Dr. Adem Harxhi
Seksualiteteti dhe spiritualiteti janë shumë të afërt me njeri tjetrin. Për këtë ka fakte. Shkenca mbi trurin, ka vërtetuar se qendrat nervore të spiritualitetit dhe seksualitetit në tru, janë të vendosura shumë afër njëra tjetrës. Në eksperimente është provuar se veprimi mbi njërën qendër, ndikon edhe tek tjetra. Këtë lidhje midis tyre, një klerik i njohur, e shpreh shumë bukur e thjeshtë kur thotë: “Po qe se pas rrëfimit, nuk ndryshon seksualiteti i atij, ose asaj që rrëfehet, kjo tregon se procesi i rrëfimit nuk ka qenë as i thellë, as i plotë dhe as efektiv”.
Ata që kanë lexuar këngën e Solomonit në Bibël, e kuptojnë këtë lidhje. Kjo “këngë e këngëve”, është një koleksion i poezive lirike që i gëzohen dashurisë njerëzore. Poezia e përshkruan natyrën dhe trupin e burrit e të gruas me erotizëm të pasionuar:
Sa e bukur je dhe sa e hijshme je,
o e dashura ime, me të gjitha ëndjet që siguron!
Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës
dhe sisët e tua janë si vile.
Kam thënë:
“Do të ngjitem mbi palmë dhe do të kap degët e saj”.
Qofshin sisët e tua si vilet e rrushit,
aroma e frymës sate si ajo e mollëve.”
(Bibla shqip, 7/6,7,8. faqe 715)
Në të gjithë historinë njerëzore, poezitë erotike më të mirat e më të bukurat i kanë shkruar priftërinjtë dhe murgjit. Kjo nuk mund të jetë rastësi. Prift dhe murg i mirë është ai, që e do në mënyrë më pasionante Zotin. Kjo do të thotë, që ai, ose ajo, duhet të jetë pasionant, një person seksual.
Si shpjegohet atëherë, që disa njerëz, shumica prej tyre religjiozë, zgjedhin dëlirësinë dhe beqarinë si mënyrë të jetuari?
Për këtë ka dy arsye.
E para: Ata që zgjedhin të mos kenë marrëdhënie me njerëz të tjerë, vendosin të jenë shumë të përmbajtur seksualisht. Ata zgjedhin beqarinë dhe dëlirësinë. Këto janë çmimi që duhet të paguajnë, për këtë zgjedhje që kanë bërë. Dhe ata e gjejnë këtë çmim, të meritueshëm.
Arsyeja e dytë është thellësisht religjioze. Ata zgjedhin beqarinë sepse nuk duan të largohen nga dashuria e tyre për Zotin. Ata nuk duan të bëhen viktima të dashurisë njerëzore. Ata e dinë, siç thosh Shën Auguistina: “ Ju na bëtë ne për Veten Tuaj, i dashur Lord, dhe ne nuk mund të gjejmë qetësi të vërtetë veç tek JU”. Dhe…. kjo bëhet e mundur, kur marrëdhëniet me Zotin, zënë vendin e parë.
Si bëjnë me urinë seksuale, ata që kanë zgjedhur si opcion të jetës së tyre, dëlirësinë dhe beqarinë?
Rekomandimet janë thënë shumë thjesht. Të gjejnë aktivitete të tjera, që energjitë seksuale t’i harxhojnë në mënyrë shpirtërore të dobishme. Kjo është mënyra më e nderuar, që mposht urinë seksuale. Duhet ajo që frojdianët e rinj e kanë quajtur ”aktivitetet sublime”.
Nënë Tereza kishte gjetur zgjidhjen më të përsosur. Energjitë e saj seksuale ajo i shndërroi në dashurinë pa kufi për më të varfrit e botës. Të gjesh Krishtin në fytyrën plagë, të atyre që vdesin, është mrekullia që e shndërron dëshirën seksuale në admirim pa fund dhe madhështi për Zotin. Ajo jep satisfaksion personal të jashtëzakonshëm.
