Kanë kaluar më shumë se 23 vjet nga koha që Vilson Ahmeti u zgjodh Kryeministër i një qeverie teknike që do ta çonte vendin në zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit të viti 1992. Mirëpo ndoshta më shumë se për detyrën që krey për disa muaj, Vlison Ahmeti kujtohet si i prangosur në një proces gjyqësor që lidhej me një qytetar francez me emrin Arsidi, në përfundim të të cilit Ahmeti do të dilte i pafajshëm, por pasi kishte kryer rreth dy vjet burg. Si e kujton pas 23 vjetësh ish Kryeministri Ahmeti dhe pse thotë se fajtorët e vërtetë të atij procesi nuk u gjykuan dhe nuk u dënuan asnjëherë. Ishte një kohë procesesh gjyqësore të pambarimta, më së shumti të motivuara politikisht. Pse nuk e ka takuar Berishën asnjëherë pas atij gjyqi dhe pse e ka të pamundur të pijë një kafe me të. Një shprehje që i ka thënë babai i tij, Faik Ahmeti kur mori detyrën si Kryeministër dhe mendimi që ka për tetë vitet e qeverisjes së Berishës dhe për qeverinë aktuale
Zoti Ahmeti, ju flisni rrallë, për të mos thënë se jeni shumë i heshtur. Mirëpo, si gazetar unë dua t’ju ngacmoj për një nga pikat më delikate të jetës suaj. Ju u zgjodhët Kryeministër i vendit i një qeverie teknike për nja katër muaj dhe pastaj vuajtët një burg prej më shumë se dy vjetësh, për nju proces që tashmë ka hyrë në histori si procesi Arsidi. Si e shikoni atë proces gjyqësor pas 20 vjetësh?
Çështja Arsidi është një çështje e vjetër tashmë. Kanë kaluar 21 vjet që nga koha kur u zhvillua ai proces. Unë u dënova në atë kohë, bëra pak më shumë se dy vjet burg dhe përfundimisht ui shpalla i pafajshëm. Pra kam bërë një burg kot. Ai ishte një proces i tejzgjatur, i zvargur që si shumë procese të asaj kohe përfundoi në një farsë. Natyrisht që në atë proces u dënuan njerëz, por fajtorët kryesorë nuk u dënuan. Ju më pyesni se si e ndiej veten 20 vjet pas atij gjyqi. Nuk e ndiej mirë dhe ju bëni mirë që e ngacmoni, më tepër që historia të mos përsëritet. Në atë kohë u burgosën gjithë figurat më të larta shtetërore dhe politike të kohës, kishte një zinxhir të pambarimtë gjyqesh të cilat sot me të drejtë shumëkush thotë se ishin të qëllimshme për të ngjallur një klimë terrori në vend nga pushtetarët e rinj të asaj kohe. Mirëpo, krahasuar me aferat e rënda korruptive që diskutohen dhe përfliten sot, ku bëhet fjalë për miliona e miliona euro që nuk dihet ku kanë përfunduar, kur bëhet fjalë për faje dhe krime të rënda dhe kur kemi një kulturë pandëshkueshmërie është vërtetë për të ardhur keq për ato gjyqe të para 20 vjetëve, ku unë u bëra protagonist i një procesi krejtësisht pa dashje dhe pa pasur asnjë faj. Kur ju më flisni për procesin Arsidi, unë kam tjetër gjë në mendje: tek ato punë urgjente që e presin përpara Shqipërinë si një vend kandidat për në BE, për të luftuar atë korrupsion galopant dhe për t’i dhënë njëherë e mirë fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Çështja Arsidi sot dikujt mund t’i duket mikroskopike dhe tejet e largët, kur mendon shumë çështje të tjera shumë më te rënda që janë të freskëta dhe që kërkojnë drejtësi si Gërdeci, vrasjet e 21 janarit etj. Me të drejtë sot ngrihet problemi për reformimin e sistemit të drejtësisë ndërsa lufta kundër korrupsionit është një nga problemet më emergjente.
Në atë kohë që është zhvilluar procesi Arsidi, janë zhvilluar një sërë procesesh gjyqësore, si kundër Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Nexhmije Hoxhës dhe ish anëtarëve të Byrosë Politike. Në atë kohë president i vendit ishte Sali Berisha. Mendoni se këto procese ishin të qëllimshme?
