Në orët e para të mëngjesit të datës 24 dhjetor 2012, në hyrje të Rrugës “Myslym Shyri“ kishte një mbipopullim që binte menjëherë në sy. Grupe-grupe, në trotuare, në hapsirat e pallateve, para dhe pas Shkollës “Pjetër Budi“, me fytyra të pikëlluara. Që nuk ishin protestues, kjo binte në sy menjëherë. Jo vetëm prej faktit se tashmë, si kanë shkuar punët tona, nuk ka burrë nëne të grumbullojë kaq shumë njerëz në një lagje të qytetit, qoftë edhe për të protestuar kundër ÇEZ-it, që të ndërpret energjinë elektrike si pa gjë të keq, e të nxinë jetën, por edhe prej faktit se shumica dërrmuese e tyre nuk ishin banor të lagjes. Ishin aq shumë njerëz, sa nuk mund të mbetej pa u interesuar edhe më indiferenti dhe më i pandjeshmi i kësaj bote të atrofizuar. Ndaj cilido kalimtar i rastit, cilido prind që shoqëronte fëmijën për në shkollë, apo cilido hallexhi që i drejtohej Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, e cila është pranë këtij grumbulli masiv njerëzish, në këtë mëngjes të ftohtë dimri , nuk mund të mos pyeste se çkishte ndodhur. Njerëzit të pikëlluar përgjigjeshin: “Ka vdekur Kurt Sallaku!“.
Kurt Sallaku lindi 57 vjet më parë në fshatin Shkretë të Malësisë së Krujës. I rritur mes një varfërie të patreguar, me sakrifica të pazakonta, pasi përfundoi arsimin 8 vjeçar dhe të mesëm, duke përshkruar kilometra të tëra në këmbë çdo ditë, në kohë të mirë, e në dimrat e egër, pasi shkollën e kishte shumë larg fshatit ku jetonte, në vitin 1979 përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua si inxhinjer mekanik. Fill pas diplomimit u emërua inxhinjer mekanik në gjigandin e industrisë kimiko-metalurgjiketë Laçit. I thjeshtë, i përkushtuar ndaj profesionit të tij, i etur për të punuar me ndërgjegje dhe me përgjegjshmëri të lartë, jo vetëm që u bë njeriu më i dashur dhe më i respektuar për të gjithë punonjësit e këtij kombinati dhe i qytetarëve të Laçit, por edhe një mjeshtër i rallë. Mendimet, profesionalizmin dhe duartë e arta të tij, i shikoje të mëshiruara në gatishmërinë e lartë teknike të të gjitha atyre makinerive moderrne të atij kombinati, të cilat mundësonin plotësimin e të gjitha nevojave të vendit me plehra fosfatike, me acid sulfurike, me bakër blister dhe me prodhime të tjera të industrisë kimiko-metalurgjike.
Fal aftësive dhe përkushtimit të tij, fal sakrificave të përditshme, fal studimit të vazhdueshëm cilësor në profesionin e tij, në një mosh shumë të re, u emrua kryetar i degës teknike të këtij kombinati të madh. Dhe pa kaluar pak vjet, në vitin 1984 u bë Kryeinxhinjer i Kombinatit Kimiko-Metalurgjik të Laçit. Si njeri me vlera të ralla, si një intelektual i spikatur teknicien, në radhë të parë, por edhe njeri, si ai, duke i sfiduar edhe politizimet e kohës, në vitin 1989 arriti të bëhej drejtor i këtij kombinati, duke patur në varësinë e tij,dhe duke i drejtuar, jo pak, por plotë 6000 punonjës që punonin në këtë gjigand kimiko-metalurgjik të kohës. Me sjelljet e tij, me gojën mjaltë, me virtytet e tij të papërsëritshme, me humanitetin dhe korrektesën që e karakterizonin, kishte fituar besimin e të gjithëve, ishte bërë një drejtues i aftë dhe i gjindshëm për punët në kombinat, po e po, por edhe për jetën njerëzore të punonjësve të tij.
Kurt Sallaku i përjetoi me dhimbje të patreguara shpirtërore, me lotë në sy, e pse jo, edhe me revoltë të brendëshme dhe të jashtme, ditët dhe vitet kur kombinati kimiko-metalurgjik u katandis si mos më keq, duke e mbuluar ndryshku dhe duke u bërë i vlefshëm vetëm për “skrap“.Një sëmundje e rëndë, e cila përparoi me shpejtësi edhe për shkak të pakujdesisë, papërgjegjshmërisë dhe neglizhencës së njohur tashme të sistemit tonë mjeksor, bëri që të ndahet nga jeta, në moshën 57 vjeçare ingjinjeri i talentuar, gojëëmbëli, miku dhe prindi i mbrekullueshëm Kurt Sallaku. La kështu në pikëllim të thellë bashkëshorten e tij, djalin dhe vajzën e tij, që tashmë janë të dy studentë, por që për fatin e mirë kanë ecur dhe vazhdojnë të ecin në gjurmët e babait të tyre të mirë, la në pikëllim vëllezërit e motrat e tij, gjithë të afërmit, miqtë dhe shokët e panumurt, të cilët i ka në të gjitha skajet e vendit.
Pikërisht për arsyet që thamë më sipër, në kortezhin e tij mortor morën pjesë një numur vërtetë i konsiderueshëm njerëzish, nga Kruja, Laçi dhe rrethinat po e po, por edhe nga e gjithë Shqipëria. Mungonte vetëm ministri i METE, ose një përfaqësues i tij! Për fatin e keq, lajmi i vdekjes së Kurt Sallakut, nuk kishte shkuar vetëm në METE, ku ky kryespecialist i metalurgjisë, kimisë dhe inxhinjerisë së vendit, derdhi dijet, djersën, mundin dhe bëri sakrificat e panumurta një jetë të tërë. Për rrjedhojë, dy fjalë miradije dhe përcjellje për në banesën e fundit, për këtë intelektual të mirënjohur, për këtë kryespecialist kontribuitiv në fushën e arritjeve të shkencës dhe industrisë kimiko-metalurgjike të vendit, për këtë prind shëmbullor dhe njeri me cilësi dhe virtyte të larta, nuk pati kush t’ia thoshte!
Ishte viti 1999. Më ra rasti të merrja pjesë në ceremoninë mortore të një atdhetari të spikatur, nga Qeparoi, Manol Koçi. Aty nga vitet 1955-1965, ky person kishte punuar në shërbimin sekret shqiptar, si i infiltruar brenda Asfalisë greke. Dhe u kishte shërbyer me përkushtim interesave tona kombëtare. Në ceremoninë mortore të tij mori pjesë edhe ish-kryetari i SHISH të asaj kohe, Fatos Klosi. Në fjalën e tij Zoti Klosi e konsideroi Manol Koçin si ish-punonjësin e tij. Dhe këtij shqiptari dhe specialisti të përkushtuar, ju bënë të gjitha nderimet e merituara. Në vend që veprimi njerëzor, human e mirënjohës që theksuam, të kthehet në një traditë të mirë në shoqërinë tonë demokratike, bëhet e kundërta, kudo sundon indiferenca, zëmërgurësia dhe mospërfillja, duke mos e bërë të shenjtë për të gjithë njerëzit kontribuitiv të këtij vendi, memorien historike dhe mirënjohjen, për të djeshëmen dhe për të sotmen.
kjo quhej uzina kimike e superfosfatit ne lac dhe jo kombinat metalurgjike