Nga SEFER PASHA
Eseisti i letrave shqipe Bardhosh Gaçe më dha një ftesë tek “Klubi i Driteroit”. Në Vlorë shkrimtari me origjinë nga Çamëria Xhemil Lato do të promovonte një libër. Profesori nuk e kishte librin me vete, por siç më tha ngjarjet e librit zhvilloheshin në veri të vendit. Bardhosh Gaçe ashtu si dhe unë në moshën e rinisë kishim punuar në Morinë të Kukësit. Ai si mësues, kurse unë si kufitar. Profesori kishte gërmuar në Gur të Hasit në vendlindjen e Pjetër Bogdanit dhe kishte mësuar shumë rreth mitit të Bogdanit. Por gjatë atyre motiveve ai gjithashtu ishte takuar dhe me studiues nga Kosova. Vetëm një punë i kishte mbetur pa mbaruar. Dokumenti autentik i Shpalljes së Pavarësisë ndodhej në Arkivin privat të Titos. Kështu mërmëritej në luginën e Drinit të Bardhë. Kjo është enigma më e madhe për Bardhosh Gaçen. Dhe i vazhdon hulumtimet.
Meqenëse të dy ishim gjysmë veriorë aty në “Klubin e Driteroit” unë i tregova profesorit një ngjarje të jetuar në doganën e Morinës në Kukës. U ndërtua dogana e re me porosi të Enver Hoxhës. Doli një gjë e pashme. E konkurronte postën kufitare dhe doganën e Jugosllavisë. Kur u inaugurua dogana e re qe dimër. Lugina e Drinit të Bardhë qe rrafshuar nga dëbora e maleve të Pikëllimës dhe të Pashtrikut. Mua më lidhte detyra me doganën e Morinës. Kuadrot që shërbenin aty ndezën zjarrin qysh në ditën e parë në oxhakun e bërë posaçërisht për të përballuar dimrin e ashpër. Era e Prizrenit të korrte me “drapër”. Por festa e inaugurimit të doganës së re nuk zgjati shumë. Një ditë në vendin e takimeve me palën jugosllave mbi Ura e Lotëve (Tani mbi Urën e Lotëve kalon autostrada. Ka mbetur vetëm përroi i Urës së Lotëve), sipas marrëveshjes midis dy shteteve njëri nga anëtarët e komisionit të Jugosllavisë ngriti flamurin e bardhë. Unë që përfaqësoja palën shqiptare me dy koleg mbërrita urgjent tek cepi i Urës së Lotëve, ku prisnin jugosllavët. Takimi nuk zgjati shumë. Kryetari i komisionit që mbulonte Divizionin e Prizrenit na e tha prerë se pala jonë duhet të fikte zjarrin në oxhakun e dogës se re. Hiri i zi i tymit me blozën e tij kishte ndotur portretin e Titos. Tymi gjithashtu futej dhe në fjetoret e ushtarëve. Teshat mbi lisat qenë bërë pulla – pulla si të qenë lyer me bojë këpucësh. Kur u ndamë pa na dhënë dorën ata na thanë se në qoftë se nuk merrnim masa “do të fillonte lufta”.
Ikëm nga Ura e Lotëve me shpejtësi. Unë u bëra zall nga ata të Drinit të Bardhë. Po lëviznim anës Urës së Lotëve të sforcuar. Për dreq në doganën tonë kujdestari Sadri Morina pa ditur pse na kishin thirrur jugosllavët në takim ndezi zjarrin në oxhakun e doganës. Tymi i zi si një gjarpër i shtytur nga erërat e luginës së Drinit fillimisht u shpërndanë mbi portretin e madh të Titos, dhe pastaj mbi fushën e basketbollit, ku luanin për qejf të tyre ushtarët jugosllavë. Nuk vonoi dhe një breshëri automatiku u zbraz mbi oxhakun e doganës shqiptare që villte tym të zi. Një tjegull në krye të oxhakut u bë cope – copë.
