Në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka kërkuar sërish zbatimin e vendimit të gjykatës për çështjen e Fierit. Nga ana tjetër, duke përmendur botimin e tri ditëve më parë në gazetën “Dita” të intervistës së dhënë në 2005-n nga kryeminitri aktual, ai theksoi se duhet parë se çfarë ka ndryshuar tek Berisha.
Zoti Ruçi, cila është oferta e Berishës për qarkun e Fierit?
Është një ofertë mashtruese. Ai kërkon të bëjmë një mocion që është rrëzuar me vendim gjykate. Ka disa vendime që kreun e Këshillit të Qarkut ia japin opozitës. Është bërë mbledhja e parë e Këshillit të Qarkut, edhe në prani të gjithë deputetëve të qarkut. Sapo u zgjodh kreu i ri i këshillit, mazhoranca në mënyrë antiligjore bëri një mocion dhe shkarkoi kreun e zgjedhur. Këtë po kërkon të bëjë edhe Berisha. Janë bërë presione të jashtëzakonshme ndaj këshilltarëve dhe kanë marrë peng edhe këshilltarë për të ndryshuar raportet në Këshill.
Pra, ju nuk do t’i votoni tre ligjet me shumicë të cilësuar?
Ne nuk jemi numra që të na përdorë sa herë i duhen Saliut. Bashkimi Evropian ka thënë disa herë që korrupsioni në vend lulëzon. Nuk është zgjidhur çështja e pronave dhe një sërë standardesh të cilat Saliu duhet t’i plotësojë dhe më pas të vijmë te tre ligjet. Qarku i Fierit është me vendim gjykate. Ligji na jep ne të drejtë. Ne kemi të bëjmë me një abuzim total dhe për këtë ata që e kanë bërë, do të përgjigjen.
Zoti Malaj ka thënë se PS-ja do të ketë kosto nëse i largohet Brukselit për Fierin?
Unë ia kam dhënë përgjigjen. Nuk më erdhi mirë që ai mbajti të njëjtë qëndrim edhe në debat me Kryeministrin. Bën mirë që Malaj të jetë në mbështetje të grupit parlamentar. Arben Malaj duhet të respektojë vendimet kolegjiale të grupit. Partitë i mban rregulli dhe normat. Ke të drejtë të debatosh dhe propozosh, por më pas duhet të zbatosh vendimin e shumicës.
Kjo nuk është kritika e parë e Malajt. Ai ka folur dhe për zhurmuesit për celularët?
Edhe ky është një debat shterpë. Në një parti ka rregull dhe etikë. Kur fillon mbledhja duhen dorëzuar celularët te dera. Vetëm te ne ndodh që futesh në një mbledhje dhe kur nis diskutim dhe të gjithë merrem me celularët. Këtë e ka përdorur Saliu. Ai ka një problem të madh. Ai duhet të thotë se si zhvillohet mbledhja e qeverisë. Asnjë celular nuk punon në mbledhje dhe është krejt normale. Ne atje po diskutonim një projekt tonin dhe vendosëm që ta mbanim të fshehtë. Berisha pati merakun se nuk mori vesh çfarë tha Rama në atë mbledhje.
Ju thoni që është çështje përgjimesh?
Sigurisht. Këtë ia kam thënë dhe Saliut në kuvend. Ai e ka të thjeshtë se s’ka as sekretar, as kryesi, është vetëm Saliu. Ata na përgjojnë dhe këtë e kanë thënë dhe mediat, dhe jo vetëm ne. Ai ka blerë dhe një aparat për të përgjuar opozitën apo dhe diplomatët e huaj. Është një aparat që u afrohet mureve të ambasadave sa herë ka ndonjë takim atje.
Në lidhje me përgjigjet, nëse është e vërtet se u ka përgjuar, mos po e lidhni përgjimin me 21 janarin?
