Angjelina Xhara*
Shtegu i suksesit në filmin artistik kalon përmes krijimit të emocioneve të vërteta artistike që vijnë përmes ekranit të madh të kinemasë, me një interpretim aktorial, që të bën të harrosh se je në film.
Spektatori mbërthehet pas ngjarjeve, duke ndjekur personazhe aq interesante, me të cilët vuan e përjeton halle, brenga, dashuri njerëzore…
Ne izolimin njerëzor të sotëm, të bllokuar nga probleme bumerang, filmi artistik i regjisorit te njohur Spartak Pecani na përçon një nerv të vërtetë të marrëdhënieve njerëzore në kohët e sotme.
Mbështetur në një gjetje fantastike te skenarit të marrë nga jeta ose letërsia e vërtetë, qe për mua është i njëjti shteg, ai krijon një atmosferë rrëmbyese të ngjarjeve, duke treguar me elegancë filmike.
Kujtohen me këtë rast emra të shquar të letrave shqipe si Fatos Kongoli e Edmond Tupja, që u bënë mbështetje e skenarit te shkruar nga Lindita Jaupaj Fezaj dhe Spartak Pecani, që bashkëpunuan ngushtë me grupin e zgjedhur të aktorëve, ku mbretërojnë dy aktorët e mrekullueshëm, Robert Ndrenika dhe Margarita Xhepa, që të dy, Nder i Kombit!
Në ekranin e kinemasë fillojnë e projektohen portrete të njohur dhe të rinj, duke krijuar një shkallëzim dramatik, të vërtetë e të besueshëm! Krahas aktorëve me përvojë shkëlqejnë edhe aktorë të rinj, që sjellin karaktere, përmes interpretimit të ndjerë e të besueshëm!
Një vilë pleqsh, përballë një opinioni të shtrembër…
“Janë një çift të çmendur pleqsh”.. – guxon e flet shitësja e supermarketit modern, përballë vilës dy katëshe.
Dhe eleganca e interpretimit aktorial, e kamerës aq shprehëse, e muzikës aq të përshtatur, e montazhit modern, na sjellin përballë një realitet krejt të kundërt!
Zbulohet historia e një dashurie të madhe që nuk ka moshë, e një dashurie pleqsh, në kohët tona të absurdit, ku ka ndodhur tërmet në kuadrin e marrëdhënieve të dikurshme familjare!
Duket sikur mungon respekti mes brezave, në një shoqëri që ka pësuar një transformim të tmerrshëm… Jo se mungon dashuria, ajo ekziston, por shfaqet në mënyra të çuditshme… Diku merr peshë të madhe paraja, interesi, futja e fjalëve të pakëndshme mes fëmijëve e prindërve, një ekzagjerim i përplasjeve, që sjell jetesa e re moderne, secili në shtëpinë e vet…etj.
E prek këtë temë te madhe, ky film, me forcën e artit të vërtetë kinematografik.!!!
Çifti klasik mbetet në përjetimet e veta të dashurisë, duke përballuar dallgë të jetës së sotme, që përplasen si në një film surrealist dhe, pa dashur, krijojnë situata të mprehta familjare, kur thuhen ose nënkuptohen përplasje të mëdha të brezave, të botëkuptimeve, të përjetimeve të jetës ndryshe!
E them me bindje se ky film i ri, “Bolero në vilën e pleqve”, është një realizim kinematografik, që na sjell pranë cilësinë e filmave më të mirë të realizuar dikur nga Kinostudioja “Shqipëria e Re”.
E ndiej ta them këtë emocion të përgjithshëm që më solli filmi, duke u përqendruar veçanërisht në lojën e shkëlqyer të aktorëve madhështorë të kinemasë shqiptare Robert Ndrenika e Margarita Xhepa!
Kur hyra në sallë, kisha dëgjuar për çmimin e madh të marrë në Varshavë, në Festivalin e Filmit të Europes juglindore, por duke folur e entuziazmuar për këtë nivel të lartë artistik, marr vesh se filmi ka korrur sukses të madh, nga Amerika e Kanadaja, në Europë, në Paris, Romë, Palermo, Prishtinë, etj.
