Nën rrëmujën e gurëve prej xhami, gjysmë të çmuar, takojmë Anisa Allmuçën. Kjo vajzë “bufe” që reflekton mirësi është një stiliste e re, por që sot e njohin shumë, sidomos ato që nuk preferojnë prodhime seri.
Anisa e nisi me rroba për kukulla e pantallona për mikeshat, për të ardhur deri këtu. Në një punë krejt të sajën si stiliste. Por jo vetëm…edhe rruazat e dikurshme të mamasë shërbyen që sot të krijojë bizhutë që nuk gjenden lehtë në vitrinat e dyqaneve. Ajo është e vetmja stiliste, e cila ka markën e saj të bizhuve sot në treg. Janë të gjitha punime dore, origjinale, unike dhe të veçanta për këdo që do të ketë një të tillë.
Anisës i ka ndodhur që pasioni t’i kthehet në profesion, sepse siç na tregon në fillim ka studiuar për flaut. Ama kur ndodh ky kalim nga muzika në stilim, atëherë përkushtimi është me kohë të plotë. Le të mbetemi te stili që e ka shoqëruar gjithmonë personazhin tonë. Të gjithëve na ndodh që disa njerëz na ngacmojnë shikimin, qoftë edhe për së jashtmi me ndonjë kombinim fin që i kanë bërë vetes së tyre. Por këto detaje nuk i hasim rëndom e për këtë arsye duhet të njohësh personin e duhur për t’u konsultuar, por edhe për të marrë prej saj. Sot ajo është e kënaqur në oazin e saj të ngjyrave. Allmuça ka studiuar në Kanada për modë, por nuk mjaftuan vetëm veshjet, ajo ato duhet t’i shoqëronte me aksesorë… Këtu pastaj profili i saj mori një tjetër drejtim, u shtuan edhe bizhutë… dhe pikërisht për këtë arsye, ajo është personazhi i “Ditës” në këtë të premte.
Kështu, duke luajtur me kukulla e duke u bërë qejfin shoqeve të klasës me ndonjë palë pantallona të reja të qepura prej saj, Ani Allmuça ka nisur atë që sot e ka profesion, stilin.
Ne kemi folur me të dhe mes kinkalerive të ateljesë na ka rrëfyer për punën e tendencat e bizhuve për vjeshtë-dimër 2013.
Anisa, kur ke filluar të realizosh punimet e para?
Që në moshën 13-14-vjeçare kam filluar të dizenjoj veshje dhe bizhuteri. Ishte një dëshirë, një pasion që më lindi krejt natyrshëm dhe që me kalimin e kohës u kthye në profesionin tim. Vazhdova studimet e larta në shkollën “International Academy of Design and Technology” në Kanada për stiliste. Bizhuteritë e para janë bërë për të zbukuruar mikeshat dhe kukullat.
Në rregull deri këtu, por kur fillove që të shpërndash punët e tua tek të tjerët?
Po u bënë gati 5 vite tashmë dhe po kaq kohë marrë këtë patentën e markës sime. Nuk mund të them që kam krijuar një pasuri të madhe prej tyre, por as nuk mund të ankohem. Duke konsideruar tregun kaotik, unë kam krijuar një klientelë timen dhe herë pas here marr porosi prej tyre. Është e çuditshme sesi femrat shqiptare kërkojnë bizhuteri që t’i identifikojnë, për këtë arsye kthehen gjithmonë te unë. Duke respektuar formën e fytyrës, të qafës apo edhe kyçit të dorës, si dhe pa diskutim stilin e veshjes, unë dizenjoj bizhuteritë që i shtojnë shkëlqimin veshjes dhe i personalizojnë ato.
Ashtu siç kilianët kanë një stil të tyrin besoj edhe ju duhet të keni një stil tuajin, cili është ai?
Është e vërtetë. Unë adhuroj lulet. Më vjen natyrshëm të krijoj bizhuteri me lule dhe ngjyra. Përpiqem që kombinimet të jenë me ngjyra ekspresive, që nuk gjenden rëndom në shitje.
Cilat janë materialet që përdorni në punimet e tyre?
Materialet janë të ndryshëm, por theksoj e ritheksoj që nuk mund të krijoj me materiale të lira. Unë krijoj me gurë prej xhami dhe gjysmë të çmuar. Bizhuteritë janë si këpucët. Mund të veshësh një fustan jo shumë të shtrenjtë, por bizhuteritë dhe këpucët duhet të jenë patjetër të shtrenjta. Aty bëhet dallimi mes një femre “të lirë” dhe një tjetre “të çmuar”.
