Pyetje: Në çështjen e parë të aktit, faqe 3-8, pasqyrohen sabotimet në fushën e kërkimeve gjeologjike për naftë dhe gaz në drejtim të zbatimit të vijës së masave për punën kërkimore, është sabotuar metodologjia e planifikimit dhe janë sabotuar direktivat e Partisë e vendimet e Qeverisë lidhur me kualifikimin e kuadrit. Ç’keni për të thënë i pandehur lidhur me këto sabotime?
Përgjigje: Të gjitha këto sabotime është e vërtetë që janë kryer nga unë, Filip Nashi, Abdyl Këllezi, Beqir Alia e personat e tjerë që përmban akti. Për sabotimin e vijës së masave dhe metodologjinë e planifikimit, unë kam folur edhe në proceset e mëparshme hetimore.
Pyetje: Prej faqes 21 deri në faqen 32 të aktit, pasqyrohen sabotimet që ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë ke kryer në drejtim të vendimit të Byrosë Politike të KQ të PPSH, Nr.154, datë 10.11.1967, ku thuhet se: “…objekt kryesor për kërkimet e naftës të jenë gëlqeroret, pa nënvleftësuar në asnjë mënyrë strukturat e neofanit…” dhe në drejtimin e metodikës së kërkimit për naftë. Ç’ke për të thënë lidhur me këto sabotime të tjera?
Përgjigje: Konkluzionet e aktit të ekspertimit edhe për këto dy çështje i pranoj. Është e vërtetë që ne e kemi shkelur vendimin e Byrosë Politike, pasi pothuajse i kemi braktisur kërkimet në strukturat e neofanit dhe kërkimet janë shtrirë në gëlqeroret. Metodika e kërkimeve të naftës, siç kam shpjeguar edhe më parë, është shkelur nga të gjithë ne. Kjo sipas pikpamjeve të përbashkëta armiqësore që kishim që të kërkonim pa studime komplekse.
Pyetje: Prej faqeve 39-42 të aktit, evidentohen faktet se punën sabotuese që ti i pandehur ke kryer në naftë e ke reflektuar e legalizuar edhe në rregulloret e ndryshme që ke aprovuar për industrinë e naftës e sidomos në rregulloren: “Mbi punimet dhe studimet gjeologo-gjeofizike gjatë shpimit dhe përvetësimit të puseve të naftës dhe të gazit”, që ke aprovuar në vitin 1970. Ç’ke për të thënë rreth kësaj çështje?
Përgjigje: Në këtë rregullore që kam aprovuar unë, tregohen pikpamjet e kundërta që kemi patur ndaj vendimit të Byrosë Politike Nr.154, datë 10..11.1967 e vendimeve të Qeverisë për naftën si unë, Zenel Hamiti e Ramiz Xhabia dhe Beqir Alia me personat në naftë që bënë projektin e saj. Them edhe për Zenel Hamitin e Ramiz Xhabinë, pasi më kujtohet mirë që këtë rregullore e kemi diskutuar të tre në zyrën time dhe pasi ramë dakort për të gjitha pikat e saj, unë e kam aprovuar.
Pyetje: Prej faqes 50 deri 52 të aktit dhe nga një program pune prej 8 fletësh, datë 15.04.1974, që të paraqitet për njohje, vërtetohen përpjekjet që ke bërë ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë për të mashtruar Partinë e Qeverinë mbi gjendjen e vërtetë të industrisë së naftës. Ç’keni për të thënë rreth kësaj çështje?
Përgjigje: Si nga akti dhe nga programi i punës që më paraqitet për njohje, dalin përpjekjet që të gjithë ne kemi bërë për të mashtruar Partinë e Qeverinë. Dua të sqaroj se mashtrimet që përmendin dokumentat, në radhë të parë i ka bërë Lipe Nashi, Beqir Alia e personat që përmend akti, por unë jam fajtor në këtë çështje, pasi një pjesë të këtyre të dhënave, sidomos ato në drejtim të Finiqit, i dija që nuk ishir reale, të cilat jo vetëm i kam pranuar si të vërteta, por edhe i raportoja si gjoja reale në udhëheqjen e Partisë e të Qeverisë.