Gruaja e famshme shqiptare, Nënë Tereza, kishte gjetur një mënyrë që ishte më e mira nga të gjitha mënyrat. Nënë Tereza e dashuron Krishtin, nëpërmjet dashurisë prej shenjtoreje për njerëzit. Ajo gjeti kënaqësinë e jetës së saj tek Krishti. Ajo pret ta përshëndesë Atë, tek çdo i varfër dhe i sëmurë që ajo e donte dhe i shërbente. Nënë Tereza thoshte: “ Dashuria për Krishtin i ishte ngulur aq shumë në zemër, sa që e shihte Atë, tek kushdo që i shërbente.” Personi i parë, që gjeti në rrugë të Kalkutës me fytyrë të ngrënë nga krimbat dhe minjtë, nuk mund të ishte tjetër, thoshte Nënë Tereza, veçse Krishti i braktisur. Në shtëpinë që kishte ngritur për ata që ishin duke vdekur, ajo shihte në çdo trup të drobitur, vuajtjet e Krishtit që jep shpirt. Për të dhe për bashkësinë e saj, Krishti, është në çdo plagë leproze që pastrojnë, në çdo fëmijë që ushqejnë, në çdo trup të kredhur në urinë që e lajnë.
Ja si shprehet ajo vetë: “…ndryshe, nuk do të mundja të kujdesesha me dashuri njëlloj për të gjithë. Njerëzit më pyesin shpesh, se si mund ta pastroj plagën e qelbur të leprës. Më thonë: ‘Ne nuk do ta bënim as për para dhe as për dhimshuri’. Ua kthej: As ne nuk do ta bënim. Por e bëjmë për dashurinë ndaj Tij”
Betimi që ato kanë bërë për besnikëri të papërlyer, kërkon që zëmra e tyre t’i jepet Krishtit. “Jam martuar me Të, si ta themi, siç je martuar ti me bashkëshorten tënde.” –u shpreh një herë rastësisht Nënë Tereza. Dashuria shpirtërore e kompenson dëshirën fizike. Shërbimi plot dashuri për njerëzit, është një formë e sublimimit që e vë trupin nën kontroll. Eksperienca religjioze është potencialisht seksuale.
Nënë Tereza është e paarritshme. Asnjë njeri në këtë botë, sado kristian të jetë ai, nuk matet dot me Nënë Terezën. Askush, nuk mund të përdorë mënyrën e Saj të sublimimit, për dëshirat seksuale. Por, ajo që gjithkush mund të bëjë, është të gjejë ku t’i shpërndajë energjitë e tij seksuale, nëpër oportunitetet që janë kudo, sipas mënyrës e mundësive të tij. Rëndësi ka fakti, që të dashurojmë ata që janë në nevojë dhe të padashuruar. Ky është mësimi i madh që jep Nënë Tereza me jetën e saj, për të gjithë njerëzit dhe kristianët e botës.
Nënë Tereza, është një shpirt që i ka kapërcyer të gjitha dallimet racore, fetare, dhe kombëtare. Ajo nuk kërkoi favore, ndere e mbretëri. Ajo ishte një këngëtare e vërtetë e Zotit, tërësisht, e përkushtuar për të lehtësuar dhimbjen e të tjerëve.
***
Edhe pse Nënë Tereza është e të gjithë botës, ne kemi privilegjin të jemi bashkëkombës të saj. Ajo e ka pohuar këtë me gojën e saj. Ajo e pohoi këtë kur mori çmimin Nobel në Oslo, më 1979. Po në këtë ceremoni, vëllai i Nënë Terezës, Lazari, tha: “Kur ishte fëmijë, Atë nuk e thërrisnim Anjeze, por Gonxhe, që në gjuhën shqipe do të thotë ‘ lule që s’ka çelur ende, burbuqe’, sepse ajo ishte faqekuqe dhe topolake si gonxhe trëndafili. Mbahej pastër si drita dhe ishte e papërtuar”.
At Celeste van Eksem, udhëheqësi shpirtëror i Nënë Terezës, në ditët e para kur njohu Nënë Terezën thoshte: “Ajo e përshkruante babanë e vet, Kolë Bojaxhiun, si një person të njohur në Shkup, që fliste përveç shqipes, qe ishte gjuha amtare, edhe serbokroatishten dhe turqishten.”
Ajo ka doktoraturat, mirënjohjet, dekoratat dhe titujt më të larta dhe më të shumta nga çdo njeri tjetër në këtë planet. Askush nuk ka arritur ti numërojë ato sa ishte gjallë Nënë Tereza, sepse pa mbaruar lista, Ajo merrte të tjera.
Ajo nuk pranoi ndere dhe ceremoni. Shpenzimet që do të bëheshin për ceremoninë e dorëzimit të çmimit Nobel, Ajo, u a ndau të varfërve. Ishte hera e parë që çmimi Nobel dorëzohej pa ceremoni të bujshme.
