushtetit lokal, në shoqëritë anonime dhe ndërmarrjet pronë shtetërore e deri në ndërmarrjet e pastrim-gjelbërimit, të ujësjellës-kanalizimeve, të ujësjellësve të bashkive etj.
Klasa drejtuese e mbushur me mediokër di si të sigurojë jetëgjatësi në drejtim. E ka provuar në të gjithë periudhën e tranzicionit. Kjo klasë përdor financat, dhunën, presionin, mashtrimin, strukturat e shtetit për të pushtuar hapësirat informative, median, shtypin, opinionin, dhe t’i përdorë për të vënë në neutralizuar revoltën dhe protestën qytetare, për të mbuluar mbrapshtitë, korrupsionin. Ajo ka zënë rrënjë në drejtimin e vendit dhe nuk guxon kush ta shkulë. Së pari, ka mundur të mënjanojë e të mpakë mendimin intelektual dhe ekspertizën në të gjithë piramidën e drejtimit të vendit. Së dyti, ka fashitur alertin qytetar të njerëzve. Të gjithë e ndjejnë se po i mbyt e keqja, krimi, korrupsioni, paligjshmëria, padrejtësia, por askush nuk ngrihet të protestojë.
Kur mungon qytetari, në shesh del opozitari
E keni parë? Nuk ka asnjë protestë qytetare me kërkesa për një jetë më të sigurtë, më të denjë, kundër krimit të organizuar, kundër masave shtrënguese me taksa, kundër padrejtësive e paligjshmërive, kundër korrupsionit. Por, po këta qytetarë shkojnë masivisht në protestat që i organizojnë partitë politike opozitare. Shkojnë e tundin sllogane e parrulla, lëshojnë në qiell banderola e tullumbace dhe brohorasin liderat e tyre, të armatosur me demagogji e populizëm, si në kohën e Enverit. Protesta e opozitës me kërkesë për dorëheqjen e kryetarit të parlamentit mbështetur në një akuzë të pabazuar, është modeli i protestave “qytetare”. Protestues të këtij modeli, nëse nuk dëshirojnë të marrin pjesë, janë të detyruar nën kërcënimin e largimit nga puna, kur janë të punësuar, ndërsa të tjerët paguhen si mercenarë për dekor masiviteti në protestë. Mungon qytetari i vërtetë, njeriu i civilizuar, i cili di t’i mbrojë të drejtat dhe fatin e tij nuk ia beson askujt tjetër. Partive politike nuk u ka interesuar qytetari i vërtetë. Ato duan militantë kokëulur, mitingashë të bindur e të gatshëm për përleshje me kundërshtarët politikë. Këta militantë e mitingashë shpesh kanë qenë të organizuar në formë bande dhe janë përdorur për vjedhje votash, për të shkaktuar trazira, bile, brenda këtyre bandave janë trajnuar ekspertë për përgatitjen e shpërthimeve me bomba e tritol, për të krijuar situate pasigurie tek njerëzit, siç ka ndodhur mjaft shpesh kohët e fundit.
Politikanët pa kulturë janë mjerim për vendin
Ata kanë mësuar demagogjinë dhe populizmin që infektojnë demokracinë. Intelektualët e vërtetë vënë trurin dhe dijet e tyre në shërbim të shoqërisë. Pseudointelektualët kanë vetëm pasione për politikë dhe me ato pak dije që kanë u shërbejnë partive ku janë rreshtuar. Fillimisht partitë që lindën pas përmbysjes së diktaturës afruan mjaft intelektualë si “kuaj të racës”, në parlament, në drejtim të punëve të shtetit. Ishin njerëz me kulturë, persona me integritet, profesorë, mjekë, specialistë të fushave të ndryshme, avokatë, docentë universitarë. Rrugës erdhën gjeneratat e reja. Njerëz pa interesa kulturore, me prirje për të mashtruar, për të shfrytëzuar postet dhe detyrat për interesa personale iu atashuan partive politike. Ata ishin dhe janë autoreferentë që praktikojnë një pushtet larg misionit për të qeverisur për interesat e popullit dhe të vendit të tyre. Ata i shërbejnë vetes dhe klanit, janë pasuruar dhe kanë deformuar demokracinë.
