Partia Socialiste e cilëson të gabuar shitjen e katër HEC-eve, për të cilat nuk është bërë transparencë. Në një deklaratë për mediat, deputeti socialist Eduard Shalsi, tha sot se qeveria “Berisha” duhet të pezullojë aktin e shitjes së katër HEC-eve, si një veprim që do të kishte ndikim negativ në ekonomi, por edhe në fushën sociale.
“Argumenti ynë kryesor ka pasur të bëjë me faktin se qeveria brenda një kohe shumë të shkurtër, 2-3mujoresh ka marrë dy lloj vendimesh, nga njëra anë shiti, HEC-in e Lana Bregasit me një çmim prej 3 milionë eurosh për një megavat fuqi të instaluar dhe nga ana tjetër, po shet 4 HEC-et me një çmim prej 1.4 milionë eurosh për 1 megavat fuqi të instaluar. Mos harrojmë se vetëm pak kohë më parë për HEC-et e Bistricës qeveria ka marrë një kredi që edhe pas shitjes së tyre do e paguajë po prapë qeveria shqiptare, po prapë shqiptarët. Qeveria nuk ka bërë asnjëherë publike bilancet të këtyre hidrocentraleve në mënyrë që qytetarët të gjykojë këtë privatizim për të cilin nuk ka pasur konsulta me ekspertë apo specialistë të fushës”, tha Shalsi.
Sipas Shalsit, shitja e HEC-eve do të rëndojë në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe për të provuar këtë, gjatë ditëve në vijim, PS do të sjellë edhe argumentet e nevojshme.
“Vendimi për të shitur 4 HEC-et është i gabuar dhe me pasoja negative në të ardhmen e shqiptarëve, me ndikime negative në ekonomi por edhe në fushën sociale, ndaj ne do ti kërkonim qeverisë shqiptare të pezullojë aktin e shitjes së këtyre 4 HEC-ve. Ne gjykojmë se bëhet fjalë për një shitje në kurriz të interesave të shqiptarëve me ndikime negative në ekonomi dhe fushën sociale. Në ditët në vijim do t’ju japim argument financiar kundër kësaj shitje”, tha Shalsi.
Leave a comment