Është në nderin e të gjithë shqiptarëve, që trojet tona të bëhen vend pelegrinazhi, për të gjithë adhuruesit e shumtë të Nënë Terezës, kudo ne botë. Këtë na i do zëmra të gjithëve. Por që të arrihet kjo, nuk duhet të këtë më lypsa nëpër trotuaret e Shqipërisë. Duhet luftuar varfëria, ashtu siç luftoi me të, Nënë Tereza. Le të heqim të gjithë diçka nga vetia, për t’ua dhënë atyre që kanë nevojë. Ata që nuk e kanë mundësinë të ndihmojnë materialisht, le t’u falin dashurinë dhe ngrohtësinë. Ndërsa ata që rrojnë në luks, dhe nuk dinë ç’ta bëjnë pasurinë e pamerituar që zotërojnë; ata që kanë obligimin të luftojnë me varfërinë që ka pllakosur këtë vend dhe nuk bëjnë asgjë për të; ata ndjehen keq, kur kuptojnë se forca e Nënë Terezës qëndronte tek varfëria e saj. Ja pse ata flasin dhe bëjnë pak në nderim të Shenjtores shqiptare, edhe atëherë kur janë të detyruar ta bëjnë këtë, siç janë këto ditë të shenjtërimit të Saj.
Nënë Tereza ishte nëna e më të varfërve dhe më të sëmurëve të botës. Monumenti më i mirë për Të, do të ishin trojet tona pa të varfër. .
******
Botuar në rubrikën e Dr. Harxhit në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen e redaksisë dhe pa citimin korekt e të dukshëm të autorit
Seksualiteti dhe spiritualiteti?
1. Shkenca ka vërtetuar se qelizat ose qendrat nervore në tru komunikojnë me njera tjetrën, larg apo afër qofshin, dhe venë në punë sistemet e tyre të punës sapo marin një sinjal e deri sa zgjidhet problemi.
2. Spiritualiteti buron nga shpirti dhe ka dy anë: Njëra lidhet me fenë dhe merret me mbijetesën e shpirtit të njeriut pas vdekjes si një qenie e mbinatyrshme me foma të ndryshme si shpirt, fantazmë, zanë, shtrigë. Tregëtarët e shpirtit të vdekur bëjnë biznes të mirë me ata që bijen viktimë e kësaj ideje. Kurse për shkrimtarët ato përdoren si figura artistike për të plotësuar dhe rritur vlerën e shkrimit të tyre. Ana tjetër është shpirti i gjallë i njeriut, jeta, nga ku burojnë qëndrimi, forma, gjendja fizike, shpirtërore, morale e mendore e njeriut dhe e shoqërisë, si shpirt i papërkulur për të realizuar qëllimin, idenë, projektin, apo kur themi të kam xhan e shpirt, njeri shpirtmadh, me shpirt praktik, intelegjent, krijues. Pra të dy rastet lidhen me idenë dhe kanë burime të ndryshme, njëri qiellore, tjetri tokësore, njerëzore.
3. Seksualiteti lidhet me kënaqësin e njeriut të krijuar nga natyra por edhe nga burime të tjera, nga një gëzim i jashtëzakonshëm siç kemi mësuar për raste të urrejtjes apo gëzimit ekstrem dhe është veprim i papritur, i momentit që nuk ndryshon asgjë më pas.
4. “Kleriku i njohur”, që citohet në artikull, me sa duket, dëshiron të lidhi fenë me shkencën, për ta bërë dhe fenë të duket shkencore. Kjo është rruga e fesë. Veç kësaj ai prezanton idenë që shpaloset në artikull nga një njeri i shkencës i cili në vend të rrugëve shkencore kalon për shkencore idenë e vetëpërmbajtjes nga dashuria për Zotin.
Logjika të shtynë të mendoshë se ata që falen më shumë janë klerikët, pastorët misionarët fetarë dhe besimtarët e thjeshtë. Citati i “klerikut të njohur” duket si justifikim për kolegët e tij që nga thellësia e rrëfimit kalojnë në eksitim dhe sulen ku të munden, siç tregojnë skandalet në fushën e moralit të klerikëve të ekspozuara në shtyp dhe në media. Mirëpo ata janë në fakt si shumë të tjerë në shoqëri që për arsye të njohura nuk përmbahen dhe abuzojnë. Ndryshe, del që shumica e klerikëve që janë të pastër moralisht në “procesin e rrëfimit nuk kanë qenë as të thellë, as të plotë dhe as efektivë”. Zgjidhni e merni zotërinj si kleriku dhe doktori.
5. Racionaliteti dhe vetëpërmbajtja janë arritjet më të mëdha të njeriut social modern.
6. Fjalia e fundit e artikullit është racionale. Përshëndetje, Kasandra.