Pyetje: Prej faqes 52 deri në faqen 61 të aktit pasqyrohen sabotimet që ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë ke kryer në drejtim të kërkimeve gjeologjike për naftë dhe gaz në rajonet kryesore të kërkimeve. Ç’keni për të thënë?
Përgjigje: Edhe për këto sabotime, nuk kam asnjë kundërshtim me konkluzionet e aktit, unë i pranoj të gjitha sepse është e vërtetë që kërkimet në ato zona nuk janë kryer në kompleks kërkimesh. Për këtë kam dhënë shpjegime në proceset e mëparshme.
Pyetje: Në faqet 83-87, 89-91, 121 dhe 130-131 të aktit, pasqyrohen sabotimet e kërkimeve në zonën e Finiqit, të Vurgut, në pusin 26 të Ballshit dhe në zonën e Gorrisht-Koculit, që ke kryer ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë. Ç’keni për të thënë lidhur me këto sabotime?
Përgjigje: Të gjitha çështjet që përmban akti edhe për këto sabotime të kërkimeve në zonat që përmenden, i pranoj plotësisht. Janë pasoja të realizimit nga të gjithë ne të veprimtarisë tonë armiqësore që kemi kryer me ndërgjegje. Dua të sqaroj se për pusin Ballshi-26 që përmban akti, më ka thënë Petraq Xhaxha gjatë një mbledhje në Fier se Ballshi-3 duhej sqaruar nëpërmjet ndonjë pusi tjetër që duhej bërë. Unë i thashë ta bënin sa më parë pusin e të sqaronin strukturën, kështu është çpuar pusi Ballsh-26. Tjetër gjë nuk kam për të thënë.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 8 Janar 1977
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Në faqet 132 deri në 136 dhe prej faqeve 153-154 të aktit dhe nga shkresa Nr.2804, datë 23.07.1873 si dhe dokumentat e tjera që të kemi paraqitur për njohje, pasqyrohet sabotimi i direktivave të Partisë dhe vendimeve të Qeverisë për kërkimin dhe zbulimin e vendburimeve të gazit që ti i pandehur ke kryer bashkërisht më armiqtë e tjerë. Ç’keni për të thënë rreth çështjes?
Përgjigje: Është e vërtetë dhe unë i pranoj sabotimet që kemi kryer për zbulim-kërkimin e vendburimeve të gazit. Në fakt ne kemi vepruar siç përmban akti si në Frakull, Divjakë dhe në rajonin e Durrësit. Këto kërkime, mua m’i paraqiste Instituti dhe unë kam aprovuar kryerjen e tyre. Përsa i përket çështjes së kërkimeve në rajonin e Durrësit, unë kam dhënë shpjegime edhe në proceset e mëparshme. Për shfrytëzimin e gazit të Divjakës, ku ne puset e shfrytëzimit i konsideronim si puse kërkimi, unë e kam biseduar këtë çështje me Abdyl Këllezin e Ramiz Xhabinë dhe konkretisht:
Nga fundi i vitit 1972, unë kam shkuar në Komisionin e Planit dhe jam takuar me Abdylin në zyrën e tij dhe i thashë që në planifikimin për vitin 1973, duhet të ndanim edhe për gazin metrazhin se sa duhet të ishte për kërkim e sa për shfrytëzim, sepse ata të Komisionit të Planit na e kishin dhënë të përbashkët. Abdyli thirri edhe Ramizin dhe ky i fundit më tha mua që kjo nuk kishte rëndësi, mjaftonte që ne të kryenim volumin e planifikuar të çpimit. Këtë mendim të Ramizit e mbrojti edhe Abdyli duke më thënë që ato ashtu të mbeteshin, të pandara, pasi edhe si plan 5 vjeçar ashtu i kishim. Kështu unë pranova këtë që më tha Abdyli dhe Ramizi, prandaj është vepruar në Divjakë ashtu siç e përmban akti.
Pyetje: Prej faqes 220-229 të aktit dhe nga dokumentat që përmenden në të, pasqyrohen sabotimet e rënda që ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë ke kryer në fushën e studimit me metoda gjeofizike të strukturave të pregatitura për çpimin e puseve të thella. Ç’keni për të thënë lidhur me këtë çështje?
