Zgjedhjet europiane, që do të zhvillohen në 28 vende anëtare nga 22-25 maj 2014, pritet të mbahen në një kuadër të zgjatur krize ekonomike, e cila ka shfaqur problematika të ndryshme në shumë prej vendeve anëtare. Besimi qytetar ndaj BE-së njeh veçse rënie, me një shifër prej 43% të nivelit të pjesëmarrjes në 2009. Nëse ky nivel do të jetë akoma më i ulët, këto zgjedhje do të ngrenë një sërë pikëpyetjesh mbi vetë sistemin dhe funksionimin e BE-së.
Sondazhet e vazhdueshme, që po kryhen mbi mundësinë e votimit të elektoratit europian, po shfaqin një përparësi të së djathtës dhe të djathtës ekstreme javët e fundit. Ndonëse vetëm para pak javësh, sondazhet tregonin një garë të ngushtë mes dy forcave kryesore politike (212-212 ), të djathtët po përparojnë në terren duke thelluar diferencën (222-209 vende) sipas PollWatch2014.
Gjashtë janë vendet, të cilat pritet të kenë ndikimin më të madh në këto zgjedhje, për shkak të numrit të lartë të popullsisë të përkthyer në mandate evropiane, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Spanja dhe Polonia.
Rritja në sondazhe e krahut të djathtë po vërehet kryesisht në Francë dhe Poloni. Në Francë, ekstremi i djathtë i përfaqësuar nga Fronti Nacional i Marine Le Pen, pas daljes mjaft mirë nga zgjedhjet lokale të muajit mars, po kryeson kohët e fundit duke përparuar dhe ndaj UMP-së (24% për FN dhe 23% për UMP-në).
Në Poloni qeveria e djathtë, e cila vetëm pak para krizës ukrainase vlerësohej me popullaritet në rënie, kriza dhe angazhimi personal i Kryeministrit Donald Tusk në çështjen ukrainase, ka rritur ndjeshëm vëmendjen e elektoratit, duke e ngjitur atë dhe partinë e tij mjaft mirë në sondazhe (33.4%).
Qeveria e djathtë në Spanjë po ashtu është ngritur në sondazhe, duke u renditur mbi të majtën (29.6% – 29.4%). Në Britani po kryesojnë Laburistët me 31.25% , por UKIP me 27.25% ka lënë mbrapa Konservatorët e Kamerun me 23%. Të majtët kanë humbur terren në Francë, në Hungari, Greqi dhe Bullgari.
Ndërsa për sa i përket formimit të mundshëm të një grupi në PE, që do të mbledhë ekstremistët në një platformë, mundësitë duken reale, me një përllogaritje prej 38 eurodeputetësh nga 7 vende anëtare të ndryshme (FN franceze, PVV holandeze, FPO austriake, VB belge, LN italiane, SNS sllovake dhe SD suedeze).
Rritja e votës ndaj ekstremit të djathtë mund të shfaqë problematika, për sa i përket formimit të mundshëm të një grupi në PE, i cili do të mundësojë një presion më të madh nëpërmjet forcës së votës ndaj çështjeve të ndjeshme në BE, siç është dhe ajo mbi politikat e zgjerimit. Ndonëse duket një proces irracional, që pikërisht partitë anti-BE dhe anti-Euro konkurrojnë për të pasur deputetë në parlamentin evropian, duket se skema demokratike e funksionimit të BE-së, është tejet funksionale dhe ndaj hapësirave “vetë-shkatërruese”./im.ta/
PALLAVRA PA FUND.popujt e unionit jane te lodhur dhe duan te kthehen ne shtepi.boll me jane te gjithe te ngopur me kriza dhe papunesi.
Pas krizave e papunësisë zakonisht rri fashizmi !? Fantazma e tij po vërtitet mbi europë!??