Pas Britanisë dhe Holandës, që hapen dje zgjedhjet evropiane, sot voton Irlanda dhe Republika Çeke. Çekët do të votojnë për 21 eurodeputetë. Gara dhe rivaliteti sipas sondazheve është përqendruar mes Social-Demokratëve në qeveri dhe partisë të qendrës së djathtë ANO 2011, gjithashtu pjesë e koalicionit qeveritar. Lufta po zhvillohet për 5-6 eurodeputetë, komunistët pritet të marrin 4 vende dhe TOP 09 (Traditë Përgjegjshmëri Solidaritet) pritet të fitojë 3 vende. Vendi i fundit luhet mes Partisë Demokratike Qytetare (ODS), Agimi i Demokracisë Direkte (USVIT) -Bashkimi Kristian-Demokratik dhe Partia e Popullit Çekosllovak (KDU-CSL), gjithmonë vetëm nëse arrijnë të kalojnë pragun elektoral prej 5%.
“ANO 2011, Bude líp” (PO, më mirë do të bëhet)
Partia e qendrës së djathtë ANO, ka dalë relativisht vonë në skenën politike çeke, vetëm në fund të vitit 2012. Ajo vjen si vazhdimësi e ANO (Aksioni i Qytetarëve të Pakënaqur). Lideri i saj Andrej Babis, një biznesmen i pasur, i cili renditet në vendin e dytë në Çeki për nga pasuria që zotëron, është edhe ideatori politik i saj. Babis konsiderohet si Babisconi i Çekisë, për hyrjen dhe promovimin e shpejtë në arenën politike dhe blerjen e fuqishme të perandorisë MAFRA, grupit mediatik më të madh çek, që zotëron tre stacione televizive, dy gazeta dhe dy stacione radiofonike.
Platforma partiake e ANO-s, konsiderohet një platformë e varfër, por me orientime kryesisht liberale dhe me tema të fokusuara drejt qendrës së djathtë. Duke pasur një të kaluar dhe të tashme të fuqishme financiare, Babis shfaqet para elektoratit si i paprekshëm ndaj korrupsionit, duke argumentuar se pasuria që zotëron nuk mund të lejojë përfshirjen e tij në afera të tilla. Korrupsioni është një temë shumë e ndjeshme për publikun çek, dhe vendi renditet i 57-ti në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.
Rënia e besimit të publikut çek ndaj klasës politike njeh si pikën kulmore të saj Marrëveshjen Opozitare të vitit 1998. Një moment delikat ku partia opozitare ODS (Partia Demokratike Qytetare) vendosi të mbështesë qeverinë e brishtë Social-Demokrate. Kjo marrëveshje është konsideruar si momenti kyç i kthesës në politik-bërje, ku sipas perceptimit të publikut klasa politike ra dakord të ndante mes saj “tortën” e pushtetit. Kjo shkaktoi në opinionin publik një perceptim në rritje, se elektorati u tradhtua për interesa partiake dhe se përtej kësaj marrëveshje, klasa politike filloi gjithashtu të akuzohej, se kishte krijuar aleanca klienteliste me klasën e biznesit. Gradualisht këto perceptime formuan bazën e gjerë të një mendimi të konsoliduar në publik se “ ato janë të gjithë njësoj”.
Ndonëse ANO 2011, pritet të jetë partia fituese, kreu i saj Babis, është i pozicionuar në qëndrime euroskeptike të lehta, që prej zgjedhjes së tij si zv. Kryeministër dhe Ministër i Financave. Qëndrimet euroskeptike reflektohen në deklaratat kundërshtuese ndaj EURO-s dhe për mos integrim të mëtejshëm të vendit në BE.
Irlanda
Votuesit irlandezë pritet të zgjedhin 11 eurodeputetë në parlamentin e ardhshëm. Irlanda është një nga tre vendet e BE-së, që nuk përdor sistemin e përfaqësimit proporcional, por sistemin e votës së transferueshme (STV). Votuesit kanë mundësi të votojnë për disa kandidatë nga të gjitha krahët politikët, duke mos u kushtëzuar vetëm në një zgjedhje partiake dhe numri i të zgjedhurve duhet të korrespondojë me një shpërndarje proporcionale. Në këtë mënyrë vlerësohen se, shmangen edhe preferencat partiake në renditjen e kandidatëve gjatë përpilimit të listave.
Sondazhet paraprake shfaqin kryesim të partisë në pushtet që prej vitit 2011, Fine Gael, e cila pritet të marrë rreth 4 deputetë, e ndjekur nga Sinn Féin me 3 deputetë, Fianna Fail me 2 deputetët dhe 2 deputetë të pavarur.
Fine Gael, parti e qendrës së djathtë, erdhi në pushtet në vitin 2011, pas humbjes së thellë të Fianna Fail deri në 60% të mbështetësve të saj, e përkthyer në ¾ të vendeve në Parlament.
Që prej vitit 2008, Irlanda i është nënshtruar masave të ashpra shtrënguese ekonomike. Buxheti i vitit 2009 njohu shkurtime drastike i shoqëruar me rritje taksash dhe paralajmërime për shkurtime fondesh shtetërore. Një nga masat tronditëse ishte dhe dhënia fund e shërbimit shëndetësor falas për të moshuarit mbi moshën 70 vjeç, mbyllja e programeve të vaksinimit në sektorë të caktuar, propozime për rifutje tarifash universitare dhe shkurtime të mëdha të sigurimeve shëndetësore. Një tjetër buxhet emergjencë i miratuar brenda 6 muajve, rriti taksat dhe shkurtoi akoma më shumë shpenzimet publike.
Në këtë panoramë politike mes masash të rënda shtrënguese ekonomike dhe rritje të papunësisë vjen dhe humbja e thellë e Fianna Fail.
Ndonëse qeveria e koalicionit mes Fine Gael dhe Laburistëve vazhdoi të njëjtën linjë masash shtrëngimesh ekonomike, situata ekonomike në vend vlerësohet se ka pësuar rritje. Programi i masave të ndërmarra gjykohet se ka sjellë rezultatet e para, si rritje pozitive që prej vitit 2011 dhe ulje të papunësisë nga 14.8% në 11.8%. Në tërësi Irlanda konsiderohet se ka ridalë nga gjendja e rrezikimit të kolapsit dhe se po ecën në një terren të stabilizuar. Mbi këtë panoramë pozitive mendohet se vazhdon edhe mbështetja në sondazhe paraprake, ndaj partisë në pushtet Fine Gael.(im.ta)
BE i semuri qe po vdes mbahet me oksigjen?