Unë nuk dua ta personalizoj atë periudhë, pavarësisht se emri që ju përmendët në atë kohem kishte një pushtet shumë të fuqishëm. Parë nga distanca, sot mund të thuhen shumë gjëra, por një gjë është e pandryshueshme: ato procese nuk ishin të rastësishme. Pra, ju keni të drejtë të thoni se ato ishin të qëllimshme. Ne sa kishim dalë nga diktatura dhe jetonim në një epokë tjetër, nuk ishte përvoja e duhur për drejtimin e shtetit dhe në këtë kuadër janë bërë edhe shumë gabime. Të qëllimshme apo jo, këtë le ta thonë studiuesit dhe analistët. Unë mendoj se një sërë gabimesh të rënda janë bërë të qëllimshme dhe e dëmtuan rëndë demokracinë tonë që në hapat e para të saj.
Zoti Vilson, ju bëtë dy vjet burg, ndërsa dolët dhe i pafajshëm. A kini kërkuar dëmshpërblim për këtë dënim të pamerituar që bëtë?
Jo, nuk kam kërkuar. Kush do më paguajë mua dëmshpërblimin? Taksapaguesit shqiptarë? Po ç’faj kanë ata pse mua më burgosi një qeveri e papërgjegjshme. Për mua i rëndësishëm është fakti se dola plotësisht i pafajshëm. Mua më duket absurde që fajtorët e vërtetë nuk ndëshkohen. Prandaj në këtë aspekt mendoj se shumë nga proceset e së kaluarës duhen rishqyrtuar. Mirëpo për këtë duhen prokurorë të zotë dhe gjyqtarë që të japin vërtetë drejtësi. Dalim përsëri tek ajo tema shumë e diskutuar për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Sidoqoftë, ish-Kryeministri Fatos Nano e mori dëmshpërblimin për burgun që bëri thuajse në të njëjtën kohë me ju…
Natyrisht, secili ka mendimin e vet dhe vendos vetë për atë që bën. Unë kam tjetër koncept.
Çfarë kujtoni nga koha kur ishit Kryeministër?
Shumë gjëra. Ishte një kohë e vështirë, pavarësisht se unë qëndrova në detyrë vetëm disa muaj. Çfarë kujtoj? Mbaj mend atë që më ka thënë im atë ku mora detyrën. Shiko, më tha ai. Je ngjitur në majën e një mullari. Bari do ta hanë të tjerët dhe ty ka për të ngelur huri, domethënë strumbullari. Është kjo një shprehje që2 nuk më është shqiptur asnjëherë nga mendja.
Me sa di, Nikola Arsidi që i grabiti shtetit shqiptar 1.6 milionë dollarë, ka vdekur. A duhet të përgjigjet dikush për atë dëm që iu bë arkës së shtetit shqiptar?
Unë nuk mund të sugjeroj asgjë për këtë. Ai proces u gjykua në të gjitha shkallët, u dënuan disa bankierë dhe juridikisht ai proces konsiderohet i mbyllur. Fakt është që Nikola Arsidi, pavarësisht se ka vdekur, është ai që i vari Berishës Medaljen e Kortezisë Franceze. A duhet rihapur ai proces? Nëse palët politike dhe gjyqësori e shikojnë të arsyeshme mund ta rihapin dhe rishqyrtojnë. Por duhet të jemi të qartë: Ndërkohë në Shqipëri kanë dalë shumë çështje shumë herë më të rëndësishme që përbëjnë faje dhe krime shtetërore, siç janë vrasjet e 21 janarit, Gërdeci etj., të cilat kanë mbetur pa u gjykuar dhe pa dënuar përgjegjësit e këtyre krimeve. Prandaj dhe nuk i bie njeriu ndërmend për procesin Arsidi sot. Unë jam që edhe dosja e Arsidit të rihapet, por le të bëjmë njëherë gjyqin e 21 janarit, Gërdecit, të 97-s, të grushtit të shtetit në shtator të 98-s, të korrupsionit të jashtëzakonshëm që është kultivuar nëpër vite. Këto kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, me aftësinë e tij për të gjykuar dhe vendosur në mënyrë të pavarur. Natyrisht, këtu nuk duhet të funksionojë logjika që ai që largohet nga pushteti të futet në burg, sikurse ka bërë Berisha me kundërshtarët e vet. Mirëpo janë disa fakte, disa faje dhe krime që nuk mund të tolerohen. E për to duhet të veprojë pa hezitim drejtësia. Pavarësisht se unë vuajta izolimin në burg për dy vjet, them se ata që instrumentalizuan kundër meje këtë skandal, kanë kryer një faj. Them faj sepse ai nuk është një gabim që kalohet me ndjesë. Faji normalisht dënohet dhe ndëshkohet, por unë i kam lënë që dënimin për ta ta japë ndërgjegja dhe morali i tyre. Kuptohet, nëse kanë ndërgjegje dhe moral ata njerëz. Sidoqoftë unë mbetem skeptik me këtë drejtësi që kemi.