Situata e re nuk priste. U ngjita me një frymë në doganë dhe me një kovë ujë e shuajta zjarrin në oxhakun e ri të porsa inauguruar. Në bazë të urdhrit të Ministrit mbi informacionin i rashë telefonit të Kryetarit të Degës së Brendshme, Agron Kokonës. I thashë i tronditur se çfarë na ndodhi me jugosllavët.
Filluan telefonatat. Informacioni i kishte shkuar Komandantit të Përgjithshëm shokut Enver Hoxha. Dhe ai kishte dhënë një porosi. Jugosllavëve u tregoni vendin. Por të rregullohet oxhaku i doganës së re. Nuk kemi pse tu lëmë shteg udbashëve.
Të shtënat me armë në drejtim të oxhakut të doganës shqiptare u quajt incident. Ngjarjet e kësaj natyre nuk quheshin provokacion, por incident. Ishte e përcaktuar në marrëveshjen midis dy shteteve. Unë sipas urdhrit dola sërish në vijën e kufirit mbi Urën e Lotëve dhe ngrita flamurin për takim midis palëve. Prita. Por jugosllavët nuk po vinin në takim. 40 metra ishin larg nga vija e kufirit me Shqipërinë. Ne pas breshërisë së armëve të gjithë trupën e postës kufitare që ishte ngjitur me doganën e pozicionuam nëpër çerdhet e pushkatarëve. Një gjë e kam mësuar nga psikologjia e luftës me jugosllavët. Ata ishin frikacakë. Nuk e donin luftën. E kishin frikë Enver Hoxhën. Unë erdha në Morinë nga Kakavija. Dhe për dhjetë vjet që qëndrova në atë vend pune ushtria e Millosheviçit nuk guxoi të vriste një zog. Kurse në demokraci ata u bënë përbindësha. Nuk kishte më Enver që u kallte datën. Siç e kam parë në dokumente dhe ma kanë treguar kolegët që i lashë pas në vitin 1991 serbët e rinj vranë tek piramida 20/C, në majën e malit të Kallabakut, tre kufitarw shqiptarw. I vranë dhe i përdhunuan. Kufomat i morën në Prizren dhe i nxorën pas një jave. Ka zëra se u morën organet. Askush nuk u kërkoi llogari. Kufomat kishin marrë erë. Mjerë familjet. Nga shteti shqiptar askush nuk u mor me këtë tragjedi. Një fyerje kombëtare. Askush nuk flet për këtë krim të udbashëve në mes të ditës.
Vazhdoja të rrija me dy anëtarët e komisionit në vijën e kufirit mbi Urën e Lotëve. Pikërisht në atë vend përcillja për në Jugosllavi ata kosovarw, të cilët vinin në Shqipëri nga malet dhe lugina e Drinit të Bardhë. Kosovarët pasi “shtrydheshin” në Tiranë nga Drejtoria e Zbulimit me urdhër përcilleshin për në Kosovë. Më kishte thirrur në zyrë Kadri Hazbiu dhe më kishte thënë. Është urdhër i shokut Enver që kosovarët të kthehen përsëri për në Kosovë. Atje të luftojnë. E dimë që UDB -ja do t’i masakrojë. Por ky është urdhri. Kosovarët e ardhur nga malet e kundërshtonin këtë masë dramatike. Edhe sot kur e kujtoj dridhem. Sipas urdhrit unë u dorëzova jugosllavëve një kosovar. Ai quhej Xhavit Bala. Dhe ishte nga fshati Doberdolan i Suharekës. Para se ta dorëzoja tek udbashët ai në dogën shqiptare filloj të qajë me ngashërim. Nuk i vija dot në ndihmë. Në çastet që e dorëzova dhe pala