Vetëdije e orientuar nga pasurimi
Në jetën publike shqiptare ka një modifikim të keq të vetëdijes sociale. Vetëdija sociale më shumë është e orientuar nga pasurimi, nga paraja, është infektuar nga vese, e shkretuar moralisht dhe e traumatizuar nga mungesa e perspektivës, e shpresës. Jemi këtu ku jemi. Ekranet i kanë pushtuar politikanë të mbrapshtë, me vese, të dhunshëm, agresivë, mashtrues, intrigues, lakmues të përfitimeve nga pasuritë publike. Tashmë qytetarët shqiptarë nuk habiten kur dëgjojnë për skenarë nga më të tmerrshmit dhe absurdët. Por, këto dinë dhe këto bëjnë politikanët tanë. Deri këtu shkon niveli i tyre dhe sidomos deri këtu shkon interesi i tyre. Niveli dhe interesi i tyre nuk është në sinkron me interesat e popullit që kërkon mirëqenie, siguri, shërbime, arsim, shërbim shëndetësor. Kjo shpjegon gjendjen e varfërisë, papunësinë, shkatërrimin e mjedisit, padrejtësinë sociale etj.
A ka rrugëdalje nga kjo situatë, a mund të dilet nga kjo kënetë?
Natyrisht që është e mundur. Sot në vendet demokratike politikën dhe menaxhimin e vendit e kanë marrë në dorë njerëzit e iluminuar, intelektualë, ekspertë dhe specialistë me integritet moral, që vënë në plan të parë ekspertizën, reformimin dhe rireformimin si motor ndryshimesh. Ky është modeli që i duhet politikës sonë. Këtë duhet të votojnë qytetarët shqiptarë, duke e ndërmarrë këtë operacion qysh në zgjedhjet e qershorit për pushtetin vendor. Le të zgjidhen njerëzit më të ndershëm, më të përkushtuar për interesat e qytetarëve dhe më të iluminuarit si intelektualë dhe menaxherë të provuar.
Drejt e thoni z.Muhamet, por kujt ia thoni?
Keshtu thoshte edhe Rama para se te hypte ne kale. Tani thote jo ai qe duhet, por ai qe dua une. Me nje llaf, ai qe mban torben e kalit tim, ai duhet…
Fatkeqesisht elektorati shqiptar ka perballe ligjin elektoral te Rames qe eshte nje goditje per demokracine dhe e kthen kryetarin e partise para zgjedhjeve princ ne krye te nje turme horrash dhe po fitoi zgjedhjet nje mbret qe ben cfar te doje me popullin.Po qe se me voten tone nuk zhdukim nga skena politike Berishen ,Ramen dhe Meten shqiperia do vazhdoje te ushqeje mire hajdutetPra larg kandidateve te tre forcave politike sepse sado te mire te na duken do te zbatojne direktivat e tre mafiozeve.
Nuk eshte problemi ne ka apo nuk ka intelektuale ne klasen politike aktuale shqiptare, ne kete ambient ka shume intelektuale, te kuptohemi, intelektuale qe konsiderohen si te tille ne Shqiperi, jashte Shqiperie keta tipa vlejne shume pak ose aspak. Problemi or lum miku, eshte se s’ka moral ne rradhet e politikaneve shqiptare. Jane provuar te gjitha variantet, nga e djathta, nga e majta, nga shoqeria civile etj. perfundimi eshte i njellojte. Pra ne fund te fundit eshte vete populli shqiptar i ketij niveli, i ketij stadi te zhvillimit social. Niveli i evolimit te ndergjegjes apo morali, siç thuhet ndryshe, eshte shume i ulet dhe pasojat shihen shume qarte, jo vetem ne politike, por edhe ne administrate, gjyqesor, arsim, shendetesi etj.
Enzo Biaggi, nje analist i shquar italian, dikur thonte : “Ne politike ne ndonje rast edhe mund te shkelet morali, por pa moral, politika nuk behet”.
E pra sot politikanet shqiptare duan te bejne poltike, pa asnje fije morali. Dhe per kete punet jane “ne vije”.
Keto zgjedhje lokale jane ato qe do t`ja djegin listat ne dore Rames dhe Berishes.Kanditatet e pavarur nga partite do ju marrin shumicen,rrezik edhe kryeqytetin,se populli nuk eshte me qorr.
Ne kapitalizem “njeriu per njeriun eshte ujk!”
Dilni nga iluzionet dhe shtrengoni s….!
Lerini denglat…..bla..bla..bla…!
I kam studiuar te gjitha organet e shtypit.Vetem ju trajtoni tema te mprehta sociale dhe kulturore.Hera heres persiateni te ofroni zgjidhje. Te tjeret merren 100% me politike. Panorama dicka…prape jo si Dita. Komplimente dhe suksese.