Kush mendoni se pengon për të dhënë drejtësi?
Ky është një problem shumë kompleks. Unë mendoj se nuk është vetëm paaftësia. Është trysnia plotike që ka vepruar dhe vazhdon të veprojë mbi gjyqësorin. Unë mendoj se mungon vullneti i politikës dhe politikëbërësve për të patur një gjyqësor të pavarur, ndaj dhe kemi këtë sistem të deformuar të drejtësisë sot.
Si një ish-i burgosur nga regjimi i Berishës, si e gjykoni sot atë njeri dhe çfarë raportesh kini me të?
Unë jam dënuar me heqje lirie kur ai ishte në pushtet. Por dola i pafajshëm. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk kam pasur kontakte me Berishën. E rëndësishme për mua është që jam moralisht shumë i pastër. Fatkeqësisht nuk e shikoj të njëjtën gjë tek ai. Mjafton të kujtoj këtu një episod që mendoj se flet shumë për këtë që po flasim. Para disa vitesh, ndërsa po shëtisja në bulevard, përballë meje po vinte Berisha. Sa më pa në distancë, ai ndërroi rrugë që të mos më takonte. Pra diçka e mundonte atë dhe e mundon edhe sot e kësaj dite, të paktën në raport me mua.
Pavarësisht se keni qenë Kryeministër, ju nuk jeni përfshirë në politikën aktive gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Pse?
Kjo është një zgjedhja ime. Ju mbase do t’ju duket e pabesueshme se para se të bëhesha Kryeministër, unë kam qenë zëvendësministër, ministër, por nuk kam qenë asnjëherë anëtar i Partisë së Punës, si dhe më pas i ndonjë partie tjetër. Im atë ka qenë komunist dhe një funksionar i shtetit të asaj kohe. Pra kështu e kam menduar dhe e kam vendosur, kam qenë një profesionist dhe nuk kam dashur të jem në politikën aktive. Unë jam një teknokrat dhe si i tillë e kam ndihmuar dhe vazhdoj të jap kontributin tim. Vlerësimin e politikave unë bëj me politikat zhvillimore, pavarësisht se janë të majta apo të djathta. Në këtë aspekt, unë nuk shikoj ndonjë ndryshim thelbësor te politikat e majta apo të djathta. Për shembull, tetë vitet e qeverisjes së Berishës unë nuk mund t’u jap notë pozitive. Sepse gjykoj se përveç krizës ekonomike botërore, qeverisja e Berishës e thelloi krizën në vend. Pra Shqipëria ka pasur edhe një krizë të brendshme nga keqmenaxhimi i qeverisë nga ekipi drejtues. Pra nuk ishin politikat e djathta që e sollën këtë gjendje, por ishin njerëzit që patën në dorë drejtimin e vendit dhe i menaxhuan keq punët. Prandaj unë vlerësoj vendosmërinë e qeverisë sotme për ta kapërcyer gjendjen e trashëguar nga qeverisja e kaluar.
Pak më parë ju folët për 21 janarin, për Gërdecin etj. A duhet gjykuar qeveria dhe bashkëpunëtorët e Berishës për to?
Po, pa mëdyshje. Ju përmendet disa, por ka edhe të tjera, si shitja e detit, është ajo puna e Fazlliçit me shumë hije dyshimi që ju si gazetë ‘DITA’ i kini mëshuar ditët e fundit. Është afera disa qindra milionë euro me rrugën e Kombit, është shitja e detit etj., etj. Këto duhen hetuar, jo si qëllim në vetvete për të dënuar me doemos Berishën, por sepse janë faje, janë krime shtetërore dhe nëse faktet flasin kundër tij, atëherë le të dënohet. Nuk duhet të ketë imunitet as për Berishën dhe as për këdo tjetër që ka cenuar interesat e këtij vendi. Për krimet dhe fajet që janë bërë duhet të ketë përgjegjësi.
Si i kini marrëdhëniet me politikanët e sotëm shqiptarë?
Krejtësisht normale. Kam kontakte dhe miqësira nga të gjithë krahët e politikës dhe nuk kam asnjë paragjykim ndaj tyre.
Po me ish-kryeministrat?
Aleksandër Meksin e kam mik. Po kështu dhe Ylli Bufin. Po edhe me të tjerët… Mbas përfundimit të mandatit të qeverisë dhe zgjedhjeve të marsit 1992 dorëzuam detyrën qeverisë së drejtuar nga Meksi. Një veprim që u bë në mënyrë shumë civile dhe të veçantë. U bë një mbledhje e përbashkët e dy kabineteve dhe secili ministër i kabinetit tim prezantoi pasardhësin e tij, dorëzoi dosjen e plotë të punëve e deri edhe inventarin e zyrave. Dhe mendoni që ishte viti 1992. Me zotin Meksi gjithmonë kemi pasur raporte shumë miqësore, është një intelektual i shquar dhe me kontribut të spikatur në strukturimin e organeve të reja të shtetit dhe sidomos të korpusit të ligjeve që u hartuan në atë kohë.
Me cilin nuk do të donit të pinit kafe?
Unë pi kafe me të gjithë. Me Berishën nuk kam pirë kafe dhe nuk besoj të pi, sepse… Berisha nuk pi kafe.
***
Procesi “Arsidi” dhe fajtorët që nuk u dënuan kurrë
Xhevdet Shehu
Më 19 shkurt 1993 prokuroria lëshoi mandatin e arrestit të shtëpisë për Vilson Ahmetin, ish-kryeministrin e zgjedhur në dhjetor të vitit 1991, i cili mbajti këtë post deri në zgjedhjet e 22 marsit 1992. Bashkë me të u arrestuan edhe dy ish-drejtues të Bankës Kombëtare Tregtare, Agim Tartarit dhe Agron Saliut. Procesi ndaj tyre nisi më 16 gusht 1993 ndërsa më 20 tetor të po atij viti u arrestua ish-drejtori i Bankës Kombëtare Tregtare për përvetësim të pasurisë shtetërore Ardian Xyheri dhe me 4 nëntor guvernatori i Bankës Kombëtare Ilir Hoti.
Zbulimi i këtij skandali të madh financiar, shumë shpejt do të bëhej i njohur si Skandali Arsidi. U arrestua fillimisht drejtori dhe nëndrejtori i Bankës Tregtare të Shqipërisë dhe, disa ditë më vonë, edhe ish – kryeministri i Qeverisë Teknike, Vilson Ahmeti. Bëhej fjalë për zhdukjen nga Banka e Shtetit të 1 milionë e 600 mijë dollarëve rreth një vit e ca më parë. Këto dollarë u tha se ishin marrë nga qytetari francez Nikola Arsidi, i cili me rrugë të dyshimta kishte arritur të merrte garancinë e qeverive të Shqipërisë, të qeverisë së Stabilitetit në fillim, të asaj teknike më vonë, dhe të PD në fund, për të qenë negociator për shlyerjen e borxhit prej rreth 500 milionë dollarësh që Shqipëria u kishte bankave të huaja. Në të vërtetë ndodhi që Arsidi mori si paradhënie shumën prej 1 milionë e 600 mijë dollarë dhe borxhin e Shqipërisë nuk e shleu kurrë… Thuhej se për të njëjtën çështje Arsidi ndiqej penalisht nga organet franceze të drejtësisë, ndërkohë që në Shqipëri flitej se çështja ishte shumë e thellë dhe se do të pasonin arrestime të tjera. Por çështja komplikohej edhe më tepër kur dihej se, vetëm pak kohë pas ardhjes në pushtet të PD, Nikola Arsidi i dorëzoi kryetarit të ri të shtetit shqiptar, Sali Berisha, dekoratën Medalje e Kortezisë Franceze… Më vonë, Arsidi nuk u duk më në Shqipëri dhe as nuk denjoi të marrë pjesë në procesin e pesë të dënuarve për çështjen që mbante emrin e tij në vitin 1994.