Përgjigje: Të gjitha këto sabotime që përmban akti në fushën e studimit me metoda gjeofizike, unë i kam kryer sëbashku me Lipe Nashin, Beqir Alinë e persona të tjerë që përmenden në akt në realizim të pikwpamjeve armiqësore që kishim të gjithë ne në fushën e kërkimeve mjaftonte rilevimi gjeologjik e nuk ishtë nevoja për gjeofizikwn. Kjo ka sjellë sidomos nënvleftësimin e madh të sizmikës.
Pyetje: Prej faqes 239 deri në faqen 199 të aktit si dhe nga dokumentat që përmenden në të, pasqyrohen të gjitha sabotimet e rënda që ti i pandehur bashkarisht me armiqtë Abdyl Këllezi, Filip Nashi, Beqir Alia e persona të tjerë, këni kryer në drejtim të direktivave të Partisë dhe vendimeve të Qeverisë në fushën e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës dhe të gazit. Ç’keni për të thënë lidhur me to?
Përgjigje: Pranoj plotësisht të gjitha këto sabotime shumë të rënda që kam kryer sëbashku me Abdyl Këllezin, Filip Nashin, Beqir Alinë e persona të tjerë që përmenden në akt, në fushën e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës e të gazit. Është e vërtetë se të gjithë ne bashkarisht kemi vepruar kundër direktivave të Partisë e vendimeve të Qeverisë në shfrytëzimin e vendburimeve, duke kaluar puset e vrojtimit në puse shfrytëzimi. Në vendburimet karbonatike kemi çpuar puse të rinj shfrytëzimi mbi sasinë e parashikuar, nuk është bërë projekti i grumbullimit dhe i shfrytëzimit të gazit shoqërues për vendburimet Visokë, Ballsh, Gorrisht-Kocul, kemi kryer injektime eksperimentale të ujit, kemi kryer shkelje të rënda në drejtim të shkallës së njohjes të vendburimeve, nuk i kemi llogaritur realisht rezervat e naftës e të gazit dhe për këtë jemi përpjekur të mashtrojmë Partinë e Qeverinë sidomos unë, Abdyl Këllezi e Lipe Nashi. Kemi dhënë urdhëra qoftë me gojë nëpër mbledhje të ndryshme, apo dhe më shkresa për t’i mbingarkuar e shfrytëzuar barbarisht vendburimet ekzistuese, prej të cilave kanë ardhur gjithë ato pasoja të rënda që përmban akti, deri në përmbytjen e vendburimeve.
Tërë këtë veprimtari të rëndë armiqësore, unë e kam kryer si një njeri që kam qenë në pozita të vjetra anti parti e anti socialiste që edhe në drejtimin e naftës, kisha pikpamjen se ajo mund të gjendej e mund të shfrytëzohej jo ashtu siç e thonin normat e Partisë e vendimet e Qeverisë, por siç mendoja unë. Unë nuk isha dakort me këto vendime të Partisë e të Qeverisë për shumë çështje, ku përfshihet edhe ajo e perspektivës. Unë, të gjitha pikpamjet e mia armiqësore në drejtim të naftës i kam shpjeguar në proceset e mëparshme hetimore dhe akti pasqyron realizimin konkret që unë u kam bërë këtyre pikpamjeve të cilat kanë sjellë dëme shumë të mëdha për ekonominë e vendit.
Për shfrytëzimin barbar të vendburimeve të naftës, më i avancuar se unë, mbas viteve 1972-1973, ka qenë Abdyl Këllezi, por sidoqoftë, ne të dy binim njëherë dakort bashkë për këto shfrytëzime me mbingarkesë dhe pastaj urdhëronim.
Pyetje: Këto veprime të rënda sabotuese, ti i pandehur i ke kryer me ndërgjegje?
Përgjigje: Sigurisht, të gjitha këto veprime sabotuese në drejtim të naftës i kam kryer me ndërgjegje të plotë.
Pyetje: Çfarë ke synuar të arrish me këto veprime të ndërgjegjshme sabotuese që ke realizuar në naftë?