Pas 21 janarit kanë ndryshuar shumë sjellje e veprime të mazhorancës aktuale. Kjo vërtetohet nga deklaratat e kryeministrit, i cili tha se kishte informacion për çadra pistoletë dhe thika me helm. U ndaluan 300 veta dhe nuk u gjet asnjë provë e vetme. Berisha tha se SHISH-i nuk i dha informacion. S’kishte si t’i jepte kur nuk kishte asnjë provë të vetme.
Çfarë do të bëni në lidhje me komisionin për Imamin?
Kjo që thashë këtu, është vetëm një fillim që unë deklarova me keqardhje. Çdo ditë që kalon, kjo qeverisje është në ikje. Shyqyr i kanë mbetur vetëm tetë muaj në qeveri. Ne nuk shkurajohemi dhe nuk tërhiqemi. Këtë detyrë kemi. Nuk vjen dikush nga jashtë të bëjë vendin tonë. Jemi ne që duhet ta bëjmë këtë. Zgjidhja e kësaj situate do të vijë në zgjedhjet e ardhshme. Opozita ka dy pista: njëra është denoncimi i aferave të kësaj qeverie. Siç janë reklamat qeveritare për të mbajtur median nën tutelë. Kjo është liria e medias në Shqipëri. Berisha i ka kapur të gjitha institucionet me idenë se mund të sundojë. Sot kemi një Kryeministër që sundon. Nëse do të kuptosh se kush është Sali Berisha, mjafton të kujtosh një intervistë që ka botuar gazeta “DITA” me publicistin Mustafa Nano dy ditë para zgjedhjeve të 2005-s. Kur e pyet Saliun si luftohet korrupsioni, ai i përgjigjej se korrupsioni lulëzon kur ka pushtet të pakufizuar. Fiks siç kemi ne kryeministrin sot. Çfarë ka ndodhur me Saliun në këto vite që ka ndryshuar mendje?!
A keni bërë ndonjë gabim ju si opozitë në këto shtatë vite?
Kush punon, edhe gabon. Por në strategji nuk kemi gabuar në asnjë rast. Nëse do të heshtnim për zgjedhjet e vitit 2009, nuk do të ishte bërë ndërkombëtare çështja e zgjedhjeve në Shqipëri. Mikja nga SHBA-ja, Hillari Klinton, në një fjalë model në Kuvendin e Shqipërisë na u lut si vend që të bëjmë më në fund pas 22 viteve demokraci zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë i vlerësoj të gjithë ata që na kanë parë me skepticizëm edhe ata që na kanë kundërshtuar. Por më në fund u bindën se këtu zgjedhjet nuk janë të lira dhe të ndershme.
Kemi dhe 10 ditë kohë për të plotësuar tre kërkesat që duan votën tuaj. Ju nuk do t’i votoni?
Unë e thashë dje në Kuvend. Nuk është problem ditësh, por është çështje vullneti. Ka të bëjë me qëndrimin aspak demokratik të Berishës. Pyetja shtrohet a ka ndonjë gjë që duhet të bëjë qeveria për integrimin, vetëm Edi Rama paska detyra. Ky Berishë që kërkon ligjet të miratohen pse nuk zbaton vendimet e gjykatave. Ky po kërkon të mos ruajmë votën. Nuk mund të tolerojmë që kur kemi të drejtë të mos ngremë zërin. Ky kërkon nënshtrimin e opozitës. Ne nuk kërkojmë mëshirë. Duam atë që na jep ligji.
A do ta mbani përgjegjësinë e mosmarrjes së statusit?
Nuk kemi asnjë përgjegjësi. Shikoni qëndrimin e Holandës sot, ku thotë se Shqipëria ka probleme me korrupsionin, me kriminalitetin, me të drejtat e njeriut, me pronën. Këto janë detyrat e Kryeministrit. Meqë nuk di t’i zgjidhë, ka vetëm një rrugë: të dorëzojë pushtetin pas verdiktit që do t’i japë populli.