Denduria e ngjarjeve politike në Shqipëri bën që edhe një rast i veçantë, apo një zhvillim i bujshëm, të kalojë shumë shpejt në plan të dytë, ose edhe të harrohet. Kështu ndodhi edhe me arrestimin e Fatos Nanos. Tubimet e socialistëve në përkrahje të kryetarit të tyre vazhduan disa ditë duke zënë faqet e para të shtypit, derisa u njoftua se më 16 gusht do të fillonte procesi për çështjen e 1 milionë e 600 mijë dollarëve. Skandali më i madh financiar i këtyre viteve, gradualisht, doli në plan të parë.
Gjyqi, i cili u zhvillua në të njëjtën sallë të gjykatës së Tiranës ku 8 muaj më parë ishte gjykuar Nexhmije Hoxha, uli në bankën e të akuzuarve ish-kryeminisrin e Qeverisë Teknike, Vilson Ahmeti, si dhe dy bankierët A. Saliu dhe A. Tartari, përkatësisht ish-drejtor dhe ish-nëndrejtor të Bankës Tregtare të Shqipërisë. Ish-kryeministri Ahmeti ngarkohej me përgjegjësi penale për autorizimin lëshuar qytetarit francez Nikola Arsidi për të ndërmjetësuar për shlyerjen e borxhit të jashtëm të Shqipërisë. (Sikurse do të provohej në gjyq këtë autorizim Ahmeti e kishte lëshuar (firmosur) me propozim të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë I. Hoti, në ditët e para që ai ishte ulur në kolltukun e kryeministrit). Hoti vazhdonte të ishte guvernator i Bankës dhe në gjyq do të paraqitej si dëshmitar. Në ditën që dëshmoi, ai dukej në një pozitë tejet të vështirë, pasi u vu përballë një ish-eprori dhe dy ish-kolegëve të prangosur, për 3 orë e gjysmë pandërprerje. Ai fshinte djersët vazhdimisht atë ditë. Nxehtësia e ditëve të gushtit ia shtonte më shumë sikletin dëshmitarit, të cilit i këputej shpesh filli i mendimeve përballë një lumi pyetjesh që i vinin pareshtur nga banka e të akuzuarve, saqë për një çast të krijohej përshtypja se ai ishte i pandehuri, dhe të pandehurit gjykatës.
Pak kohë më vonë edhe ai do të merrej i pandehur për këtë çështje…
Dy të pandehurit e tjerë, Saliu dhe Tartari, akuzoheshin për të njëjtën vepër penale, se “në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime që vijnë në kundërshtim me detyrën shtetërore, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1 milion e 600 mijë dollarësh”. Të tre të pandehurit nuk i pranuan akuzat.
Por, që në fillim, gjyqi u pa tepër i vështirë për t’i shkuar deri në fund çështjes. Ai i ngjante një enigme me shumë të panjohura, ku ishin përzier funksionarë të lartë të tre qeverive, duke filluar nga ajo e Stabilitetit dhe duke përfunduar tek qeveria Meksi e PD-së. Ndërsa opozita, duke u ndjerë më larg, sa herë hapeshin dhe mbylleshin dyert e këtij procesi, do të kujtonte dekoratën që Arsidi i kishte dhënë Berishës, duke lënë të nënkuptohej se edhe ai ishte përfshirë në këtë skandal dhe duhej të ishte nga më kryesorët në këtë proces maratonë.
Gjyqi i parë dha disa dënime që u quajtën të rrepta për tre të pandehurit, por që shpejt u shfuqizuan nga gjykata e apelit, e cila e ktheu çështjen për rigjykim dhe plotësim hetimesh. Do të duheshin edhe afro dy vjet të tjerë që kësaj çështjeje t’i jepej një farë zgjidhjeje, ndërsa në verën e vitit 1995 ish-kryeministri Ahmeti do të lirohej në sallën e gjyqit si i pafajshëm, ndërsa të pandehurit e tjerë do të dënoheshin me disa vjet burg, do të kërkonin pafajësi në apel, do të ridënoheshin, pastaj në kasacion… Një odise e gjatë marramendëse dhe tepër e mërzitshme kjo, e cila do të konsiderohej shpesh, si edhe gjyqet e mëparshme, një farsë gjyqësore që në vend t’i zbulojë, i fsheh më shumë gjurmët e krimit.
