Një biznesmene kanadeze ka vendosur të investojë në Afganistan në blerjen e vajit të trëndafileve dhe portokalleve
Afganistani varet nga agrikultura, e cila për vendasit nuk është gjë tjetër veçse tregtia e paligjshme e drogës. Qeveria afgane është duke luftuar mbjelljen e opiumit dhe kanabisit në fushat e fermerëve dhe tashmë edhe një grua e biznesit kanadez i është bashkuar qeverisë në këtë betejë, përmes ndihmës që jep me biznesin e saj.
Ajo nuk ka qenë kurrë në Afganistan dhe ka pasur gjithnjë dëshirë të punonte si punonjëse sociale. Por, tani Barb Stegeman ka ndërmarrë një biznes fitimprurës në Afganistan. 42-vjeçarja importon vajin e nxjerrë nga petalet e trëndafilave dhe portokalleve për t’i përzier më pas, duke nxjerrë kështu ekstrakte për esenca parfumesh.
Parfumet e saj nuk shiten vetëm përmes internetit, por gjithashtu mund të gjenden edhe në raftet e dyqaneve në vendin e saj, në Kanada. Ajo që është një ndihmesë për Stegeman, është edhe mirëpritja e saj nga afganët.
Kur fermerët të binden se nga mbjellja e trëndafilave dhe portokalleve mund të nxirren të ardhura nga kjo, nuk do të jetë më nevoja që t’i mbushin ato me boçe opiumi.
Stegeman e di se vetëm sa po e gërvisht pak tokën me biznesin e saj. Shumë prej fermerëve afganë ende mbjellin sasi të mëdha opiumi dhe kanabisi në vend të të mbjellave bujqësore. Sipas Kombeve të Bashkuara, Afganistani është prodhuesi më i madh i opiumit në botë me një dominim prej 90% të tregut botëror.
Ndërtimi dhe forcimi i besimeve
Gjithsesi Stegeman shpreson që shembulli i saj do të inkurajojë investitorë të tjerë që të realizojnë ide të reja, të ngjashme me të sajën. “Tregtia ndihmon në rritjen dhe forcimin e besimit dhe është një zgjidhje e krizës në rajon”, thotë ajo.
Më shumë se 80 për qind e afganëve, sot e mbështesin jetesën e tyre vetëm mbi agrikulturën. Janë bërë shumë përpjekje që t’i largonin fermerët nga tregtia e drogës. Që nga viti 2004, OJQ-ja gjermane ka ndihmuar fermerët në mbjelljen e trëndafilave dhe mbledhjen e vajit të tyre.
Barb Stegeman e mori idenë e saj për të ngritur këtë biznes nga miku i saj më i ngushtë, i cili kishte qenë ushtar në Afganistan vite më parë. Duke mësuar më shumë për vendin, asaj i tërhoqi vëmendjen një tregtar afgan i quajtur Abdullah Arsala, i cili kishte kohë që e kishte nisur tregtinë me esencën e vajërave. Ajo planifikoi ngritjen e biznesit e saj fillimisht në garazhin e saj dhe së pari mendoi të blinte vajëra lulesh nga Arsala me një shumë prej 2000 dollarësh.
“Bankat nuk deshën të më jepnin një hua, kështu që m’u desh t’i nxirrja paratë nga karta e kreditit dhe vetëm brenda një muaji i rifitova paratë që investova”, tha ajo.
Pas shfaqjes së saj në një televizion kanadez dy vite më parë, ajo arriti të bindë investitorët. Që prej asaj kohe, firma e saj “7 virtytet” investoi 100 mijë dollarë në Afganistan. Partneri i saj në biznes, Abdullah Arsala, ka 15 të punësuar në biznesin e tij. Gjatë sezonit të korrjes u punësuan 2500 punëtorë për të kryer punën. “Trëndafilat fhe portokallet janë zëvendësuesi i duhur i opiumit. Por të mbjellat tona duan nga tre deri në pesë vjet që të arrijnë lulëzimin e plotë. Shumë nga fermerët nuk mund ta përballojnë një pritje aq të gjatë”, tha ai.
“Opiumi, nga ana tjetër, mund të korret në periudha të ndryshme të vitit, në varësi të motit dhe shitësit mund të fitojnë dyfishin e të ardhurave që mund të marrin nga tregtia me vajin e bimëve, për këtë arsye shumë rrezikojnë duke mbjellë opium”, thotë Xhein Kursav, ekspertja e Institutit të Studimeve Globale mbi Mjedisin./Dorina Gjuzi