Letër redaksisë së DITA-s
Jam Zaharulla Mici (Strakosha). Kam patur një shtëpi në Dhërmi, në sheshin e Shën Dhimitrit, trashëgim nga prindërit e mi. Pasi mamaja ime u martua u bë dyqan të cilin ja dhamë me qira Thanas Beli-t. Këtu ishte qendra e fshatit me dyqane të ndryshme. Them kam patur, pasi firma “Gjikuria” me në krye Lorenc Gjikuria e ka shembur duke lënë një murishte sa për shenjë.
Ngjarjet kanë rrjedhur si më poshtë:
Shtëpitë në Dhërmi nuk qenë të hipotekuara, kështu që vendosa të paraqes dokumentacionin e duhur në bashkinë e Himarës në shkurt të 2014- ës. Po në shkurt vajta në urbanistikën e Himarës për të kërkuar leje për rindërtim. Më thanë nuk lejohet, pasi është zonë e mbrojtur nga UNESKO dhe do i rindërtojnë siç kanë qenë (dyer, dritare, çati) falas. Certifikatën e pronësisë e mora në tetor të 2019-ës . Në prill të 2014 -ës më njofton një shoqe që po më shembin muret e shtëpisë. Vajta urgjent në Dhërmi dhe bisedova me kryeplakun e fshatit z. Aleks Marko i cili më thas se gabimisht e goditi skrepi që rregullonte sheshin e kishës. Vajta në Himarë e denoncova në bashki te z. Goro dhe pas disa ditësh erdhi policia e Himarës për ta verifikuar.
Kërkoi të takonte kryeplakun por pretendoi se ishte në Vorë ndërkohë që ishte në Dhërmi. Pasi me qetësuan, duke më thënë të mos bëhem merak se do e diskutojnë çështjen dhe s’do vihet më dorë mbi të. Ika me mend se si gjithë shtëpitë e tjera do rikonstruktohej dhe e imja, por ajo gjatë kohës rrafshohej. Shtëpia ishte e para 1900-ës me mur guri 70 cm të trashë me një tarracë në formë ballkoni që lidhte shtëpitë e dy vëllezërve dhe dy dritare përballë njëra-tjetrës. Bile këtu ka patur një histori të bukur mamaja ime kur u fejua. Me që nuk kisha certifikatën e pronësisë nuk mund të adresohesha në vend tjetër.
Ndërkohë L. Gjikuria kërkoi ta blinte. E refuzova. Pas kësaj më merr në telefon sekretarja e tij kur unë isha në Fier për ta blerë, përsëri refuzova duke i thënë nuk kam shtëpi për të shitur. Dhe fjalët e tij përmes sekretares ishin: ti nuk mund të ndërtosh shtëpi atje. Ne do ta sheshojmë dhe po more certifikatën ndërtoje. Ai donte ta blinte, ta bënte dy katëshe si të tjerat që ka blerë, se vetëm atij i lejohen dy katëshet, të tjerëve ua prish katin e dytë. Ngjitur me murin e shtëpisë time që prishi ka blerë shtëpinë e Gjikopujve dhe meqë nuk ju realizua dëshira e rrafshoi të kishte shesh pamje.
Sheshi i Shën Dhimitrit u shtrua një herë në 2014-2015. Pasi filloi të blejë e rikonstruktojë shtëpitë, shtëpia ime u bë bazë e mbeturinave të tij. Në 2019- 2020 i groposi të gjitha te sheshi i përfunduar që në 2015-ën ku bëri shesh dhe shtëpinë time, në vend që t’i transportonte aty ku duhej, por kjo kishte kosto të madhe. Kështu jo vetëm që ndryshoi rrugën që kalonim brez pas brezi por rriti dhe lartësinë e sheshit beri tek gjysma e dritares time që ka lënë.
Më preu kështu çdo shpresë për të vajtur në vendlindje ku kam kujtime të bukura dhe të hidhura pasi kam varrosur të rinj e të moshuar. Jam mësuese e dekoruar dhe nuk duroj dot padrejtësitë që bëhen nga parallinjtë. Kërkoj të diskreditohet publikisht, të vihet në vend jo vetëm dëmi material, por edhe gjendja ime psiqike që rëndohet se nuk gjen të drejtën. Pse nuk kontrollon Ministria e Kulturës dhe Monumenteve çfarë bëhet me fondet që ka akorduar UNESKO për të qenë fshati siç ishte, por i rindërtuar? Me respekt ndaj gazetës tuaj që e lexojmë çdo ditë.
Zaharulla Mici (Strakosha )