Ndjehemi vërtetë mire kur shikojmë një unison në realizimin e të gjithë komponentëve të Filmit e sidomos të një interpretimit të goditur të aktorëve kryesorë, që mbajnë peshën dramaturgjike.
Kur e pa filmin për herë të parë Aktorja e shquar Tinka Kurti, foli me zë të lartë mendimin e saj, Robert ta ka marrë në kthesë Margarita në këtë film!
Vërtetë Margarita vjen në këtë film, me siluetën e një Margarite tjetër!
Ajo vjen me një krehje të veçantë të flokëve, lëviz e vepron në një shtëpi të bukur, është krijesa e mrekullueshme, që frymëzon bashkëshortin e saj, t’i bjerë tastierës se pianos, me forcën e një 50 vjeçari, të xhelozohet me një mace që ka pranë, gruaja e tij, e cila tashmë nuk ka këmbë të ngjitet në krevatin martesor në katin e dytë, por këmben letra dashurie me të, në një ceremonial aq të veçantë, që zbulon dashurinë e përjetshme…
Margarita Xhepa, pianistja e paharruar e filmit “Koncert në vitin 36”, nënë Shanoja, tek “Dimri i fundit”, Zyrakja tek “Vitet e para” dhe krijuesja e dhjetëra roleve në kinematografinë shqiptare, vjen në këtë film, me rol kryesor, duke mbajtur peshën e bukur të dashurisë bashkëshortore, peshën e nënës që di të kuptojë dhe të ndërhyjë në sjelljen e bijve të saj, që koha i ka larguar nga njëri-tjetri, që di të sjellë besim në jetë edhe tek shërbyesja e saj, që vuan lojën e egër të fatit të saj…
Shikimi i syve të Margaritës, batutat e saj të thëna me zë dhe pa zë, krahas lojës së mrekullueshme te aktorit të madh të kinemasë shqiptare, Robert Ndrenika, i cili po ashtu “flet” më shumë me veten, me letrat që shkruan apo me pianon, që sa nuk e thyen, tek ekzekuton Boleron klasike, për të shprehur ndjenjat e thella të dashurisë së tij!
Ndrenika ka qenë një nga aktorët më të adhuruar të regjisorëve tanë, ndaj ka një galeri të tërë personazhesh të paharruar në role kryesore në filmat, nga “Mësonjëtorja”, te “Rrugë të bardha”, “Neë shtëpinë tonë”, etj etj, por roli i tanishëm i tij, është vërtetë diçka ndryshe, sepse ai tregon një rinim shpirti dhe emocionesh, që e bën spektatorin të ndjehet i mahnitur para ekranit të kinemasë…
Magjike është atmosfera e krijuar në këtë film të suksesshëm ndaj spektatorit që del nga filmi i kenaqur, por edhe i menduar…
Filmi po shfaqet me një publik të madh në kinematë e Tiranës, Korçës, Fierit, Lushnjës, etj, ku po organizohen edhe premiera të bukura në këtë pranverë, që duket se e ka lënë pas koronavirusin e frikshëm…
Premiera e tij në mjediset e sotme, të kinemave moderne, si Millennium dhe TEG në Tirane, tregojnë, se sa i rëndësishëm është niveli i lartë artistik, për të sjellë spektatorin pranë kinemasë!
Filmi i Spartak Pecanit “Bolero në vilën e pleqve” tërhoqi vëmendjen, se u paraqit si një love story e jashtëzakonshme e moshës së tretë!
Autorët guxojnë të trajtojnë edhe temën e marrëdhënieve gej, që është përhapur vitet e fundit, me problemet plagë, që krijohen, me dhimbje e përplasje të egra… Karakter të vërtetë vizatoi në ekranin e kinemasë aktorja kosovare, që luan mjeshtërisht rolin e shërbëtores, me historinë e një dashurie lesbike, ose vajza e çiftit të të moshuarve me urrejtjen e saj të ngrirë për shërbëtoret e sotme!
Filmi duhet parë si një arritje e madhe e gjuhës filmike, me një realizim të plote regjizorjal, dramaturgjik dhe aktorial.
Për filma të tillë, qendra e filmit dhe sponsorët e tjerë nuk i kanë hedhur në erë lekët, por kanë ndikuar në vazhdimin e themeleve më të mira të artit kinematografik në Shqipëri!
*Kineaste dhe kritike filmi