kundërshtare firmosi në bazë të marrëveshjes, udbashët me të kaluar centimetrat e vijës së kufirit, ia hodhën hekurat Xhavit Shalës. Por në ato çaste ndodhi e pabesueshmja. Xhavit Shala me duart e lidhura i goditi ata me shqelma dhe me të gjithë forcën u hodh që nga lartësia në greminën e përroit që vinte nga mali i Pikëllimës. Unë kur e pashë mbeta pa frymë. Zgjata kokën në fund të përroit. Xhavit Shala me fraktura dhe i mbytur në gjak, me duar të lidhura, u fut sërish në tokën shqiptare. UDB -shët vështronin të tmerruar. U larguan me bishtin në shalë. Kishin përgjegjësi për atë që ndodhi. Unë me gjithë anëtarët e komisionit dhe dy doganierw u futëm në përrua dhe e morëm në krah Xhavit Shalën. Me makinën e doganës e nisëm për në spitalin e Kukësit. Më vonë mora vesh se Xhavit Shala u sistemua në Tiranë. Mbaroi dhe universitetin. Në vitet e demokracisë emigroi me familjen në Zvicër. Më kanë thënë se atje jeton. Sa dëshirë kam që Xhavit Shala ta lexojë këtë shkrim në gazetë. Mbase dhe takohemi. T’i tregojmë njëri – tjetrit se ç’hoqëm dikur mbi Urën e Lotëve. Unë po e shënoj dhe numrin e celularit 069 21 37 340. Xhavit Shalën e kam personazh në librin “Peter Handke, Milloshevçi dhe Ukshin Hoti”. Gjendet nëpër libraritë e Prizrenit dhe të Rahovecit.
Më në fund anëtarët e komisionit të palës tjetër dolën nga dogana e tyre dhe ndaluan nën portretin e Titos. Nuk kisha parë portret më të madh se sa ai i Titos. Bllokonte pamjen e malit të Pikëllimës, që në hartë shkruhej si mali i Koritnikut. Pas tij ishin Bjeshkët e Sharrit. Ashtu si me përtesë por përfaqësuesit e palës jugosllave u afruan ballë për ballë nesh. Unë u thashë shumë gjëra. Midis të tjerave e vura theksin se ju si shtet i Jugosllavisë qëlluat me armë në godinën e shtetit shqiptar. Kemi prova. Me vete kisha marrë dhe një plumb që kishte bërë rikoshet dhe kishte rënë në oborrin e doganës shqiptare. Jugosllavët e kundërshtuan energjikisht. U ndamë dhjetë fish armiq.
Pas ndarjes unë së bashku me anëtarët e komisionit të palës shqiptare ndaluam në fund të Urës së Lotëve nga ana e Drinit të Bardhë. Aty mua më priste oficeri Xhelo Tozaj nga Lumi i Vlorës. Ai ishte komandanti i postës kufitare të Pogajve në rrëzë të Malit të Pashtrikut. Xhelos i thashë se kam urdhër nga Ministria që të vazhdojë gatishmëria. Çfarë nuk pritet nga UDB -ja e Jugosllavisë. Xhelo Tozaj nuk foli. Ai më nderoi ushtarakisht. Ishte kuadër shumë i mirë. Dhe kishte një dramë të madhe. Në Pogaj ku banonte me familjen i kishte vdekur një djalë. E kishte varrosur në varrezat e fshatit Pogaj. Sa herë që vështroja nga Pogajt e kujtoja tragjedinë e djalit të Xhelo Tozajt. Mali i Pashtrikut i rrinte si gur varri mbi kokë. Edhe pas kaq motesh kur shkoj në Kosovë i hedh sytë rrëzë malit të Pashtrikut, ku është varri i djalit të Xhelo Tozajt nga fshati Tërbaç i Vlorës.