Është e rrallë që të realizosh punime me dorë në këto ditë të sotme në Shqipëri?
Nuk e di. Nuk më ka interesuar konkurrenca. Mua më pëlqen puna që bëj, më pëlqen të krijoj, të tjerat kanë ardhur natyrshëm. Kur them të tjerat, e kam fjalën sesi ky lloj arti është kthyer edhe në biznes.
Cilët janë klientët tuaj dhe çfarë pëlqejnë më shumë?
Klientet e mia janë femrat e zgjuara dhe të sofistikuara. Nëse një femër nuk është e sofistikuar, jam e sigurt që as ka për ta dëgjuar ndonjëherë emrin tim, edhe atëherë kur të tjerët ta ulërijnë më zë të lartë.
Na tregoni pak për tendencat e vjeshtës dhe të dimrit në lidhje me bizhutë?
Prej pak kohësh janë kthyer në modë varëset e mëdha, zinxhirë të trashë. Por kujdes! Janë varëse ekstravagante që duhen kombinuar në mënyrën e duhur për të qenë shik.
Merr pjesë në panaire?
Panairi i vetëm i punëve të mia organizohet çdo ditë në atelie, ku unë jo vetëm ekspozoj bizhutë, por edhe dizenjoj dhe realizoj veshje për klientët e mia, një pjesë e mirë e të cilave janë bërë të përhershme.
Cilat janë vlerësimet që ju kanë dhënë?
Nuk e di. Atë mund ta thonë të tjerët që blejnë bizhuteritë e krijuara nga unë.
Bizhutë më të veçanta që keni krijuar deri më tani?
Ka qenë një varëse që e kam stiluar për kolegen time, në fakt është drejtorja e revistës, e cila më ka kërkuar që të bëja diçka që ta identifikonte. Unë e kam identifikuar me lule të mëdha. Por e di që ajo ka edhe një stil ekstravagant, ndaj bëra një ndërthurje të luleve të mëdha me zinxhirë të trashë, por që rezultati në fund ishte një varëse klasike (qesh). E besoni dot?! Rezultoi një varëse klasike dhe delikate!
Po për ju vetë cili është ai aksesor pa të cilin nuk dilni nga shtëpia?
Një varëse që rri mbi bluzë dhe aparatin fotografik. Fotografia është një tjetër pasion i imi.
Me çfarë merreni tjetër?
Punoj si editore mode në një reviste mode, dizenjoj veshje dhe aksesorë. Dal shumë me miqtë. Janë mjaftueshëm, besoj (qesh).
Vjeshta e florinjtë dhe e stërmadhe
Këtë vjeshtë stilistet sjellin bizhutë e mëdha me gurë të shndritshëm me zinxhirë të trashë. Më shumë tek ngjyra e floririt si e vjetër, por dhe e bronztë dhe argjendi. Shumë dhe t’i veshësh jo vetëm me fustane, por dhe sipër trikove ose këmishave. Për t’u evituar ekzagjerimet, mos vendosni varëse dhe vëthë bashkë ose unaza dhe byzylykë bashkë, ose njërën ose tjetrën.
Të udhëtosh mijëra kilometra për një.. rruazë
Kur nise të mendoje që kishte ardhur koha që pasioni duhej të kthehej e të të ndihmonte ty?
Kur gjeta mundësinë që të shtoj materialet e punës. Së pari, kur pata mundësinë të dal e të udhëtoj jashtë, nisa të blej për veten time bizhu me gurë të ndryshëm, por shumë shpejt po shihja që më ishin bërë shumë, s’po dija ku t’i çoja, sado që i ndaja apo i dhuroja edhe sime motre apo ndonjë mikeshe. Kështu nisa t’i zhbëj për t’i bërë nga e para. Kështu kam mbërritur deri këtu.
Gjithë këto gurë që kemi përreth, ku i gjen në fakt…?
Po, që nuk është fare e lehtë të gjenden, sepse më duhet të udhëtoj deri në Kanada për t’i marrë apo në ndonjë vend më të afërt të Europës.
A bën një ndarje? Si e ndërthur punën mes stilimit dhe bizhuve?
Varet, nuk kam planifikime standarde, gjithçka varet nga frymëzimi im. Këto javët e fundit për shembull jam marrë vetëm me bizhutë edhe ngase ka më shumë kërkesa. Njerëzit e kanë më të lehtë, për një ditëlindje të themi, të dhurojnë një bizhu, se sa të hyjnë në sikletet e një fustani, që është më i vështirë të pëlqehet sepse aty shijet ndërlikohen.