Ndeshja e radhës ndaj Flamurtarit vjen në një moment delikat për Tiranën pasi bardheblutë aktualisht nuk kanë në dispozicion disa futbollistë të rëndësishëm për arsye dëmtimi.
Edhe ndaj vlonjatëve të Shtunën Tirana do të vuajë mungesën e një prej lojtarëve të saj më të mirë. Bëhet fjalë për Elis Bakajn, i cili po vazhdon fazën e riaftësimit nga dëmtimi që pësoi disa javë më parë në ndeshjen ndaj Skënderbeut.
Sipas asaj që raporton klubi i Tiranës Bakaj po punon me një program riaftësimi individual në palestër dhe së fundmi ka kryer edhe disa seanca terapie intensive në mënyrë që të vihet në dispozicion të trajnerit Gugash Magani sa më shpejt të jetë e mundur.
Gjithsesi e sigurt është mungesa e 27-vjeçarit në takimin ndaj Flamurtarit. Sipas të gjitha gjasave Elis Bakaj do të jetë i gatshëm për Tiranën pas 10 ditësh, dhe mund të ndihmojë bardheblutë me praninë e tij në fushë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë atë ndaj Laçit, që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa” në datën 8 Prill.
Elis Bakaj në këtë sezon të Kategorisë Superiore ka realizuar 10 gola duke ndihmuar Tiranën që të jetë ende në garë për fitimin e titullit kampion. Por kryeqytetasit në ndeshjen ndaj Flamurtarit përveç Bakajt rrezikojnë të mos kenë në dispozicion edhe Mario Morinën.
Sulmuesi ndien ende shqetësime pas lëndimit që pësoi në ndeshjen e zhvilluar në Fier ndaj Apolonisë të Dielën e 22 Marsit. Megjithatë lajmi i mirë për trajnerin Magani është se Gjergji Muzaka i është bashkuar skuadrës në stërvitje dhe do të jetë gati për t’u dhënë një dorë 24-herë kampionëve të Shqipërisë në sfidën ndaj vlonjatëve të Ernestino Ramellas.