Përgjigje: Me këto veprime të ndërgjegjshme sabotuese që kam kryer në drejtim të naftës, unë kam synuar dhe në fakt kam realizuar pikpamjet e mia armiqësore që kisha për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës. Unë e shikoja që gjatë realizimit të këtyre pikpamjeve, po i shkaktoja dëme shumë të mëdha ekonomisë, sepse vendburime të reja nuk po gjenim dhe vendburimet ekzistuese po shkonin drejt përmbytjes, por sidomos dy vitet e fundit, këtë veprimtari armiqësore që po kryeja nuk po e ndaloja dot, e vazhdova më shumë me qëllim që të maskohesha e të mos zbulohesha duke realizuar planin e shfrytëzimit të naftës dhe mendoja e shpresoja se mos gjenim ndonjë vendburim të ri. Unë e dija që para Partisë e Popullit do të përgjigjesha për këto dëme të rënda në sektorin e naftës po të zbulohesha.
Pyetje: Këto veprime armiqësore që ke kryer ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë, a nuk kanë patur si qëllim që ta linin vendin pa naftë?
Përgjigje: Unë nuk kam patur si qëllim që ta lija vendin pa naftë, por mendoja se edhe sipas pikpamjeve të mia armiqësore që kam realizuar, ne dikur do të gjenim ndonjë vendburim të ri. Në fakt, këto veprimet e mia kanë çuar në atë që vendin ta linin pa naftë duke goditur perspektivën.
Pyetje: Në faqet 301 deri në 307, 315-318, 320-323, 333 dhe 346-347 të aktit si dhe nga dokumentat që përmenden në të, pasqyrohen sabotimet që ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë ke kryer në fushën e projektimit dhe shfrytëzimit racional të vendburimeve të gazit natyral dhe gazit shoqërues të naftës, marrjen e sforcuar nga puset e përmbytur mbi disa parcela eksperimentale në vendburimin e Gorrisht-Koculit si dhe dëmet e shkaktuara nga sabotimet e kryera në fushën e nxjerrjes së naftës. Ç’keni për të thënë lidhur me këto sabotime?
Përgjigje: Edhe këto sabotime i pranoj plotësisht që i kam kryer sëbashku me Abdyl Këllezin, Filip Nashin e të tjerë që përmenden në akt. Gjithashtu pranoj edhe shumën e dëmeve që ne kemi shkaktuar në fushën e nxjerrjes së naftës.
Pyetje: Në faqet 350, 353, 362, 444-451 dhe në faqet 468 e 471 të aktit si dhe në dokumentat që përmenden në akt, pasqyrohen sabotimet që ti i pandehur sëbashku me armiqtë e tjerë ke kryer në fushën e teknikës dhe të teknologjisë të çpimit të puseve, dëmet e sjella nga avaritë, shkeljet në fushën e ndërtimeve dhe urdhërat që ti i pandehur ke dhënë për t’u përkthyer e shpërndarë literaturë revizioniste për çështjet e naftës. Ç’ke për të thënë lidhur me to?
Përgjigje: Është e vërtetë se una kam aprovuar të gjitha propozimet në teknologjinë e çpimit, kam qenë në dijeni për avaritë e shumta që ishin, janë bërë edhe ndërtime të kundraligjshme për të cilat kam pasur dijeni, gjithashtu është e vërtetë që janë shkelur nga unë të gjitha orientimet e vendimet e Partisë në sektorin e përpunimit të naftës, pasi herë pas here dërgohej naftë me më shumë ujë që prishte regjimin teknologjik të përpunimit. Unë kam ditur që në Institutin e Naftës për nevoja shkencore e teknike, përkthehej dhe botohej literaturë e huaj në revistën “Nafta dhe Gazi”. Këtë revistë e kisha lexuar herë pas here edhe unë, por nuk kisha konstatuar ndonjë gjë armiqësore. Është e vërtetë që unë kam dhënë urdhër që të botohej një artikull i sovjetikut Bojbakov. Këtë ma propozoi Lipe Nashi, bile e kishte të përkthyer. Këtë urdhër e dhashë pasi mendova që artikulli kishte vlerë teknike. Unë u thashë që të hiqnin emrin e Bojbakovit dhe ta zhvishnin nga gjërat që nuk ishin teknike, por ata e botuan siç ishte. Tjetër gjë nuk kam për të thënë.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /