Në tre vitet e fundit, legjislacioni fiskal është ndryshuar 72 herë. Kjo nuk është parë në asnjë vend të Evropës. Ndryshimet e shpeshta kanë sjellë konfuzion tek taksapaguesit.
Në tre vitet e fundit, legjislacioni fiskal është ndryshuar 72 herë. Kjo nuk është parë në asnjë vend të Evropës. Ndryshimet e shpeshta kanë sjellë konfuzion tek taksapaguesit. Ndërsa mungesa e informacionit, apo marrja me vonesë e tij ka sjellë jo vetëm problemin e mosrespektimit të legjislacionit nga ana e bizneseve, por edhe probleme në marrëdhëniet jokorrekte midis bizneseve dhe punonjësve të administratës tatimore, duke favorizuar mundësitë për mitmarrje dhe korrupsion. Bizneset theksojnë se ligjet dhe rregulloret në lidhje me të ardhurat nga taksat dhe detyrimet jotatimore janë shpesh kontradiktore. Ato rekomandojnë përmirësimin e procesit të konsultimeve, duke marrë në konsideratë mendimin e komunitetit të biznesit. Deri tani i vetmi ndryshim fiskal, e ashtuquajtura amnisti fiskale, u bë gjoja me marrjen e mendimit të biznesit, në një takim sa për formë një javë përpara se qeveria të shpallte amnistinë në prill 2011, vetëm dhe thjesht për të fituar vota në zgjedhjet vendore. Në 71 ndërhyrjet e tjera fiskale, biznesi dhe qytetarët janë vënë përpara faktit të kryer. Opinioni i komunitetit të biznesit është shume i rëndësishëm për ndërtimin e besimit reciprok midis partnerëve. Deri tani ai ose është injoruar fare, ose biznesi është thirrur sa për formë në ndonjë takim sporadik përpara kamerave. Një faktor tjetër që sjell ndikim negativ në marrëdhëniet biznes-qeveri është profesionalizmi i ulët i disa prej punonjësve të administratës fiskale.
Bizneset me të drejtë mendojnë se ndryshimet në legjislacionin fiskal duhet të jenë jo të shpeshta dhe sektorit privat ato duhet t’i bëhen të njohura në kohën e duhur. Çdo ndryshim në legjislacionin fiskal duhet të jetë në axhendën e institucioneve të paktën 1 vit para se të miratohet dhe duhet të ketë konsultime të shpeshta me grupet e interesit, veçanërisht të komunitetit e biznesit. Ligjet fiskale duhet të ndryshojnë jo më shumë se dy herë në vit. Ndryshimet në kuadrin fiskal duhet të bëhen për një afat të gjatë kohor dhe çdo ligj i ri i miratuar në Parlament, duhet t’i bëhet i njohur paraprakisht komunitetit të biznesit.
Organet tatimore duhet të sigurojnë qasje në informacion për kompanitë private dhe për t’i informuar ato në kohë për çdo ndryshim të detyrimeve tatimore. Transparenca midis administratës tatimore dhe sektorit privat duhet të rritet. Zyrat publike duhet të zhvillojnë fushatë sensibilizuese për të informuar palët e interesuara në lidhje me ndryshimet e bëra. Fushata nuk duhet të konsistojë vetëm te botimi i ndryshimeve në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, por edhe përmes mediave, editorialeve, emisioneve të lajmeve etj. Asgjë e tillë nuk po ndodh.
Është i nevojshëm një konsultim më efektiv dhe më i shpeshtë midis komunitetit të biznesit dhe politikanëve që merren me problemet fiskale, për të shmangur kontradiktat brenda legjislacionit fiskal. Ky konsultim është gjithashtu i nevojshëm edhe midis komunitetit të biznesit dhe punonjësve të administratës tatimore, në mënyrë që të dyja palët të arrijnë në të njëjtin mendim apo “marrëveshjeve” për ndryshimet aktuale në legjislacion dhe ato në të ardhmen. Kjo nuk çon vetëm në forcimin e marrëdhënieve dhe besimit të tyre reciprok, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve të tyre me politikëbërësit. Urat e komunikimit midis komunitetit të biznesit dhe administratës fiskale duhet të vendosen në një kuadër institucional.
Është e nevojshme rritja e transparencës dhe njohja e legjislacionit. Regjistri elektronik për Legjislacionin e Biznesit: www.rlb.gov.al duhet të promovohet më mirë tek komuniteti i biznesit, përmes transmetimit në media dhe komunikimit në internet me anë të shoqatave të biznesit, dhomave të tregtisë dhe industrisë, si dhe institucioneve të tjera publike, mediave, OJF-ve etj. Gjithashtu, nuk duhet të përjashtohen edhe konsultimet të cilat ndihmojnë në këtë drejtim.
Një faktor i rëndësishëm është përmirësimi i kapaciteteve të punonjësve të administratës tatimore në mënyrë që ata t’i përgjigjen kërkesave të biznesit. Kjo gjë është e nevojshme për arsye se shmang politizimin e tyre, përmirëson procedurat e rekrutimit dhe të shkarkimit dhe gjithashtu krijon mundësinë për të organizuar trajnime më të shpeshta për ta.
Botuar sot në DITA