Deri më sot, mediat e Tiranës e kanë shkruar shqipen standarde sipas dy modeleve: duke ndjekur pak a shumë rregullat e pranuara të drejtshkrimit, ose duke iu dorëzuar fatalitetit teknologjik dhe duke larguar nga alfabeti dy shkronjat problematike: ë-në dhe ç-në.
(Këtu nuk po flas për eksperimentimet, herë të suksesshme e herë të dështuara, për të shkruar në gegnishte).
Zakonisht këto media të shkruara përpiqen t’ia ruajnë alfabetin shqipes, dhe kjo është para së gjithash meritë e atyre që shkruajnë aty; dhe ndoshta edhe e redaktorëve përkatës.
Ka edhe ndonjë gazetë si Koha jonë, ku haptazi është hequr dorë nga alfabeti i rregullt i shqipes; sikurse edhe e kemi lajmëruar qëkur. Për fat të mirë, këtë gazetë nuk duket ta lexojë kush.
Alfabeti i shqipes është pasuri e përbashkët, ose pronë publike; deri më sot qeveria e Berishës nuk ka guxuar, ose nuk ka arritur dot ta nxjerrë në shitje, qoftë edhe me çmimin simbolik të 1 euroje. Si çdo pronë tjetër publike në Shqipëri (parqet, pyjet, liqenet), edhe ai tashmë i fton përdoruesit që të abuzojnë me të.
Çfarë pashë sot te “Panorama” më konfirmon se kemi hyrë tashmë në një epokë të re ortografike, edhe më të trishtuar se ajo e mëparshmja; ku përdoruesit përpiqen që ta shkruajnë shqipen me alfabetin e vet (sa e vështirë është kjo, xhanëm?), por nuk arrijnë dot.
Citoj nga artikulli përkatës:
Akuzën për bashkëpunimin tim me sigurimin e shtetit e kam dëgjuar teqarkulloje disa here ne këto 22 vite te demokracisë, qe ne muajt e pare kur u angazhova ne themelimin dhe organizimin e degës sePartisë Demokratike ne Durrës e me pas, ne momente kulmore tepolitikes e ne varësi te pozicionit tim politik e publik. Gjithnjë e kam dëgjuar si një pëshpërime, thashethem, te thëna nga persona qe metregonin se dikush kishte thënë kështu a ashtu për mua. Jo rastësisht, burimi i peshperimes akuzuese vinte gjithnjë nga ana tjetër e krahut politik me te cilin isha ne opozicion apo kritik ne momentin e dhënë. Gjithnjë i kam neglizhuar duke i trajtuar me qetësi, shaka, qesëndi a përbuzje por pa mllef pasi isha i vetëdijshëm për te vërtetën time tethjeshte te cilën do t’jua rrëfej me poshtë duke ju thënë qe nuk jeni ju te paret pasi atë e dine plot te afërm, miq e shoke te cilëve iua kam treguar kur ka qene rasti, siç tregohen rëndom mes miqsh e tenjohurish ndodhi te rëndësishme te jetës.
Kam nënvizuar, në paragrafin më lart, të gjitha ato instanca kur në vend të ë-së është përdorur një e; çfarë e dallon këtë shëmti nga tekstet e panumërta të shqipes sot, të shkruara nga autorë që, për arsye të ndryshme, nuk e çajnë kryet për alfabetin e shqipes, është prania, në të njëjtin tekst, e shumë fjalëve të shkruara sipas rregullave.
Me fjalë të tjera, autori i shkrimit ose redaktori teknik (pas gjase ky i fundit, kur është përpjekur, in extremis, t’ia shtojë ë-të një teksti të dorëzuar në redaksi me alfabet të gjymtuar, ose të transmetuar me SMS), janë përpjekur që ta zbatojnë alfabetin e rregullt, por nuk kanë arritur dot – meqë, pas gjase, i kanë zëvendësuar shkronjat në një tekst tashmë të gatshëm.
Nga njëra anë, dukuria konfirmon se redaktorët teknikë të gazetave (ose edhe autorët) janë kaq të dëmtuar në kompetencën e tyre drejtshkrimore, sa nuk arrijnë ta shkruajnë dot shqipen mirë edhe kur përpiqen; ose që shkrimi i shqipes me alfabet të cunguar nuk është më pasojë e shpërfilljes së rregullave, as e imponimit prej free riders ndaj lexuesit viktimë. Nga ana tjetër, e njëjta dukuri dëshmon se pikërisht ata kujdestarë të shqipes së shkruar që duhej të ofronin të parët shembullin e një përdorimi të rregullt të saj, janë duke e trajtuar këtë pasuri publike me gjithë delikatesën e një mushke artilerie.
Rezultati është një tekst i përzier, një mish-mash i fëlliqtë, një këllirë që do ta bënte me turp edhe Gjon Buzukun, i cili e shkroi vërtet i pari shqipen, por e bëri këtë me një kujdes, dashuri dhe konsistencë të tillë që ca nga këta shkruesit e sotëm, me gjithë vitet e studimit në shkollë, gramatikën dhe letërsinë, traditën tashmë të konsoliduar të vetë shqipes së shkruar, po parapëlqejnë të trashëgojnë jo vëmendjen dhe shqetësimin për pasurinë publike, që është karakteristikë e qytetarit, por shkujdesjen kriminale ndaj saj, që është karakteristikë e halldupit të vrazhdë.
Deri më sot, thyerjen e rregullave e kisha parë si një formë rebelimi, shpesh naive dhe të padëmshme, ndonjëherë të frymëzuar e të ushqyer nga shpirti provincial dhe katundar, ndonjëherë tjetër nga dëshira për të lënë gjurmë duke shkatërruar; por tashmë shoh se rregullat po shkelen e po thyhen edhe kur përdoruesit duan që t’i respektojnë; dhe se mosdashja dalëngadalë po shndërrohet në pamundësi.
Zgjidhja e vetme: të privatizohet alfabeti 36-shkronjësh!