Vlen të veçohet nga ky proces sfida që protagonisti kryesor i tij Nikola Arsidi u bëri më 1995 organeve të drejtësisë shqiptare. Ai iu përgjigj negativisht ftesës për t’u paraqitur në gjyqin e Tiranës si dëshmitar. Ai e konsideronte të mbyllur këtë çështje, pasi organet franceze të drejtësisë e kishin lënë të lirë pas hetimeve që kishin bërë…
Megjithatë, në Shqipëri kapitulli i këtij gjyqi nuk konsiderohet i mbyllur… Por, njëkohësisht, askush nuk mund të thotë se kur ai mund të hapet përsëri.
Vilson na thuaj mdonje gje per kriminelin Berisha se tani kohet e fundit po i mbushet thesi me krimet qe ka bere…kemi mbajtur frymen qe kure Adriatik Palla tha qe kemi ne dore dosje qe do i ndryshojne faqen shqiperis….
Z.VILSON,Ju admirojme.Burgun e hengre kot si Nano.por ky i mori parat nga Saliu.Po ju moret gje?Berisha nuk ndryshon rrugen vetem para hajduteve e kriminelve si ai.70% e popullsise ate e urrejne pa mas,veç nuk kan çi bejne,vetem mbyllin TV kur pllet ai hajvan i derrit.Po te ishte njeri tjeter te bente ato qe ka bere ky mjeran-do vriste veten.Por ky nuk ka turp dhe nder.
Nano-kurva e ka bere kot burgun?????????!!!!!!!!!!!!!!!
Per mua,ne cdo dite te perendise qe pason dhurimin ne tepsi te pushtetit prej nano-kurvave tek mortjemadhi brekedhjere me 2005_en,gjendet deshmia dhe rekordi me sinjifikativ se nano e kishte hak burgun si hajdut ordiner i ushqimeve te ndihmave te mbijeteses per Popullin Shqiptare ne 1991-1992,,,,por jo burgun nga siamezi i tij kriminel,,,,por nga shteti i se drejtes qe shqiptaret u bene dy dekada qe e aspirojne.TUNG.
z.Vilson vertet eshte e pamundur por edhe
e peshtire te ulesh me Berishen ai te ndot
Thash e them per V.Ahmatin kur u be kryeminister i thote i ati cte duhet mor bire se ajo detyre eshte si puna e mullarit me bare qe do vene te tere do marin barin dhe ty do te mbete huri dhe ashtu ndodhi qe gjithe hajdutet e vertet u pasurauan Vilsoni hengi burgun.
Si ore ky biçimsëz Sal Ram Brisha na zuri diellin per 23 vjet te ashtuquajturës “DEMOKRACI” gjynah i madh .
Z Ahmeti ,gjej rastin t`ju pershendes,pasi periudha kur qeveriset ju ishte tejet e veshtire.Per ne punetoret ju trefishuat rrogat,ndersa ishin ne fuqi ende cmimet e shportes.Te gjitha paisjet elektroshtepiake i kam blere ne ate periudhe dhe vazhdoj t`ju falenderoj,sepse gjithe pasardhesit tuaj punuan per vete, lloqet per popullin.
Respekt ish-ministrit Vilson Ahmetaj. Njeri korrekt dhe i sjellshëm, të paktën për periudhën që kemi punuar në të njëjtin dikaster. Por nuk është moçalishtja e politikës shqiptare për njerëz profesionistë dhe intelektualë të sjellshëm. Politika e egër shqiptare, është për cubat…
E habitshme por ne kohen e qeverisjes se Vilson Ahmetit ushtaraket jane trajtuar me shume dinjitet.Ne ate periudhe ju trefishuan rrogat.Edhe pjesa tjeter e popullates ndihej e vleresuar.Respekt per kete intelekual dhe burr shteti fjale pak dhe pune shume.