E gjithë trupa e doganës ishte në vendrojet e llogoreve. Ata i komandonte komandanti Gjergji Çoçka nga Pogradeci. Xhelo Tozaj me të marrë detyrat u nis për në postën kufitare të Pogajve. Dy anëtarët e komisionit ikën për të mbajtur nën kontroll oxhakun se mos gabimisht ndizej zjarr. Bënte ftohtë dhe fillova të lëviz mbi Urën e Lotëve. Jugosllavët nuk qëllonin mbi mua. Më mbronte pasaporta “diplomatike”.
Situata ishte e rëndë. Për tymin e oxhakut që e “urdhëronte” era e Drinit të Bardhë jugosllavët gjetën shkak dhe hapën zjarr. Do të takoheshim pas tre ditësh. Kështu e lamë në mbyllje të takimit. Edhe pse nuk kishin ndonjë përgjegjësi unë lëvizja anës vijës së kufirit i tronditur. Do të më kërkohej ndonjë “sebep” nga Ministria dhe Drejtoria e Kufirit në Tiranë. Përse nuk u bënë disa prova? Të shikohej se nga do të shkonte tymi pasi në oxhakun e doganës së re të ndizej zjarri për ngrohje?
Pamja në vijën e kufirit ishte e rëndë. Portreti i Titos që u “njollos” nga tymi më dukej si një krokodil. Gjithashtu të egër më dukeshin ushtarët jugosllav nëpër vendroje. Kurse fusha e basketbollit përpara portretit të Titos si një arkivol. Në oborrin e doganës jugosllave zbritën nga një xhip ushtarak një grup me femra. U futën në fjetoret e ushtarëve. Kështu bënin gjithmonë. Erdhën që nga Prizreni. Këndonin një këngë të Leba Brenës. Disa milicë varën nëpër dushqe me dhjetëra çarçaf të bardhë për t’u tharë nën diellin e ftohtë të vjeshtës. Mbase shpresonin që në doganën shqiptare të rindizej zjarri dhe tymi ta bënte “katran” Titon në portret dhe çarçafët si lopë të bardha. Dhe ata përsëri të hapnin zjarr në drejtim të oxhakut të doganës së Shqipërisë. Të bëhej luftë.
Kjo situatë vazhdoi disa ditë. Që nga Tirana u dërguan mjeshtra të oxhaqeve. Ishin marrë në Gollobordë. U ribë rikonstruksioni i oxhakut të doganës. Mjeshtrat e Gollobordës për disa ditë studiuan drejtimin e erërave të Drinit të Bardhë. Dhe qysh më provën e parë tymi i oxhakut si të qe ndonjë raketë u ngjit përpjetë midis dy maleve të Pikëllimës dhe të Pashtrikut. Dhe portreti i Titos nuk u lye më me “bajgat” e tymit të doganës së Morinës.
Ai kosovari qe u hodh nga ura,duhet te jape nje te peshtyre ty.
Nuk i duhet Kosoves hypokrizia e sigurimsave.
Shteti i Kosoves nuk duhet te lejoje futjen ne Kosove te ish sigurimsave te enver hoxhes.
Eshte fitore e madhe largimi i tyre nga Kosova. Pavarsishte se ne Mitrovic ka ngel gozhda e Nastradinit pore sidoqofte gjerat tani me kan ndryshuar.
Serbat tani me duhet te pergatiten mbase te lejn edhe NISHIN se mjafte me kan mbajtur tokat Shqiptare.
KY nuk kishte asnje mundesi te kundershtonte ligjet e shteti. Ti Demo ja fut kote.
Nuk jemi ne vitin 2022 por jemi ne vitet 1978.
C’thua more Dem-0 hajvani!
Sa “heroike ” paska qene qendrimi yne dhe na thote pa pike turpi se Jugosllavet na paskan patur frike nga Enver Hoxha , qe me bisht ne shale i la ushtaret te kallkanoseshin qe te mos ju prishej bardhesia e carcafeve te plehrave Titiste , boll me keto pseudo shkrime patriotike heroike