Ka përfunduar vizitën zyrtare në Prishtinë Avokati i Popullit, z.Igli Totozani.
Z. Totozani u ftua të vizitonte Prishtinën nga homologu i tij z. Sami Kurteshi. Qëllimi i vizitës ishte bashkëpunimi mes dy institucioneve, me një qëllim të vetëm, respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Mes palëve u ra dakord të bashkëpunohej për shkëmbimin e praktikave më të mira të institucioneve. Trajnime të përbashkëta dhe monitorime të përbashkëta në vendet e vuajtjes së dënimit. Gjatë takimit u ra dakord për lobim nga ana e Avokatit të Popullit shqiptar për të bërë pjesë të rrjeteve të ndryshme të ombudsmanëve, institucionin e Avokatit të Popullit të Kosovës.
Nga ana tjetër, Avokati i Popullit të Kosovës, z.Sami Kurteshi ofroi mbështetjen e tij për të ofruar eksperiencën e tyre për zyrat rajonale, pasi Kosova ka tashmë 6 zyra rajonale që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mbledhje të ankesave të qytetarëve.
Pjesë e takimit të ombudsmanëve ishin dhe aktorë të shoqërisë civile, si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova. Në një drekë me përfaqësuesit e shoqërisë civile, u diskutua mbi çështjet në të cilat mund të bashkëpunojnë shoqëritë civile e të dyjave palëve dhe mbi takime periodike mes palëve për të folur mbi problematikat që ka në fusha të caktuara të të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit të Shqipërisë, Avokati i Popullit të Kosovës dhe dy përfaqësues të shoqërisë civile nga Shqipëria dhe Kosova ishin të ftuar në studion e “Koha Vizion”, në emisionin “Rubikon” ku kanë folur mbi qëllimin e vizitës, fushat e bashkëpunimit, rolin e shoqërisë civile në bashkëpunim me institucionin e Avokatit të Popullit.
Pjesë e vizitës ka qenë dhe takimi me prof. Rexhep Qosen. Prof.Qosja ka falënderuar Avokatin për vizitën në Institutin e Albanalogjisë dhe ka inkurajuar ombudsmanët në kryerjen e detyrës së tyre fisnike, por njëkohësisht të vështirë. Z. Totozani ka shprehur falënderimet për pritjen dhe ka shprehur mirënjohjen e tij, për punën e palodhur të zotit Qosja, i cili me veprat e tij, ka qenë frymëzim dhe e ka ndihmuar të rritet intelektualisht. Z. Totozani është shprehur se madje një nga veprat e z.Qose ka qenë dhe literatura që ka përdorur për punimin e temës së masterit.
Një takim të veçantë Avokati i Popullit z. Igli Totozani ka zhvilluar me pjesëtarë të komunitetit LGBT në Prishtinë. Së bashku kanë diskutuar mbi shqetësimet me të cilat përballet ky grup shoqëror. Është biseduar mbi ndihmën që mund të ofrojë institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë, duke qenë se ka përvojë në punën për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të këtij grupi shoqëror.
Pjesë e axhendës ka qenë dhe takimi me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi. Gjatë takimit zoti Krasniqi falënderoi ombudsmanët për vizitën dhe i inkurajoi ata të kryejnë sa më mirë detyrën e tyre, e cila është një detyrë e bukur por edhe vështirë. Zoti Krasniqi u shpreh se përgëzonte të dyja palët për bashkëpunimin dhe ishte i sigurt se duke mësuar nga përvojat dhe praktikat e njëri-tjetrit do të kenë më shumë mundësi për të ndihmuar njerëzit. Z. Totozani falënderoi zotin Krasniqi për pritjen dhe i shprehu vizionin e punës së tij në drejtimin e institucionit, duke theksuar faktin që Avokati i Popullit po luan një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit Europian.
Vizitën e fundit Avokati i Popullit e zhvilloi në Prekaz, vendin ku ndodhet monumenti i Adem Jasharit. Gjatë kësaj vizite z. Totozani u prit nga djali dhe nipi i Adem Jasharit, të cilët në emër të institucionit i vlerësoi për sakrificën që ka bërë familja Jashari në emër të të drejtave të njeriut, të drejtës më të madhe të njeriut, siç është ajo e jetës. U ranë dakord që një objekt simbol nga vendi i Adem Jasharit të vendoset në oborrin e Avokatit të Popullit.
Në përfundim të vizitës Avokati i Popullit ftoi në Tiranë për një vizitë zyrtare në muajin prill homologun e tij z. Sami Kurteshi.